“Piktori i Transformimit”, piktori Edi Hila çel ekspozitën në GKA
Në Galerinë Kombëtare të Arteve u çel ekspozita e parë retrospektivë e piktorit, Edi Hila në Shqipëri, “Piktori i Transformimit”.
Kryeministri Edi Rama, i pranishëm në hapjen e kësaj ekspozite, ka vlerësuar pikturat e Edi Hilës, të cilat spikasin për tematikën e tyre.
“Piktori i Transformimit” është një projekt i përbashkët i Galerisë Kombëtare të Arteve, Muzeut të Artit Modern të Varshavës dhe Koleksionit Kontakt në Vjenë.
Nëpërmjet ekspozitës retrospektive me titullin “Piktori i transformimit” shfaqet Shqipëria siç ishte dhe Shqipëria që pak ndryshoi.
Hila e përcjell realitetin e transformimit shoqëror me disa cikle ku për t’u veçuar janë tablotë “Paradoksi”, “Marrëdhëniet”, “Kërcënimi”, “Objekte anash rrugës” deri tek krijimet më të fundit “Bulevardi i Dëshmorëve të Kombit”, “Një tendë në çatinë e makinës sime”.
Kuratorët e ekspozitës Kathrin Romberg, Erzen Shkololli dhe Joana Mitkovska e vlerësojnë këtë lloj pikture për realizmin dhe vëzhgimin e kujdesshëm të detajit, të cilin Hila e eksploron për të transmetuar të vërtetën psikologjike të fenomeneve.
Ky distilim të vërtetash e ka shtyrë artistin drejt klasicizmit dhe magjepsjes prej burimeve të pikturës së Rilindjes.