Piktori i madh i vetmisë

Vazhdojnë të mbesin enigma, si mjeshtri danez Vilhelm Hammershoi ashtu edhe enterierit e tij. Kritikja e artit, Cath Pound, përpiqet të zbërthejë këtë mister. Pjesë të shkrimit të saj, Telegrafi ua sjell më poshtë.

Pavarësisht nëse pikturonte një stufë në qosh, një divan ose një seri të dyerve të bardha, artisti i madh danez i shekullit XIX, Vilhelm Hammershoi, arrinte të mbushte objektet e zakonshme në dhomat gjysmë të zbrazëta me “një cilësi jo të kësaj bote, me një refleksion të ekzistencës sublime”, siç ka thënë më 1916, historiani i artit Julius Elias.

Ndonëse opusi i tij përfshinte portrete enigmatike, peizazhe dhe pamje të qytetit, si dhe një sërë aktesh unike, janë enterierët misterioze të bëra me ndjesi me nuancat bardhë dhe gri, shpesh me një grua që shihet nga pas, ato të cilat e afrojnë me audiencat bashkëkohore, që nga dalja e tij nga errësira 20 vjet më parë.

“Interior, Strandgarde 30” (1901), ku gruaja rri në hije, është shembull se si evokohet vetmia në mënyrë mjeshtërore

“Shohim miliona imazhe çdo ditë dhe shumica e tyre janë të tmerrshme. Dhe, pastaj e vëni veten përpara një enterieri të zhveshur të Hammershoit ku – pa dashur që të tingëllojë kjo si diçka triviale – është sikur të jesh në një mësim të jogës. Duhet të hiqni gjithçka nga vetja për t’iu kthyer esenciales”, thotë Jean-Loup Champion, kurator i ekspozitës “Hammershoi, mjeshtër i pikturës daneze”, që do të jetë e hapur deri në nëntor në Muzeun Jacquemart-Andre të Parisit.

Ato janë imazhe që kërkojnë të zhytesh qetë në mendime, edhe pse ndjesia e parë e qetësisë shpesh hap rrugë për diçka më shqetësuese.

Hammershoi po ashtu bënte peizazhe të papopulluara, si kjo e vitit 1888, në një zonë të Virumit, në veri të Kopenhagës

Hammershoi pikturonte në një kohë kur interierët ishin motiv mjaft popullor. Shtëpia shihej si strehë nga rritja e industrializimit dhe artistët portretizuan me entuziazëm konceptin e zbukurimit të hygesë (nga fjala daneze “hygge” që nënkupton momentin e rehatisë së madhe – v.j.) në piktura. “Por, nuk mund ta ndjeni këtë para Hammershoit”, thotë Champion.

Hammershoi duket se ka qenë i heshtur, i qetë dhe i rezervuar po si art i tij. Kishte një rreth të vogël dhe të ngushtë familjarësh dhe miqsh, shumë prej të cilëve shfaqeshin në punën e tij, por në përgjithësi jetoi në vetmi duke u shfaqur pak në publik.

“Pushimi” (1905) është shembull i rrallë i pikturave të Hammershoit që projekton prehjen dhe ngrohtësinë

Nga viti 1898 e deri më 1909, shtëpia e tij ishte një apartament në Kopenhagë, ku pikturoi shumicën e enterierëve. Duke favorizuar një estetikë të rreptë, banesa e tij dallonte nga enterierët e shumicës së klasës së epërme të mesme. Mobilet ishin minimale dhe këto veçanti potencoheshin kur paraqiste gruan Ida, shpesh me shpinë të kthyer. Ndonëse gratë ishin shumë prezentë në pikturat e Epokës së Artë Daneze, duke ofruar ngrohtësi e intimitet, asnjë nga këto elemente nuk është e pranishme në punën e tij. Prezenca e Idas nuk i jep jetë enterierëve, sepse mbesin të paarritshme dhe të paqarta po si ajo.

Hammershoi mund të ketë përmbysur motivet e paraardhësve holandezë dhe danezë, por në fakt mund të shihet si paraardhës i Edward Hopperit. Championi pajtohet se ata “kanë të njëjtin siklet”. Duke bërë krahasime me punën më të famshme të Hopperit, “Nighthawks” (1942), ai thotë se “është gjithmonë një çështje e të qënit i vetëm, se ndihesh i vetmuar kur ndodhesh para këtyre pikturave”. Megjithatë, e sheh Hopperin më empatik kur portretizonte ankthet e tij.

Ida me dy kunatat e saj, në portretin familjar “Tri gra të reja” (1895)

Me Hammershoin na mbetet të projektojmë emocionet tona në piktura edhe nëse ato janë shpesh me ankth dhe shqetësime të cilat ndoshta thonë më shumë për kohën e trazuar në të cilën jetojmë sesa për qëllimet e padepërtueshme të mjeshtrit danez. Edhe pse Hammershoi jetonte në kohën kur danezët po luftonin me humbje të konsiderueshme territoriale dhe tensione brenda Evropës, është e mundur që shikuesit bashkëkohorë të reagojnë në mënyrë të njëjtë si të tjerët dikur. Por, aftësia e tij për të nxjerrë ndjenja nga ne nuk është esenca e vetme e punës të tij. “Natyrisht, nuk duhet të harrojmë se pikturat e tij janë shumë të bukura”, thotë Champion.

Emil Hannover, historian i artit dhe mik i Hammershoit, e kishte parë punën e tij si “protestë e heshtur kundër të gjitha gjërave pa shije e pa finesë të kohës sonë”. Në kohën tonë që është ma pa shije e ma pa finesë se fundi i shekullit XIX dhe fillimi i shekullit XX në Danimarkë, në të cilën dëshirojmë të pastrojmë shtëpitë nga blerjet e panevojshme dhe mendjet tona nga shpërqendrimet e kota, ndoshta nuk është befasuese që pikturat e tij të rezonojnë aq thellë. Ai është piktori për të cilin kemi nevojë sot. /Telegrafi/

SHKARKO APP