“Polakja”

Rreth Romanit ‘‘POLAKJA’’ të shkrimtarit Xhevat Mustafa

Nga Robert Martiko –

Lexova me kujdes romanin me vlera jo vetëm artistike, por edhe morale e sociale të shkrimtarit të talentuar Xhevat Mustafa, me titulluin ‘‘Polakja’’, dhe u ndjeva i mrekulluar. Në vijim m’u desh ti drejtohesha vetvetes me pyetjen se cila ishte arsyeja që në intrigën e subjektit zhvillohen dy linja tregimi. Kur arrin në faqen e fundit të këtij romani e kupton se kjo shpjegohet me dëshirën e autorit për të përforcuar një ide themelore, ku dy linjat paralele zhvillohen në harmoni me njëra- tjetrën, të ndërthurura natyrshëm e artistikisht.
Në të parën paraqitet dashuria e Andonit, marinar shqiptar, i cili për disa vjet studioi në Gdansk, një qytet polak në brigjet e Balltikut, në vitet kur Shqipëria e viteve të Luftës së Ftohtë mbante marrëdhënie miqësore me Poloninë. Lidhja dashurore ka të bëjë me polaken Anna, e cila, duke u ndier disi e pakënaqur nga bashkëshorti dhe e joshur shpirtërisht nga shqiptari, e tradhton burrin e saj. Prej marrëdhënieve të tyre të fshehta do të lindë një djalë, Feliksi. Linja tjetër e tregimit, e cila mbart edhe pjesën më të madhe të vlerave romanit, ka të bëjë me Jadwigën. Në ndryshim nga Anna, e cila rastis të jetë shoqja e saj, Jadwigës i bie fati të njohë një Shqipëri në gjithë madhështinë e errët të Diktaturës Komuniste. Kjo ndodh sepse, ndryshe nga shumë vajza e gra polake apo ruse të asaj kohe, të cilat ndërprenë lidhjet dashurore me shqiptarët, porsa u shfaqën në horizont retë e para në marrëdhëniet midis dy shteteve, Jadwiga, u ndie e pafuqishme përballë dashurisë për të mundur të kryente një veprim të tillë. Për më tepër, ajo u tregua besnike ndaj Janit, burrit të saj të ardhëm, madje edhe në kushtet e një Ferri të vërtetë Tokësor siç mund të karakterizohet Shqipëria Staliniste dhe Enveriste e atyre viteve të gurta.
Është e vërtetë që Jadwiga vuan tmerrësisht në hetuesi në fillim, e më pas në burgjet shqiptare, aq sa ajo kalon edhe në gjendje çmendurie. Megjithatë, si për të nxjerrë një kuptim të thellë prej vuajtjeve që njeriu mund të hasë në jetë, autori i romanit na bën të mendojmë se heroina e tij ka arritur të dalë shpirtërisht fituese ndaj krimit, vuajtjeve dhe gjithë atij absurditeti të madh të atyre viteve të egra, komunizmi absolut dhe të përbindshëm. Për një lexues të vëmendshëm, gjithë historia e trishtuar e Jadwigës, shërben për të nxjerrë konkluzionin se sado të padurueshme të jenë mundimet apo fatkeqësitë që mund të pësojë njeriu në jetë, ato nuk mungojnë të jenë edhe një dritare për të ndriçuar shpirtin. Nga ana tjetër, sado i vështirë dhe pothuajse shkatërrues për shpirtin njerëzor të jetë privimi i lirisë, të burgosurit e mençur, janë të aftë të mos e mbartin burgun me vete edhe në ditë lirie. Krejt ndryshe, dhunën e mbajnë të burgosur në tru, deri sa vdesin, inkuizitorët e sistemit. Është diçka që pa e kuptuar, transportohet edhe te pasardhësit e tyre. Vijon në brezni të tëra, pa fund. Bëhet fjalë për një tragjedi të vërtetë për të ardhmen e një kombi. Në roman nuk mund të mungonte një lloj tipi i tillë. Ky është Qemali, një nga ato fytyrat e urryera të ish sistemit komunist, që dikur merrnin përsipër të terrorizonin jo vetëm të burgosurit, por edhe popullsinë duartrokitëse të atyre viteve, të trembur deri në palcë. Nga ky lloj terrori maskarenjsh të kafshëruar, diçka që vijon deri më pikën më të lartë të piramidës shtetërore, nuk arrin të shpëtojë dot as Enver Hoxha, vëllavrasësi më të madh shqiptar i të gjitha kohëve, në territoret ilire. Është një lloj Makbethi i trembur deri në palcë nga frika e gjakut që ka derdhur pa pushim gjithë jetën.
Në aspektin filozofik, jo më kot autori e paraqet Jadwigën si një admiruese të muzikës klasike. Shpirti artistik i Betovenit, Mozartit, Listit dhe bashkatdhetarit të saj të famshëm, Shopenit të pavdekshëm, e shoqëron gruan edhe pas përfundimit të burgut. Kompozitorët më të mëdhenj të njerëzimit bëhen pa u kuptuar shërues të shpirtit të saj të dërrmuar keqas. Madje, Jadwiga, është bërë edhe objekt dhunimi seksual në hetuesi e jo vetëm nga monstra Qemal Hanxhari. Nëpërmjet një narracioni mjeshtëror e të shkathët, emocionues deri në tronditje, dalloj se shkrimtari Xhevat Mustafa dëshiron t’i kalojë lexuesit mesazhin se, kur dikujt i bie në kokë një fatkeqësi skajore, janë të paktë ata që kujdesen që qelia e tyre të mos shndërrohet në një burg të dytë. Krejt ndryshe, në lidhje me katër muret e saj, duhet të mendohet se ajo pjesë e qelisë ku gjendet dera, është një ftesë për të menduar se nuk duhet të mungojë kurrë shpresa për të fituar përsëri lirinë.
Dikujt prej lexuesve mund t’i kujtohet filozofi i famshëm gjerman Artur Shopenauer, i cili e konsideron Artin në trajtën platonike, si një mjet që largon njeriun nga bota e gjërave apo realiteti i hidhur. Krijohet kështu mundësia e fitimit përsëri të ekuilibrit shpirtëror. Mbasi Arti nuk nënkupton aspak të trajtohet me verbërinë politike e partiake, me mendjelehtësinë e vetëskllavërimit absurd të “Njeriut të Ri Socialist”, apo me mentalitetet dhe vizionet dritëshkurtra, të mykura, ballkanase. Në lidhje me Botën që na rrethon, Arti ka për qëllim të pasqyrojë dhimbjen universale dhe ta lehtësojë ndikimin e saj tek brezat e rinj, duke ndihmuar që njerëzit të eliminojnë dhe të kufizojnë instinktet dhe t’i zëvendësojnë ato me Arsyen dhe Logjikën. Duke kryer këtë funksion, Arti arrin ta përpunojë mrekullisht këtë lloj dhimbjeje. Sipas Aristotelit kemi të bëjmë me ‘‘Katharsis’’, një fjalë që në greqishten e vjetër ka kuptimin Pastrim Shpirtëror. Jadwiga do të mund ta kishte shmangur burgun e saj, nëse do të kishte pranuar të tradhtonte dashurinë e të largohej nga Shqipëria. Nuk pranon mbasi, si qenie e ndërgjegjshme dhe njëkohësisht grua e devotshme, dëshironte që brenda lirisë së saj të mos mungonte virtyti, që është një element tepër lartësues brenda relacionit dashuror dhe përgjithësisht qëndrimit dinjitoz në jetë. Veçanërisht në ditë të vështira, virtyti është një cilësi që fare pak individë ndiejnë ta kenë në gjak duke e ruajtur atë me sukses. E kundërta për ta do të ishte asgjësimi i plotë i vetvetes apo një burg më i tmerrshëm nga ai i kohëve të Enver Hoxhës. Jadwiga sfidon Diktaturën duke pranuar këtë lloj burgu prej gurësh të vjetra kështjellash dhe llaçi mesjetar. Mbasi për të veçantët e kësaj bote nuk mund të sfidohet kurrsesi shpirti i lirë. Jadwiga, edhe pse e munduar tmerrësisht nga vuajtjet, bëhet padashur simboli i gruas në shpirtin e së cilës mbizotëron motua sipas një citati të shkruar në burgun Spalerka në Leningrad, prej një të burgosure ruse me karakter të jashtëzakonshëm si Adda Vojtolovskaja: ‘‘Ki besim te agimi, jo te dhimbja.’’ Ky pikërisht është edhe leit-motivi i autorit Xhevat Mustafa në romanin e tij, përcjellë jo vetëm me vlera artistike, por edhe morale, sociale, edukative…
Krejt ndryshe, Anna apo polakja tjetër, duke krijuar marrëdhënie dashurore me marinarin shqiptar, Andonin, pranon të njohë torturën shpirtërore të një dashurie të fshehtë, pa rënë në një burg të vërtetë, si shoqja e saj. Është e vërtetë që në kohën e sotshme njerëzit janë të lirë të rregullojnë jetën e tyre sipas dëshirës. Në një bashkim martesor të vendosin për t’u ndarë apo për të bashkëjetuar. Veç janë tjetër gjë marrëdhëniet e fshehta pas kurrizit të ndonjërit prej partnerëve. Në këtë mënyrë, vjen dita që dëshirat e fshehta të Annës të kenë si pasojë robërimin e saj shpirtëror. Gruaja tenton vetëvrasjen e tmerruar nga ideja se mos sekreti i saj mësohet prej burrit dhe djalit të saj, tashmë të rritur.
Si konkluzion, Romani ‘‘Polakja’’ është një nga veprat më të arrira në Shqipërinë e këtyre viteve për të parë dhe analizuar të kaluarën me sy realist e kritik. Mesazhi i mençur, filozofik dhe artistik i autorit është se Burgu i Madh që lamë pas krahëve duhet të na fusë në mendime të thella e në proces katarsis të sinqertë e gjithëpërfshirës. Jo më shumë për të shmangur rrezikun e kthimit pas të Diktaturës Komuniste, tashmë një fantazmë e larguar përfundimisht nga Evropa, se sa për të theksuar Trashëgiminë dhe Kulturën e Urrejtjes që ajo epokë e hidhur la pas. Është diçka që vihet re edhe në ditët e sotshme. Ndryshe nga sa ndodh dhe shikohet në Shqipëri, vendet e Civilizimit Perëndimor, të cilat sot kanë arritur të udhëheqin në botë, bazohen përherë në sintezë, tolerancë, konsensus e harmoni. Një komb për të funksionuar kërkon bashkim të sinqertë shpirtëror. Vetë demokracia është sistemi i sintezës dhe i bashkëpunimit. Por as edhe i harresës së plotë të së kaluarës dhe as i kultivimit të armiqësive të vjetra e të reja, në emër të saj. E keqja e madhe e protagonistëve të vëllavrasjes së madhe shqiptare, personifikuar në roman tek xhelati komunist Qemal Hanxhari me shokë e shoqe, pa mohuar një Gjyq Nurembergu, duhet të tejkalohet në mënyrë që edhe në Shqipëri të mbizotërojë kohezioni dhe konsensusi shoqëror.
Këto, sipas gjykimit tim, janë idetë më kryesore që shkrimtari Xhevat Mustafa, ka dashur të transmetojë artistikisht te lexuesit e tij nëpërmjet romanit të tij të bukur, me titullin shprehës dhe intrigues, ‘‘Polakja’’.

SHKARKO APP