Preç Zogaj përballë lexuesit: Poetët janë profetë. Artistë në politikë? Nëse tjetërsohen, thjesht vërtetohet që s’kanë qenë të mirë
Një takim letrar i shënjuar nga oksimoroni, “Dashuria është gjëmë”, vuri Preç Zogajn përballë lexuesit në kuadër të festivalit të organizuar nga Qendra Kombëtare e Librit.
“Se pyesin shpesh, ‘c’është dashuria’, Lasgushi thoshte është gjëmë argjendi”, thotë Zogaj.
Rrëfimi i tij u end mes poezive e prozës, duke risjellë në vëmendje koncepte të Wiltman a Çeslav Milosh, Salvatore Quasimodos, a Borgesit, Fatos Arapit a Migjenit, pa lënë mënjanë konceptet biblike, ndërsa kërkojmë̈ profetin modern.
“Njerëz që ndriçojnë, njerëz që frymëzojnë, njerëz që parashikojnë, njerëz që edhe udhëheqin me mendimin e tyre pa pretendtuar për të qenë udhëheqës. Janë poetët. Poetët kanë qenë dhe janë gjithmonë profetë. Kam folur shpesh për Fatos Arapin, ai është një poet që unë e kam quajtur profet. Librat e Kadaresë, duhet të gjykojmë si për atë kohë. Na kanë prezantuar një Shqipëri plot dritë që ishte Shqipëria paraosmane”, tha Zogaj.
Në më se një orë, ai tregoi kohë e vende, ngjarje e rrethana, shpesh të lidhura me kujtesën e tij. I vetmi çast kur ai pothuaj nuk gjeti fjalë, ishte fati fatal i një gruaje në komunizëm, sjellë te romani “Anjeza, nuk u zgjua”.
“Është si të thuash paratragjedi. Është si me thënë paratragjedi”, mundi të thotë.
I pyetur për artistët në politikë, nëse e përmirësojnë atë, apo humbasin veten, Zogaj u përgjigj: “Artistët, shkrimtarët e iluminojnë politikën. Filozofët gjithashtu. Është dhe e kundërta që politika i tjetërson. Por në rastet kur politika i tjetërson shkrimtarët apo artistët, për mendimin tim thjesht politika vërteton që nuk kanë qenë shkrimtarë dhe artistë të mirë”.
Preç Zogaj është një prej shkrimtarëve e poetëve më në zë të letrave shqipe, para e pas 90-ës.