“Prijësi i palavdishëm” i Enton Bidos, kundërvënia artistike që nxit kuriozitetin e lexuesit

Jeta dhe historia e mbretit të vetëshpallur të Shqipërisë, Ahmet Zogu ngërthen lexuesin në romanin më të ri të autorit Enton Bido, i cili ndërthur me mjeshtëri elementë artistikë, që e largojnë disi personazhin nga paraqitja biografike e tij.

“Prijësi i palavdishëm” është titulli që autori i ka vendosur veprës së tij, i cili që në fillim të befason me kundërvënien edhe prijës edhe i palavdishëm. Gjithashtu dhe kopertina e librit në ngjyrë bardh e zi dhe figura kryesore e mbuluar me një re të dendur përçon tek lexuesi kuriozitetin dhe enigmën që përmban ky libër, raporton ATSH.

Në promovimin e këtij libri organizuar në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar, mernin pjesë kritikë të artit dhe figura të njohura në letërsi si Prof. Ass. Dr. Kristaq Jorgo, Dr. Ardian Doka, gazetarja Alda Bardhyli, studiuesi Behar Gjoka të cilët vlerësuan autorin për ruajtjen intuitive të raporteve të drejta të asaj që i përket kronikës, historisë apo fantazisë së tij. Vepra është një roman i llojit të shkurtër e cila ngërthen brenda saj disa ngjarje njëherësh, të cilat kanë të bëjnë drejtëpërdrejtë me personazhin kryesor si: dasma, atentati i mbretit, revoltat në vend dhe dënimi i tyre. Koha në roman përfshin 10 ditëshin para pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste.

Romani, ka brenda tij 14 personazhe, disa realë e disa të trilluar, imagjinuar. Ajo që vihet re që në fillim, është tipizimi i tyre përmes gjuhës. Mjaftojnë disa batuta të shkurtra për të krijuar një imazh të saktë për vendin, situatën dhe personazhin.

Në veprën e tij, autori ka vendosur të trajtojë një periudhë historike dhe një figurë të saj, që ka lënë vend për diskutime, të nisura nga këndvështrime të ndryshme. Në paraqitjen e mbretit, autori i është përmbajtur fakteve historike, por vende-vende bën ndryshime duke ndërthur elementë artistikë.

Enton Bido, gjithmonë ka dëshmuar origjinalitet në stilin e të shkruarit, por me, “ Prijësin e palavdishëm” ai vjen tepër origjinal edhe në konceptim. Bido nuk ndjek askënd, përveç muzës së tij. Romani është për t’u lexuar me laps dhe letër për nga intensiteti i mendimit. Kjo cilësi e tij, është e njohur edhe në gjinitë tjera që ai shkruan. Në një prononcim për ATSH-ën, shkrimtari Enton Bido tha se romani përmban disa kapituj ku figura kryesore është ajo e prijësit që shpjegohet që nga ballina dhe gjashtë vëllimet e narrativës të shpjegohet pse është i palavdishëm.

“Ajo që përmban libri janë disa ngjarje reale të gjitha të letrarizuar dhe ajo që u bë si sygjerim gjatë tryezës së diskutimit është të largohemi nga historia ,ku një nga boshtet mund të jetë një kryengritje ndaj prijësit ndërsa një bosht i fshehur, mund të jetë përpjekja e prijësit për të dhënë sa më shumë për vendin e tij. Por që nga ana tjetër vizioni i gabuar dhe kohërat e pa lexuara mirë prej tyre apo prej mbështetësve, bëjnë që perandoritë të bien siç ka ndodhur dhe në vende të tjera”, u shpreh autori Bido.

SHKARKO APP