Prej sot, me kolanën e Kadare të “Onufrit” unë jam më i pasur
Albert Vataj
Vepra e plotë e Kadare, botim i “Onufri” bëhet pjesë e bibliotekës sime, i të drejtës për t’u krenuar, për të zotëruar një vlerë dhe trashëguar një testament.
Pa dashur të justifikohem, librat nuk janë e gjithë jeta ime, dhe jo çdo lumturi erdhi te unë përmes fjalës dhe letrës, por nevoja për të besuar, më ka çuar gjithnjë te i njëjti altar, ku lutjet e mia janë dëgjuar dhe ëndrrat që pata nuk mbeten në sirtar.
Jo domozdoshmërisht duhet të keni një bibliotekë, që ta bëni tuajën këtë monument të kulturës dhe përkatësisë sonë identitare. Mos i’a hiqni të drejtën vetes të keni në vlerat tuaja pasurore, veprën e plotë të Kadare, atë shqiptari të shpirtshme, me të cilën mund të mburreni para miqve, si me diçka të çmuar, ndoshta jo më të kushtueshmën që ju keni, por me më të vlertën.
“Ky opus shtatëvëllimësh është më i ploti i botuar deri më sot dhe e paraqet krijimtarinë e Kadaresë në përmasën integrale të saj, duke mbetur përgjithmonë versioni përfundimtar dhe referencial për të gjitha botimet e mëvonshme në shqip dhe në gjuhët e huaja.”
“Nuk ka fat më të bukur për një botues se të jetë i pranishëm në jetën krijuese të një shkrimtari si Kadareja, i cili i rishikon shkrimet e tij sa herë i jepet mundësia, me synimin e vetëm për t’i përmirësuar artistikisht e, sidomos, gjuhësisht., shkruan Bujar Hudhri një vit më parë ndërsa prezantonte shtatëvëllimshin e veprës së plotë të Kadaresë.
Gjatë tri viteve kur përgatitej kolana prej njëzet vëllimesh, ai lexoi kryekreje çdo libër të tij. Ndërkohë, në studion e tij, në kafenenë e preferuar, ndërsa ndjek nga afër ndryshimet, ndreqjet dhe përmirësimet që autori i shënon me dorën e tij mes rreshtave, në fund të tekstit apo anash faqeve të dorëshkrimeve të veprave të dikurshme, e ndihesh sikur ke qenë i pranishëm në kohën kur ato janë shkruar, para viteve nëntëdhjetë. Një mrekulli krejt tjetër ka qenë procesi i botimit të krijimeve të reja të autorit. Përherë, pasi dilnim nga bar “Juvenilja”, ecnim në natyrë, në Parkun e Madh te kodrat e liqenit, ai niste të tregonte vijimin e subjektit, të cilin ende nuk e kishte hedhur në letër. Si në një ëndërr, sheh si të shkasin nëpër gishtërinj grimca ari, po ashtu e ke të pamundur të fiksosh magjinë e fjalëve kur je ti i vetmi që po i dëgjon. Në ato orë të paharrueshme, sikur të mos ishin të kësaj bote, më pushtonte gjithmonë një ndjesi: sa do të doja t’ia përcillja në çast lexuesit gjithçka dëgjoja dhe përjetoja! Po si mund të arrihej kjo? Vërtet botuesi është një ndërmjetës midis autorit dhe lexuesit, por ai mund të bëhet edhe pengesë mes tyre. Nga përvoja tridhjetëvjeçare me një klasik të gjallë të letërsisë botërore, kam mësuar se si arti i botimit dhe i shtypit të kësaj kolane të bëhej i padukshëm, që lexuesi i tij shqiptar, i tanishëm dhe i ardhshëm, kudo në botë, të dëgjonte përhershëm vetë jehonën e zërit të Kadaresë.