Premiera “Babagjyshi ekziston” sjell festë për fëmijët në teatër
“Babagjyshi ekziston” është premiera më e re për fëmijë që do të ngjitet në Teatrin Kombëtar Eksperimental ”Kujtim Spahivogli” duke filluar nga kjo fundjavë çdo të shtunë dhe të dielë.
Shfaqja trajton temën e mosbesimit të babagjyshit nga të rriturit dhe do të vi nën interpretimin e aktorëve Ledian Gjeçi, Algiona Aga, Dajana Nenaj, Ledio Shehi, Mateo Dervishaj.
Kjo është një shfaqje për fëmijë por që i drejtohet edhe prindërve të cilët pa dashur ia transmetojnë këtë mosbesim fëmijëve të tyre. Subjekti i saj është për festat e fundvitit. Sipas këtij subjekti, babagjyshi për të parën herë këtë vit vjen nga Poli i Veriut përpara se të vijnë elfët e tij.
Ai vjen sepse do ti shohi fëmijët përpara se të flenë për të parë në sytë e tyre lumturinë kur presin dhuratën e tij. Pasi ai vjen në Tokë dëgjon një prind i cili i mbush mendjen fëmijës së tij se babagjyshi nuk ekziston. I fyer nga kjo gjë ai vendos që këtë vit mos të shpërndaj dhurata. Pasi elfët e marrin vesh këtë gjë, ata bëjnë ç’është e mundur që t’i bindin prindërit për ekzistencën e babagjyshit dhe t’i kthejnë fëmijëve besimin të cilët po e humbnin pak e nga pak. Pasi e bindin prindin, ky i fundit kthehet në një elf dhe bashkë me elfët e tjerë i rikthen besimin fëmijëve.
Në këtë shfaqje, aktorët jo vetëm aktrojnë por ata kërcejnë dhe gjithashtu këndojnë duke e bërë këtë shfaqje me akoma më shumë atmosferë festash. Mesazhi i kësaj shfaqje është për të gjithë grupmoshat që ata mos t’i shuajnë fëmijëve imagjinatën, ëndrrat dhe shpresat e tyre të cilat ia bëjnë fëmijërinë më të bukur.
Gjithashtu kjo shfaqje kërkon që edhe tek të rriturit të zgjojnë besimet që ata kanë pasur në fëmijërinë e tyre.
Shfaqja “Babagjyshi ekziston” do të vijë çdo fundjavë për publikun e vogël në orën 10:30 në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”. /a.a/j.p/