Poeti Preç Zogaj sjell përmbledhjen poetike të krijimtarisë së tij 40-vjeçare
Dyzet vjet krijimtari poetike e përmbledhur në një libër voluminoz të titulluar “Në çdo pasqyrë na sheh mëkati”. Është ky libri më i fundit i shkrimtarit, publicistit e poetit Preç Zogaj, një botim i UET Press, ku autori udhëton ndër vite deri në fillimet e sprovave të tij poetike, në vitin 1984. Teksa vlerësoi gjuhën e përdorur nga Zogaj, Natasha Lako e quajti poezinë e tij një bekim.
“Poezia është aq e bukur, me të tërë dhimbjet, me të gjitha problemet që ka, plagët… çdo poezi e Preçit është bekim dhe kjo e bën të veçantë. Po ashtu e bën poezinë e Preçit, poezi humane.”, u shpreh poetja Natasha Lako. Preç Zogaj kujtoi gjeneratën e poetëve të ’80-ës dhe sfidat e tyre për të ruajtur të paprekur thelbin e poezisë nga të gjitha ndërhyrjet dhe ndalimet e kohës.
Ne pasardhësit, brezi im ishim paralajmëruar të qëndronim në konformizëm. Unë them se u kapëm me duar, me të dyja duart e shpirtit pas estetikës së librave që nuk ishin hequr, dhe s’mund të hiqeshin nga qarkullimi. Poetët dhe shkrimtarët e lejuar kishin estetikën e lartë. Më të shurit e brezit tonë ranë në kontakt me poetë të mëdhenj të shekullit XX”, thotë shkrimtari, publicisti dhe poeti Preç Zogaj.
Mes 11 vëllimeve të shkruara në këto katër dekada, Preç zogaj përzgjedh poezitë më domethënëse për gruan, miqtë, poetët e preferuar, për Lezhën, për vdekjen, për nënën e tema të tjera të pakohë, duke provokuar përmes fjalës një kolorit emocionesh, përfytyrimesh e mendimesh.