Portreti i kollosit të Artit të shtatë Freddy Buache dhe kineasti shqiptar Bujar Kapexhiu
Nga Alfred Papuçiu –
Lumturia e plotë dhe pafund është vetëm kurth ose një vegim. Asnjë njeri nuk e gëzon të drejtën e lumturisë absolute, privilegjin hyjnor. Këtë nuk e gëzoi edhe fisniku Freddy Buache. Ditët e fundit u largua nga kjo jetë kollosi i Artit të Shtatë, siç e kanë cilësuar dashamirët e tij të shumtë në botë, kineasti zviceran Freddy Buache (Fredi Byash), në moshën 94 vjeçare. Ai mbetet një nga figurat më të shquara të kinematografisë zvicerane dhe botërore dhe që ka folur me simpati edhe për kinematografinë shqiptare, në rrethet e bashkëpunëtorëve dhe miqve të tij të shumtë në botë.
Në Panairin Ndërkombëtar të Librit dhe të Filmit në Gjenevë, rastësisht takova Freddy Buache, pas shumë vitesh. Me të njëjtën pamje fisnike dhe ekspresive, ai njeri fisnik dhe tepër modest, më përqafoi dhe biseduam miqësisht, si para njëzetë e ca vitesh, kur në Lozanë u zhvilluan ditët e filmit shqiptar, nën patronazhin e Kinematekës Zvicerane dhe personalisht të tij. Ai më pyeti për mikun e tij të « madh » siç e cilësoi ai, kineastin tonë të shquar Bujar Kapexhiu dhe për ecurinë e filmit shqiptar. Më dhuroi me autograf edhe një nga librat e tij të fundit, ku flet për kinematografinë botërore dhe veçanërisht për atë zvicerane. Freddy Buache më foli, kur e pyeta se me çfarë merret pas daljes në pension, se vazhdon të japë mësim si profesor për kinematografinë në Universitetin e Lozanës. Në të njëjtën kohë ai udhëton në shumë vende të botës ku e thërresin për konsulencën e tij të vyer në fushën e kinematografisë. Freddy shkruante gjithashtu një rubrikë javore për kinematografinë në gazetën zvicerane “Le Matin” (Mëngjesi).
U ndava nga Freddy Buache me urimin që të takoheshim përsëri, pse jo edhe në shoqërinë e Bujar Kapexhiut dhe kineastëve të tjerë shqiptarë. Por kjo dëshirë nuk mund të realizohet, pasi ai u largua nga kjo jetë. Sidoqoftë shkurtimisht, sa na e lejon edhe gazeta, pasi për të mund të shkruhet me dhjetëra e dhjetëra faqe, po japim një homazh të shkurtër për të mirin dhe njohësin e zellshëm të kinematografisë botërore, Freddy Buache.
Krijimi i Kinematekës zvicerane është një epope e vërtetë, duke marrë si shembull Kinematekën franceze dhe të tjera. Në këtë botë imazhesh dhe zërash dallohen dy figura madhore: Henri Langlois dhe Freddy Buache. Njëri është “dragoi i cili ruan thesaret”, sipas Jean Cocteau, tjetri “njeriu që na drejton në labirinthet e kinemasë”. Këtë e konfirmojnë miqësisht, Michel Contat, Alain Tanner, Pietro Sarto, Jean-Luc Godard dhe Jacques Chessex, “satelitë të galaktikës Buache”. Freddy Buache lindi në Lozanë më 29 dhjetor të vitit 1924 dhe shumë shpejt tregoi pasionin e tij për artet e bukura dhe teatrin dhe pastaj u drejtua drejt kinemasë, duke marr në dorë drejtimin e Kinematekës zvicerane qysh në 1951. Shkrimtar, poet dhe kritik arti, autor i shumë artikujve dhe librave, të cilave u referohen të gjithë për kinemanë, botues, programues, profesor, mbrojtës i zjarrtë i kinemasë së re zvicerane dhe i pasurisë artistike, Freddy Buache la mbresa të përjetshme në historinë e Artit të 7-të të Zvicrës. Ai militon me përkushtim për Konfederatën Zvicerane dhe në sajë të tij miratohet një ligj për kinemanë në 1963, apo që Ekspozita madhështore e 1964 në Lozanë të zërë një vend vend nderi për krijimin kinematografik. Ky njeri fisnik bëri që të njihet kinemaja e re zvicerane në botë, veçanërisht në sajë të lidhjeve të privilegjuara me drejtorët e Festivalit të Kanës. Duke qënë pararendës i Kinematekës zvicerane, e themeluar në 1948, ai kontribuoi duke sjellë me pasurinë e koleksioneve të tij dhe dinamizmin e programacioneve të tij, duke pritur shumë kineastë të të gjithë botës, si edhe kineastët shqiptarë, të cilët shpesh i dhuronin veprat e tyre Kinematekës. Freddy Buache i palodhur shkon deri në skajet më të largëta të Zvicrës për të paraqitur filmat e koleksionit të tij tek gjimnazistët, duke favorizuar krijimin e shumë brezave të adhuruesve të kinemasë dhe kineastëve të rinj. Paralelisht me postin e tij tek Kinemateka zvicerane që e mbajti deri në 1996, Freddy Buache ka qënë bashkëdrejtor i Festivalit të Lokarnos nga 1967 deri në 1970. Ai kishte miqësi me personalitete të kinemasë dhe të kulturës, midis të cilëve me Charles Apothéloz, Henri Langlois, Georges Franju, Jean Grémillon, Michel Simon, Luis Buñuel, Jacques Chessex, Michel Soutter, Theo Angelopoulos, Miloš Forman, Daniel Schmid apo akoma me të madhin Jean-Luc Godard. Ai ishte laureat i shumë çmimeve ndërkombëtare dhe të një “Leopardi Nderi” në Lokarno. Në prill të këtij viti ai mori Medaljen e nderit të FIAF (Federatës Ndërkombëtare të Arkivave të Filmit), përpara më tepër se 300 delegatëve të mbledhur në Lozanë për Kongresin e saj vjetor, të 75-të. Ai ishte deri në çastet e fundit shumë aktiv dhe jepte akoma një kurs mbi historinë e kinemasë së Kinematekës zvicerane, në bashkëpunim me UNIL. Midis veprimtarive të ndryshme, këtë vjeshtë Kinemateka zvicerane do të organizojë një homazh për kollosin e Artit të Shtatë, Freddy Buache, ku mendoj se do të marrin pjesë dhe kineastët tanë, si Bujar Kapexhiu që e ka njohur nga afër atë.
Le të kujtojmë këtu se njerëz të apasionuar pas kinemasë në gjithë botën, të shqetësuar nga zhdukja e kryeveprave të filmave pa zë, krijuan muze të kinemasë, apo siç quhen tani “kinematika”, duke u përpjekur të ruajnë një pjesë të thesareve që kanë një vlerë artistike ose të paktën historike. E para prej tyre u krijua në Stokolm në 1933. Pastaj vazhduan në Berlin (1934), Londër, Nju Jork, Romë (1935), Paris (1936) etj. Peter Bachlin, president i Klubit të Kinemasë “Filmi i mirë” (Le Bon Film), krijoi në Bazel të Zvicrës të parat “Arkiva Kinematografike Zvicerane” dhe menjëherë këshillohet me drejtorin e Kinematekës franceze, Henri Langlois. Kinemateka Zvicerane e mirëfilltë u krijua më 1948 në Lozanë.
Le të vijmë tani tek historia jonë e bukur dhe e paharruar e shumë viteve përpara. Më kujtohet se ishim ulur në tarracën e Kinematekës zvicerane, në Lozanë. Ishte pranverë. Një kohë e bukur dhe nga liqeni vinte një afsh i freskët. Atë natë do të organizonim “Ditët e filmit shqiptar”, me ndihmën e Kinematekës zvicerane, një veprimtari që do të pasohej pak më vonë në Gjenevë tek “CAC Volter”, i Rui Nogerës dhe qytete të tjera të Zvicrës, Zyrih etj. Pranë nesh ishte ulur kineasti me famë botërore, drejtori i Kinematekës, zvicerani Freddy Buache, i cili diskutonte me një pasion të veçantë për ecurinë e kinematografisë gjatë viteve. Një njohës i thellë i kinematografisë botërore dhe që fjala e tij peshon në vlerësimin e filmave që shfaqen në Zvicër. Ai i inkurajonte kineastët tanë që të krijonin filma të rinj me tema nga historia e Shqipërisë apo edhe nga ditët e sotme, kur menjëherë, pa e marrë vesh, artisti, kineasti dhe piktori ynë Bujar Kapexhiu i cili vizatonte pa pushim, i dha portretin e vet, të cilin e realizoi për pak çaste. E pashë të madhin Freddy Buache që u ngrit dhe e përqafoi me shumë dashuri Bujarin. Me ato flokët e gjata prej artisti dhe me sytë e tij shprehës, portreti ishte realizuar shumë bukur dhe jepte me nuancë të theksuar tiparet e bukura të njeriut të madh të filmit. Kineasti zviceran ishte shumë i prekur. Herë pas here ai hidhte sytë nga Bujari dhe nga ne, me një buzëqeshje të lehtë. U shpreh se nuk kishte dhuratë më të bukur dhe kuptimplote për të nga ana e një kineasti të talentuar që vinte nga Shqipëria e vogël. Darka kaloi duke ngritur dolli për miqësinë midis dy popujve, si edhe me urimin që shkëmbimet midis dy kinematekave të vazhdonin. Atë natë Kinemateka ishte plot me miq zviceranë dhe shqiptarë, të cilët vlerësuan filmat e shfaqur. Ato janë shfaqur here pas here edhe për amatorët e filmave të vendeve të ndryshme të botës. Në fondin e artë të Kinematekës Zvicerane ndodhen edhe filmat shqiptarë, ndër të tjerë “Tela për violinë”. Herë pas here, kineasti Bujar Kapexhiu vjen në Gjenevë ku ka shumë miq kineastë që kanë qenë në Shqipëri dhe së bashku mblidhemi dhe kujtojmë atë darkë të bukur në tarracën e Kinematekës Zvicerane.
I përjetshëm qoftë kujtimi për Freddy Buache, mik i kineastëve në botë dhe kineastëve dhe dashamirëve shqiptarë që e kanë njohur atë.