Presidenti i Kosovës: Të drejtat gjuhësore ruajnë identitetet kulturore
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka hapur konferencën e pestë vjetore të Asociacionit Ndërkombëtar të Komisionerëve për Gjuhët. Thaçi ka falënderuar të gjithë pjesëmarrësit vendorë e ndërkombëtarë për kontributin e dhënë në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave gjuhësore, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.
“Kosova e konsideron shumëllojshmërinë e saj etnike, gjuhësore dhe fetare si një burim force dhe pasurie për zhvillimin e mëtejshëm të një shoqërie demokratike që bazohet në sundimin e ligjit. Qytetarët e Kosovës kanë të drejtë që lirisht të kultivojnë, shprehin dhe zhvillojnë kulturën dhe identitetin e tyre dhe të ruajnë e përmirësojnë elementet esenciale të identitetit të tyre, veçanërisht fenë, gjuhën, traditat dhe trashëgiminë kulturore. Të drejtat gjuhësore janë të rëndësishme për një shoqëri demokratike”, u shpreh Thaçi, duke shtuar se ato janë element përbërës i ruajtjes së identitetit kulturor, si dhe parandalimit të margjinalizimit dhe diskriminimit. Kreu i shtetit të Kosovës ka thënë se arsimi në gjuhët e komuniteteve joshumicë, përdorimi i tyre në media, administratë publike dhe gjyqësor është jetik për një vend demokratik. “Kosova ka krijuar kushtet e duhura për t’ju mundësuar të gjithë qytetarëve që lirshëm të kultivojnë, shprehin dhe zhvillojnë identitetet e tyre gjuhësore, duke ua garantuar këto të drejta përmes Kushtetutës dhe Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve”, ka thënë ai.
Ai ka shtuar se si një shtet i ri, Kosova ka legjislacionin më të avancuar gjuhësor në Ballkan dhe ka uruar që të jetë model edhe për shtetet e tjera fqinje. “Pa asnjë dyshim, shteti ynë është shembull i mirë i paqes dhe pajtimit, shembull i dialogut dhe ndërtimit të marrëdhënieve të mira ndëretnike. Për një shtet të ri, këto të arritura për një kohë kaq të shkurtër janë inkurajuese”, ka deklaruar ai. Por, përkundër kësaj, Thaçi ka thënë se duhet të punojmë me të njëjtin përkushtim dhe profesionalizëm, në mënyrë që të sigurojmë nivel sa më të lartë të zbatueshmërisë së të drejtave gjuhësore dhe të drejtave të njeriut në përgjithësi. Ai ka shprehur bindjen se kjo konferencë do të ndihmojë në tejkalimin e sfidave për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave gjuhësore si në Kosovë, ashtu edhe në vendet tjera me karakter shumë gjuhësor.