Problematika diplomatike e Kosovës në koherencë me realitetin objektiv
Nga Halil RAMA
Gjashtëdhjetë e katër artikuj, analiza të mirëfillta diplomatike të kalvarit që përjetoi dhe po përjeton Kosova, nga prag Rambujeja e fillimvitit 1999, te pavarësimi e ecejaket për të formuar shtetin e ri, e deri te dritëhijet e projektit makabër të korrigjimit apo ristrukturimit të kufijve, apo shkëmbimit të territoreve përbëjnë lëndën e librit të ri të diplomatit të mirënjohur Shaban Murati, “Kalvari diplomatik i shtetit të Kosovës”. Në këtë libër që u prezantua para disa ditësh për qindra diplomatë, analistë e gazetarë nga Shqipëria, Kosova, rajoni e bota gjejmë analiza të mirargumentuara të ngjarjeve e zhvillimeve në harkun kohor të dy dekadave të fundit. Ato hedhin dritë mbi politikën dhe diplomacinë e kulisave dhe për provokimet e synimet e mbrapshta të qarqeve shoviniste serbe, të segmenteve e individëve për të penguar shpalljen e pavarësisë dhe formimin e konsolidimin e shtetit të ri të Kosovës.
Diplomati i karrierës, eksperti i Kosovës, Ballkanit dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, Shaban Murati sjell kështu për publikun e gjerë një antologji të analizave sistematike për problematikën diplomatike të shtetit të Kosovës, që nga krijimi i tij, deri në ditët e sotme. Kontributi i diplomatit të mirënjohur konsiston kështu para së gjithash në dhënien e përgjigjeve për pikëpyetjet dhe për zhvillimet e sotme rreth Kosovës. Dhe këtë e bën nëpërmjet sistematizimit të çështjeve, konsekuencës dhe dinamikës e ndjekjes së tyre në zhvillim e sipër, çka e bëjnë librin aktual dhe të mirëpritur nga lexuesi.
Si askush tjetër, diplomati Murati ka kurajën që t’i kundërvihet edhe qëndrimit të hershëm të Akademisë së Shkencave për një të ashtuquajtur “platformë për zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare”, që sipas tij nuk ishte as shkencore dhe as patriotike (24.11.1998). Ndër argumentet bindëse që sjell autori është qëndrimi i atëhershëm i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë për të rikthyer mbrapsht historinë e Kosovës, duke e detyruar popullin shqiptar të pranojë statusin, që i dha atij Beogradi në 1974. Është vërtetë absurd ky qëndrim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë që konsistonte në minimizimin e kërkesave të kosovarëve vetëm tek “elementi konstituiv”.
Por, duke ndjekur kronologjinë e ngjarjeve, autori natyrshëm rendit mesazhin historik të SHBA për Kosovën në prag të Rambujesë. Në këtë këndvështrim, ai sjell në vëmendjen e opinionit publik deklaratën e ish- Sekretares amerikane të Shtetit, Medlin Ollbrajt në Uashington, vetëm një ditë para Konferencës Ndërkombëtare për Kosovën që u mbajt me nismën e Grupit të Kontaktit më 6 shkurt 1999 në Rambuje të Francës. Në mbështetje të dëshirës së shqiptarëve të Kosovës për pavarësi, shefja e diplomacisë amerikane deklaroi se, “ne nuk u kërkojmë atyre njerëzve të heqin dorë nga ëndrrat e tyre”.
Pikërisht, duke u mbështetur tek ky qëndrim konstant i diplomacisë amerikane, si dhe në Rezolutën 1244 të KS të OKB për Kosovën, diplomati shqiptar Sh.Murati konkludon se “Statusi aktual që gëzon Kosova, pikërisht në kuadër të rezolutës së mësipërme, mbi bazën e së cilës ajo ka të sanksionuar kujdestarinë ndërkombëtare, e mbështet dhe i jep plotfuqishmëri legale të drejtës, që ajo të kërkojë pjesën e saj të pasurisë që i takon dhe që të jetë e pranishme në tryezat e ndarjes së pasurive midis njësive federale të ish-RSJ-së”. (17.12.2000). Mjafton të konsiderojmë kohën kur është bërë, për t’u bindur në vërtetësinë e analizës së mirëfilltë diplomatike të ambasadorit Murati, i cili që para 18 vitesh ishte i qartë për kalvarin që do të kalonin bisedimet midis Prishtinës e Beogradit, qoftë edhe në këndvështrimin e ndarjes së pasurive. Po në këtë këndvështrim e ka parë autori të drejtën që kishte dhe ka Kosova të kërkojë reparacionet (Libri “Serbia kundër Serbisë. Analizë e një gjysmërevolucioni të lënë përgjysëm”, fq.77-81).
Në librin e ri “Kalvari diplomatik i shtetit të Kosovës”, një vend të rëndësishëm zë qëndrimi i autorit ndaj serbizimit të diplomacisë të disa shteteve (si Spanja) për t’u shkëputur nga gjithë shtetet e G-7 dhe nga shtetet e mëdha të NATO-s, të cilat kanë njohur shtetin e Kosovës (16.06.2008). Duke ndjekur këtë linjë, jo më kot autori evidenton dhe habinë e madhe që përfshiu qarqet diplomatike dhe mediatike ndërkombëtare nga inati “sui generis” i Serbisë me dy shtetet fqinjë, Malin e Zi dhe Maqedoninë, me rastin e njohjes së Kosovës nga ana e tyre, qëndrim intaçor ky që Beogradi nuk e ka mbajtur ndaj 115 shteteve tjera që kanë njohur shtetin e Kosovës.
Në koherencë me qëndrimet e sotme kur nga qarqe të caktuara proserbe është hedhur në treg ideja e mbrapshtë e ndryshimit të kufijve dhe e shkëmbimit të territoreve, ambasadori, publicisti dhe diplomati, profesor dhe “Mjeshtër i Madh në Diplomaci”, Shaban Murati, konkludon se “rendi i prioriteteve diplomatike dhe strategjike të Kosovës është i thjeshtë: Njohja e shtetit të Kosovës nga Serbia. Ky është prioriteti i prioriteteve!”. (13.08.2018).
Duke përveçuar çështjet më të mprehta, me të cilat është përballur diplomacia dhe shteti i Kosovës në dhjetëvjetëshin e parë të jetës së tij, analiza e autorit përqendrohet në frontin e vështirë diplomatik të përballimit me diplomacinë e Serbisë në rajon dhe në arenën ndërkombëtare, si dhe në përballjet me barrierat e pafund antikosovare të diplomacisë ruse. Po ashtu, në këtë libër zënë vend të veçantë analizat e mirëfillta diplomatike pas ballafaqimeve me segmente të diplomacisë europiane, e cila jo gjithmonë ka ruajtur koherencën e saj për Kosovën dhe për Ballkanin. Libri “Kalvari diplomatik i shtetit të Kosovës” trajton gjithashtu edhe disa marrëdhënie dhe probleme diplomatike midis Shqipërisë dhe Kosovës. Por gjithsesi, nga diplomati i mirënjohur Sh.Murati, një trajtim të thelluar marrin temat e mekanizmave dhe intrigave diplomatike të Serbisë dhe aleatëve të saj kundër pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit të Kosovës.
Duke vijuar me titujt e analizave të tjera që përfshihen në këtë libër, është fare e lehtë të arrish në përfundimin se sa i vëmendshëm ka qenë ambasadori Murati në ndjekjen e zhvillimeve të përditshme, të përjavshme e të përmuajshme të këtyre 20 viteve të fundit në shtetin e ri të Kosovës.
Për këtë, vëmendje edhe për analizat e spikatura të ambasadorit Murati pas çdo qëndrimi regresist të diplomacisë serbe e të qarqeve të caktuara ndërkombëtare që kanë synuar dhe synojnë të minojnë progresin e shtetit të ri të Kosovës, janë shprehur figura të shquara nga fusha politike dhe akademike si zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj; ambasadori Maxhun Peka, kryetari i Fondacionit “Alsar” Mehdi Gurra; analisti Aleksandër Çipa dhe profesor Ylber Sela. E përbashkëta në vlerësimet e tyre është vështrimi me anë të një pene mjaft diplomatike i ambasadorit Murati në këtë kalvar diplomatik, që ka kaluar dhe po kalon Kosova.
Si njohësi më i mirë i Kosovës dhe raporteve të saj me rajonin, Shaban Murati sjell në këtë libër të një rëndësie të veçantë, jo një temë, por disa tema të veçanta, të cilat i trajton në mënyrën më të mirë të mundshme.