Prezantohet “Kosova në udhëkryqet ballkanike”
Jak Rrozhani –
Në librin “Kosova në udhëkryqet ballkanike”, të autorit të njohur kosovar, Shaban Arifaj, flitet për rrjedhën e ngjarjeve aktuale në Kosovë para dhe pas pavarësisë së saj, ndikimin e politikave dhe strukturave të fuqishme ndërkombëtare në daljen nga labirinti i gjatë historik i Kosovës së pasluftës ,me tërë atë bagazh ngjarjesh , herë të hidhura e shpresëdhënëse , për një perspektivë më të ndritur të Kosovës, në rrugën e saj të gjatë dhe me plot sakrifica për të arritur pavarësinë e saj. Në brendësi të këtij libri të arrirrë , janë përfshirë intervista e biseda të ndryshme me personalitete ndërkombëtare e vendore, ku të gjitha personalitetet e intervistuara, e kanë nga një veçanti të theksuar, që lidhet me kohën kur janë intervistuar. Gjithashtu ,në këtë libër ,përfshihen edhe intervistat e bisedat e autorit të këtij libri, Shaban Arifaj, të bëra nga gazetarët e mediave ndërkombëtare e vendore , si dhe analiza ,ese e shkrime të tjera të autorit , të botuara në gazeta e revista brenda e jashtë vendit.Përsa u përket personaliteteve vendore, është i padiskutueshëm angazhimi permanent dhe gjithëpërfshirës i tyre për pavarësinë e Kosovës . Personalitete të cilat flasin në këtë libë, ( disa i përkasin vendeve të huaja ,por vendeve mike) e që e kanë mbështetur fuqishëm rrugën e pavarësisë së Kosovës . -Në intervistat, bisedat dhe paraqitjet e mia për mediat ndërkombëtare dhe vendore ,shkruan autori Shaban Arifaj, kam folur , jo vetëm për çështjen e zgjidhjes së statusit të Kosovës dhe ndikimit të faktorit ndërkombëtar në këtë plan, por edhe për angazhimet e tjera në profesionin e gazetarit dhe të redaktorit, ngritjen e profesionit të gazetarit dhe avancimin e tij në shoqërinë kosovare të pasluftës , për paanshmërinë e këtij profesioni dhe shkallën e duhur të profesionalizmit për ta ushtruar një profesion , sa atraktiv, aq edhe me peshë dhe përgjegjësi të padiskutushme. Edhe disa nga shkrimet e botuara, kanë të bëjnë me studimet, analizat, esetë dhe paraqitjet e tjera autoriale në revista brenda e jashtë vendit, me tema për aktualitetin kosovar, por dhe atë ndërkombëtar.