“Pranvera e përjetshme” e Rodine, dëbohet nga “Portat e Ferrit” për t’u “djegur” në zjarrin e Camille Claudel

Albert Vataj

Modeluar për “Portat e Ferrit”, 1885, kjo figurë, kjo prehje e dlirë në një mermer të qumësht, u përjashtua përfundimisht nga versioni përfundimtar i portalit. E njohur si “Pranvera e përjetshme”, skulptura u ble nga Musée du Luxembourg, Paris, e rezervuar për vepra të artistëve të gjallë, pasi u shfaq në Sallonin e 1890-ës.
Duke përshtatur një temë mitologjike, vajzat e Danaos, ose ‘Danaïds’, u detyruan të mbushnin një fuçi pa fund me ujë si ndëshkim për vrasjen e burrave të tyre në natën e dasmës. Rodine e sjell në një shtjellim të ndryshtë ngase raportet e tjera krijuese të artit u qasën ta jetësonin këtë mit në vepër.
Në vend që të përfaqësojë Danaïd-in në aktin e mbushjes së fuçisë, Rodin përshkruan dëshpërimin e saj teksa kupton kotësinë dhe absurditetin e detyrës së saj, e pse jo dhe nënshtrimin ndaj një vullneti sovran, ndaj të cilit e ka të pamundur të rebelohet. E rraskapitur, ajo mbështet kokën “si një dënesë e madhe” në krahun e saj, ndërsa flokët e saj “të lëngshëm” të përhapur, shkrihen me ujin e enës së përmbysur.
Këtë lartësi të fuqisë shprehëse dhe thellësi përjetimi, Rodine e nxori thellë nga shpirti, jo tamam si një mitologji, të cilën ai vetëm sa e përdor si kamuflim i gruas së dëshirimeve të tij, ose si një idealizim të marrëdhënies së tij Camille Claudel, një skulptore e talentuar, dhe gruas që hyri në jetën e mjeshtrit stuhishëm dhe me të njëjtën kulmim përshkues udhëpriu ajo nga një kryevepër në tjetrën të Rodine.
Kur Camille u bë studente e Rodinit më 1881, ajo u bë menjëherë më e mira e studentëve dhe gruaja e parë mes tyre. Nuk është për t’u habitur që dashuria lindi midis këtyre dy njerëzve të talentuar dhe të pazakontë. Romanca e tyre lulëzoi shpejt, duke e ngjitur arti në apogje, atje ku shandanët e zjarrit dritnin dhe digjnin.
Idealet e Camille-s ndikuan në punën e Rodin-it, sofistikimi dhe fisnikëria u shfaqën në veprat e tij. Megjithatë, temperamenti i dhunshëm i Rodinit u shfaq në faktin se veprat e tij të mëvonshme të kësaj periudhe fituan një hije epshi dhe, në të njëjtën kohë, nuk e humbën sofistikimin e tyre.
Si asistent dhe model, Claudel ndihmoi Rodin të krijonte shumë nga kryeveprat e tij. Periudha e punës së përbashkët midis Rodinit dhe Claudel mund të konsiderohet si lulëzimi më i lartë në veprën e Rodinit. Pas ndarjes me Claudel, për pjesën tjetër të jetës së tij, Rodin nuk do të prodhonte vepra të barasvlershme me “Pranvera e përjetshme” ose “Puthja”, ndoshta sepse e njëjta ndjenjë e fuqishme dhe e gjallë që Camille mundi t’i jepte, nuk u shfaq më në jetën tij.
Ai jetoi me Claudel dhe të gjallët e këtij jetësimi muze e la të skalitur epshëm në mermer.

SHKARKO APP