Prof. Pajtim Bejtja, emblemë e arsimit profesional

Prof.Dr. Dëfrim Shkupi – Më ka bërë përshtypje, gjatë vizitave shkencore në Gjermani, në Institutin e Gjeoshkencave  të Hanoverit, që punonjësit shkencorë me të mbushur moshën 65 vjeç dilnin në pension, por nuk shkëputeshin nga Instituti. Sicili zgjidhte një ditë në javë, për të ardhur në Institut, takohej me kolegët e tij dhe largohej nga instituti pasi drekonte në mensën e institucionit. Përveç kësaj ata ftoheshin në të gjitha veprimtaritë shkencore dhe sidomos në ekskursionet e ndryshme. Miku im Prof.Michael Langer (shkencëtar i studimit të Landfilleve të Mbetjeve Urbane dhe Toksike), vinte dy herë në javë: të martën dhe të premten. E marta ishte ditë e tij, ndërsa të Premten në mensë servirej peshk, gjë që i pëlqente Michaelit.

Ndërsa në Shqipëri nxjerrja në pension krahasohet me “Fshirjen nga Lista” dhe asnjë nuk do t’ia dijë më për ty. Shkatërrimi i instituteve solli një krizë të madhe të punimeve shkencore. Grupimi i tyre në disa qendra shkencore reduktoi ndjeshëm ecurinë e punimeve shkencore. Akademia e Shkencave u atrofizua së bashku me institutet që vareshin prej saj. Shkencëtarët e pensionuar enden rrugëve apo takohen grupe-grupe në bare të ndryshme, diskutojnë pafundësisht për shumë problematika shkencore, po fjalët e tyre i merr era dhe bota vazhdon të rrotullohet. Sot do të shkruaj për mikun tim të vjetër Prof. Pajtim Bejtjen.

Mëngjeseve Pajtimi del i shoqëruar nga zonja e Tij Lindita, pinjolle e familjes se vjetër tiranase Shehri. Ata ulen në një nga baret e lagjes ku jetojnë dhe marrin kafen në shoqëri të miqve apo kolegëve, banues në Tiranë apo të ardhur nga jashtë vendit, të cilët nuk harrojnë kurrë mikun e tyre Pajtimin.

Pajtimin e kam njohur në vitin 1962. Kisha praktikën e diplomës për inxhinier gjeolog dhe udhëheqësi im ishte Viktor Noçka, me të cilin u bëmë shpejt miq të mirë. Me këtë rast të gjithë miqtë e Viktorit u bënë miqtë e mi. Pajtim Bejtja, Virgjil Buda, Hektor Zoto, Aristidh Vuçani(Tili), Egon Gjadri, Bujar Basha, Eqerem Karaj, Avni Domi, Robert Cipo(Bobi), Vangjel Mati, Maksim Uçi. Viktori e kishte kthyer shtëpinë e tij në një shtëpi pritje për të gjithë miqtë e tij. Kishim krijuar një kënd europian të tipit “Shandor Petëf Club”, në zallamahinë e regjimit diktatorial. E paharrueshme është nëna e Viktorit, Zonja Natali, që na shërbente si një nënë e dytë. Ishim të gjithë të dhënë shumë pas punës dhe shpesh diskutonim per arritjet, pengesat që hasnim duke mbështetur njeri-tjetrin.

Pajtimi ka lindur në Tiranë më 20 Mars 1936. I ati i tij Ali Bejtja, kishte mbaruar shkollën për gjeometër në Itali. Ai ka marrë pjesë në të gjitha veprat e kohës së fillimit të regjimit komunist. Për një periudhë, babai i Pajtimit ka dhënë lëndën e Gjeodezisë në Politeknikumin “7 Nëntori”. Kolegu dhe miku im Prof. Fotaq Diamanti e përshkruan me superlativa mësimdhënien e Z.Ali Bejtja. Pra, Pajtimi e ka patur brenda vetes genin e mësuesisë. Një ndihmë të vlefshme në formimin intelektual të Pajtimit ka dhënë tezja e tij, “Mësuesja e Popullit”, Fatbardha Gega. Pajtimi ka kryer arsimin e mesëm të përgjithshëm në gjimnazin “Qemal Stafa“ të Tiranës (1953) dhe është diplomuar në Fakultetin e Gjeologjisë e të Minierave të Universitetit të Tiranës (1958). Pas mbarimit të studimeve ka punuar për tre muaj si inxhinier gjeolog në ndërmarrjen e shpim-kërkimit të naftës në Patos. Veprimtaria e tij e mëtejshme gati 42 vjeçare, deri në daljen në pension (tetor 1958- prill 2000), është zhvilluar në fushën e arsimit dhe i është kushtuar kryesisht arsimit të mesëm profesional. Ka punuar si mësues specialist i lëndëve gjeologjike (me kohë të plotë dhe të pjesshme) në shkollën e mesme të naftës në Kuçovë, në Politeknikumin “7 Nëntori“, në shkollën e mesme  të gjeologjisë e minierave në Përrenjas etj,; si redaktor në Drejtorinë e Botimeve Shkollore; si metodist në Institutin e Studimeve dhe Botimeve Shkollore; si përgjegjësi i parë i redaksisë së arsimit profesional në Drejtorinë e Studimeve dhe Botimeve Shkollore dhe në Shtëpinë Botuese të Librit Shkollor; si punonjësi i parë shkencor për arsimin profesional dhe si përgjegjësi i parë i sektorit (më pas departamentit) të arsimit profesional në Institutin e Studimeve Pedagogjike (27 vjet). Nën drejtimin e tij (si përgjegjës redaksie), në vitet 1970-71 shkollat profesionale u pajisën për herë të parë plotësisht me tekstet e reja të nevojshme (400), të hartuara nga autorë shqiptarë, në përputhje me kushtet e vendit dhe sipas kritereve didaktike bashkëkohore. Ka drejtuar hartimin e përmirësimin e herëpashershëm të programeve të lëndëve dhe të praktikave profesionale, duke qenë  edhe autor e bashkautor i shumë programeve dhe i teksteve përkatëse. Ndër to veçohen: Gjeologjia e përgjithshme, Gjeologjia e përgjithshme dhe e naftës, Mineralogjia dhe Petrografia, Bazat e Gjeologjisë. Ka punuar (25 vjet) edhe si pedagog i jashtëm në Universitetin e Tiranës (1 vit në Fakultetin e gjeografisë dhe kryesisht në atë të gjeologjisë dhe të minierave) dhe është bashkautor i programeve dhe i teksteve të lëndës Gjeologjia e përgjithshme. Ka drejtuar (1996-2000) futjen për herë të parë në shkollën e mesme të përgjithshme shqiptare të lëndës “Teknologjia” dhe është bashkautor i programit dhe i tekstit të kësaj lënde.

Veprimtaria e tij studimore u është kushtuar kryesisht problemeve të përgjithshme didaktike të arsimit profesional, të përmbajtjes e të teknologjive të të mësuarit, të lidhjes midis përgatitjes teorike e praktike në shkollat profesionale dhe të integrimit të mësimit me punën etj. Gjatë periudhës së tranzicionit (1990-2000) ka dhënë kontribut në reformimin e arsimit e të formimit profesional, duke u angazhuar në sqarimin dhe zbërthimin e koncepteve bazë të tyre, në trajtimin e problemeve të politikave arsimore, në përvijimin e drejtimeve kryesore të reformimit dhe në projekte për futjen e risive (si për pilotimin e sistemit modular në shkollat bujqësore, për hapjen e degëve të reja, për  decentralizimin e procesit të hartimit të kurrikulës në arsimin profesional etj.). Rezultatet e veprimtarisë studimore i ka pasqyruar në botimet, në seminaret kualifikuese dhe në kumtesat e mbajtura në veprimtari shkencore kombëtare si dhe  ndërkombëtare. Pas daljes në pension është aktivizuar si lektor në seminaret me mësues specialistë të shkollave të mesme profesionale dhe të lëndës “Teknologjia“ për shkollën e mesme të përgjithshme, si dhe me anëtarë të komisioneve të vlerësimit të teksteve dhe sidomos në fushën e botimeve, si autor dhe redaktor. Gjithashtu, ka bashkëpunuar me projektin CARDS për arsimin profesional, me projektin Soros (OSFA), me PNUD-in e Aleancën Gjinore, si dhe ka marrë pjesë në aktivitete të organizuara për problemet e arsimit profesional(nga Ministria e Arsimit, Ministria e Punës dhe organizma ndërkombëtarë).

Në kohë të ndryshme ka qenë anëtar i Këshillit shkencor të ISP-së, anëtar i bordit drejtues të Observatorit për arsimin dhe formimin profesional dhe përfaqësues i Shqipërisë në Projektin Ndërkombëtar UNEVOC e në Klubin e Evropës Qendrore e Lindore për Arsimin Profesional. Ka qenë anëtar i bordit të miratimit të teksteve për arsimin parauniversitar (206, 207, 208).

Veprimtaria botuese kryesore e tij (si bashkautor dhe kryesisht si autor), e përqendruar në fushën e arsimit dhe të formimit profesional, përfaqësohet nga 19 tekste shkollore (2 për shkollën e lartë), 4 libra (1 i pa botuar), 1 fjalor (fjalori i parë për arsimin dhe formimin profesional nga autorë shqiptarë), 22 artikuj në Revistën Pedagogjike, 15 artikuj në buletinin “Arsimi dhe formimi profesional“, 22 artikuj në buletine, broshura e revista të tjera, 42 artikuj në gazetën dhe revistën “Mësuesi”, 25 artikuj në gazeta të tjera, 10 artikuj jashtë shtetit (4 artikuj në gazetën “Shkëndija“ të Prishtinës, 2 artikuj në revistën “Mësuesi i Kosovës”, 2 artikuj në anglisht dhe rusisht në botimet e Klubit të Evropës Qendrore e Lindore për Arsimin Profesional, 2 artikuj në gazeta te ndryshme) dhe 1 artikull ne internet (Të nxënët në shoqërinë e sotme). Në disa artikuj të tij trajtohen edhe çështje të drejtshkrimit të gjuhës shqipe, si dhe çështje të dimensionit gjinor në tekstet shkollore. Ka shkruar edhe disa zëra të Fjalorit Enciklopedik Shqiptar, si dhe ka botuar disa skica letrare e disa komente për vepra të ndryshme letrare. Është redaktor shkencor dhe letrar i dhjetëra teksteve dhe botimeve të tjera në fushën e arsimit (kryesisht të atij profesional) dhe më gjerë.

Pajtim Bejtja është vlerësuar vazhdimisht për punën dhe kontributin e tij. Ai është dekoruar me urdhrat “Naim Frashëri” të kl. III, II (1970,1987), me medaljen “Mirënjohje” nga Bashkia e Tiranës (2005), “Certifikatë Mirënjohje” nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe e Rinisë(2014). Në vitin 1994 ka marrë titullin Drejtues Kërkimesh (Profesor). Pajtimi i kushtoi rëndësi të madhe nivelit të shkollimit të të rinjve , duke theksuar se kjo gjë u intereson jo vetëm individëve po dhe shoqërisë në tërësi. Ai thekson se arsimi nuk është qëllim në vetvete, po një mjet i rëndësishëm që i armatos për të kryer në mënyrë cilësore  detyrat që lidhen me ekzistencën dhe përparimin e shoqërisë. Së dyti, çdo shoqëri sado e zhvilluar të jetë nuk mund t’i plotësojë në maksimum dëshirat e të gjithë të rinjve.

Së treti, dëshira për të marrë arsim të lartë që vërehet te shumë të rinj, në shumë raste nuk u përgjigjet aftësive të duhura për të përballuar me sukses këtë nivel arsimi. Natyrisht, çdo i ri ose e re ka të drejtë të synojë për arsim të lartë të çdo fushe dhe mund të mos i marrë parasysh këshillat dhe të provojë t’i masë forcat e veta, por dështimi do të thotë humbje mundi, kohe e parash, madje dhe zhgënjim me pasoja shëndetësore. Së katërti, një politikë arsimore e bazuar vetëm në kërkesat e të rinjve dhe të prindërve të tyre për arsim të lartë, pa marrë parasysh nevojat e shoqërisë ,përkatësisht kërkesat e tregut të punës, shpie në superprodhim specialistësh të lartë për fusha të ndryshme në vend. Duke u nisur nga nevojat e shoqërisë ,shteti duhet t’i kushtojë kujdes arsimit dhe formimit profesional të të gjitha niveleve ,duke vendosur një raport të drejtë ndërmjet tyre dhe jo te rendë pas një niveli shkollimi (ose formimi), cilidoqoftë ai.

Politika që ndjek shteti në lidhje me arsimin universitar, Prof. Pajtim Bejtja mendon se duhet të jetë e pandarë nga politikat arsimore, që ndjek ai në përgjithësi, duke marrë parasysh edhe nevojat konkrete e perspektive të shoqërisë. Synimi që të gjithë të mbarojnë arsim të lartë universitar, ngjan me synimin për të krijuar një ushtri të përbërë vetëm nga gjeneralë, pa oficerë të rangjeve të ulëta dhe pa ushtarë (?), gjë që të kujton sentencën: Unë zot, ti zot, po dhentë kush i kullot?

Ne përfundim të këtij shkrimi dua të theksoj se njerëz me vlera të mëdha shkencore dhe njerëzore ka në të gjitha specialitetet. Ato duhen rivlerësuar dhe afruar pasi janë arkiva ambulante dijesh dhe përvojash. Më bën përshtypje se në bordet drejtuese të shumë institucioneve preferohen pushtetarë, apo Herifa të pangopur, bile njëri është deklaruar se merr pjesë në 11 borde (11 rroga), kurse shumë të tjerë e kanë normale të jenë në dy-tre borde. Është detyrë e Ekzekutivit që të ujdisë këtë mynxyrë.

***

Copëza jete/Si u bëra mësues

Nga Pajtim Bejtja

Pajtim Bejtja

Kur mbarova gjimnazin, megjithëse kisha qenë nxënës shumë i mirë në matematikë dhe gjuhë, nuk kërkova të vazhdoja studimet në këto fusha, ngaqë s’doja të bëhesha mësues. Kush rri e thotë po ato gjëra 2-3 herë në ditë, – thosha me vete, duke pasur parasysh klasat paralele. Kështu, kërkova dhe më doli e drejta e studimit për inxhinieri mekanike. Atë vit, më 1953, në Institutin e Lartë Politeknik kishte një kurs mekanik dhe një kurs ndërtim, por në vitin e dytë na ndanë: mekanikët në mekanik dhe elektrik, kurse ata të ndërtimit në ndërtim dhe gjeologji. Unë me shokun tim të ngushtë, L. Ç., kaluam në degën elektrike me dëshirë. Pas disa ditësh më thirrën në dekanat dhe më njoftuan se më kishin kaluar në degën gjeologji dhe se duhej të jepja provim lëndën e gjeodezisë, që ata të ndërtimit e kishin bërë vitin e parë. Më thanë qe do ta kisha të lehtë, ngaqë do të më ndihmonte im atë, i cili kishte qenë pedagog i jashtëm i kësaj lënde në Institutin e Lartë Bujqësor dhe në atë Politeknik. Unë kundërshtova, duke thënë se nuk më pëlqente gjeologjia, por dekanati ishte i palëkundur në vendimin e vet, prandaj unë nuk i ndoqa më mësimet dhe u mundova ta rregulloj çështjen në Ministrinë e Arsimit. Kërkova të takohem me drejtorin e arsimit të lartë, H. B., por sekretarja e tij, së cilës i kisha paraqitur problemin dhe nga e cila prisja të më caktonte një takim me drejtorin, erdhi dhe më tha që me mua kërkon të flasë ministri. Kur i thashë që unë s’kam kërkuar të flas me ministrin, ajo m’u përgjigj se kërkon ministri të flasë me ty. Kur hyra në zyrën e ministrit, ai më dha dorën dhe më pyeti: ”- hë more djalë, si është puna?“ Pasi unë i bëra parashtrimin tim, ai më foli për perspektivat e gjeologjisë në vendin tonë dhe më kërkoi t’i jepja fjalën se do të vazhdoja studimet për inxhinier gjeolog. Ndërsa ai më fliste, unë mendoja prindërit e mi, të cilëve iu ishte prishur gjumi ngaqë unë kisha lënë shkollën, prandaj i dhashë fjalën se do të vazhdoja studimet, të cilat i fillova që të nesërmen.

Pasi mbarova studimet dhe mora diplomën si inxhinier gjeolog, më 1958, po prisja, si edhe shokët e mi, që të më dilte emërimi. Një ditë, im atë që punonte në Ministrinë e Ndërtimit, u kthye i gëzuar, ngaqë e kishte marrë në telefon Leni P., zv. ministre e Ministrisë së Gjeologjisë dhe e Minierave, e cila i kishte njoftuar emërimin tim në Patos dhe i kishte folur për kushtet e mira të jetesës që ekzistonin atje. Ai e kishte njohur Lenin që kur kishte qenë kryetar i zyrës së punëve botore të Korçës dhe banonte me qira në shtëpinë e prindërve të saj. Atëkohë, më 1937, unë isha motak dhe Leni, vajzë rreth 13-14 vjeçare, kishte dëshirë të më mbante ndër duar. Kur im atë më njoftoi për bisedën me të, u befasova dhe u mërzita shumë, që prapësitë s’po më ndaheshin edhe pas mbarimit të fakultetit. Iu sula tim ati, sikur ta kishte ai fajin: – Pse u gëzove, nuk e di ti që unë kam mbaruar për minerale të ngurta? Me dy fletore shënime që kam unë për gjeologjinë e naftës mund të gabosh kur të duash dhe ta pësosh keq, se mund të ta quajnë edhe sabotim. –E po, shko takoje vetë Lenin dhe bisedo me të, – m’u përgjigj im atë, i tronditur. Të nesërmen që në mëngjes shkova te Ministria dhe pyeta nëpunësin e shërbimit. – Tani do të vijë, prite, – m’u përgjigj ai. – Të lutem ma trego, kur të vijë, se nuk e njoh, – i thashë unë. Kur Leni po ngjiste shkallët e Ministrisë, i dola përpara dhe i thashë që jam Pajtimi. Ajo buzëqeshi, më hodhi dorën mbi supe dhe më ftoi në zyrën e saj. Kur hymë në zyrë, i tregova ç’më kishte ndodhur me ndërrimin e degëve në Institut dhe që e njëjta gjë po më ndodhte prapë. I thashë që nuk kam asnjë pretendim, vetëm që të jem brenda degës për të cilën kam studiuar. E si mund të punoj unë në ndërmarrjen e shpim-kërkimit për naftë, – i thashë, kur ne kemi bërë vetëm pak gjeologji nafte dhe s’kemi marrë aspak njohuri për shpimet e thella që përdoren në naftë dhe për detyrat e gjeologut në puset e naftës? Ajo u mundua të më mbushë mendjen se nuk ka shumë rëndësi për çfarë ke studiuar, mjafton të kesh mbaruar një shkollë të lartë. Natyrisht ajo kishte parasysh punën në administratë. – Kur është kështu, – iu përgjigja, duke humbur durimin, – pse s’më caktoni pedagog marksizmi, se për këtë kemi studiuar tre vjet. Ajo, duke parë se s’po më bindte dot, më në fund më tha: – E po, unë u mora vesh me Aliun! Dhe unë, pa u menduar gjatë, iu përgjigja: – Meqë u more vesh me Aliun, merre atë dhe çoje në naftë! Dola nga zyra e saj pa e përshëndetur, zbrita me shpejtësi shkallët e Ministrisë dhe mora për nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, duke menduar se ç’mund të bëja më tej. Kur kalova para Komitetit Qendror, u kujtova që kuadri i lartë varej drejtpërdrejt prej tij dhe vendosa të hyja brenda e të kërkoja një takim. Nëpunësit të shërbimit i tregova shkurtimisht problemin tim, ai bisedoi me dikë në telefon dhe më la takim në një orë të caktuar me një inspektor që quhej Ender N. Ky ishte një burrë i gjatë simpatik, shumë i sjellshëm, që më priti mirë dhe më dëgjoi me shumë vëmendje. Unë i parashtrova problemin tim dhe i tregova përpjekjet që kisha bërë. Ruaj një respekt të madh për të, ngaqë ai, edhe më pas, kur takoheshim rrugës, ndalonte dhe bisedonte me mua. Ai u bind nga sa i thashë, por më tha se nuk kishte gjë në dorë dhe se do të më organizonte një takim me drejtorin e tij Prokop M., i cili më pas u bë ministër i Mbrojtjes. Ky më dëgjoi formalisht se, siç duket, ishte bindur nga sa i kishte raportuar Enderi dhe më tha se do të më çonin diku nga veriu, për të zëvendësuar një gjeolog të sëmurë. Ndërkaq, më këshilloi që të shkoja në Patos ku më kishin emëruar, që të mos më quhej si mosparaqitje në punë dhe atje të prisja emërimin e ri.

Të nesërmen u nisa për Patos dhe fillova punën në ndërmarrjen e shpim-kërkimit. Ditën kaloja nëpër puset e naftës të Marinzës, kurse darkave lexoja libra rusisht për proceset që zhvilloheshin në to. Një ditë, pasi kisha mbushur tre muaj në Patos, drejtori i ndërmarrjes, Polikron C., më njoftoi se do të shkonim të dy në qytetin Stalin, te drejtori i përgjithshëm i Kombinatit të Naftës, Ramiz Xh., pa më thënë pse. U nisëm me një makinë GAZ, duke qëndruar ai përpara me shoferin dhe unë pas shoferit. Rrugës drejtori merrte në makinë mësuese që shkonin në shkollat ku jepnin mësim dhe bisedonte me to, kurse unë rrija i heshtur, duke menduar të gjej se pse po shkonim te drejtori i përgjithshëm. Pas një farë kohe, drejtori u kthye nga unë dhe më tha: -Qysh do të bëhesh mësues ti ore? Ti s’flet fare! –Çfarë mësuesi?- pyeta unë i çuditur. – Po pse po shkojmë në Kombinat, – m’u përgjigj ai, – je caktuar mësues në teknikumin e naftës në qytetin Stalin. – Po ku ta di unë, – i thashë i mërzitur, – ti s’më the gjë. Kur takuam drejtorin e përgjithshëm, i thashë që unë prisja të transferohesha në veri, po ai m’u përgjigj që caktimi në teknikum ishte bërë me urdhër të Komitetit Qendror. Ç’të bëja, të ankohesha përsëri? Shkova në Patos, mora plaçkat dhe u paraqita në teknikum, ku drejtor ishte pikërisht ish-pedagogu im i gjeologjisë së naftës. Pas tre muaj pune, drejtori më thirri me urgjencë dhe më tha që qysh atë ditë të shkoja në Tiranë dhe të paraqitesha në politeknikumin “7 Nëntori”, se isha transferuar atje. Siç e mora vesh më vonë, ai e kishte vonuar njoftimin tim për transferimin dhe i kishin tërhequr vërejtje që nuk kishte zbatuar urdhrin e Komitetit Qendror. U habita për rrugën që kishte marrë fati im krejt papritur dhe jo në drejtimin e dëshiruar, po iu nënshtrova atij pa bërë as përpjekjen më të vogël për ta ndryshuar. U nisa për Tiranë dhe iu paraqita drejtorit të shkollës, Gjergj C. Unë atëherë isha 22 vjeç e gjysmë  dhe ai, kur më pa, tha: – Po i vogël bre, i vogël! – Drejtor, – iu përgjigja unë menjëherë, – unë nuk dua të bëhem mësues, prandaj po të më refuzoni ua di për nder. – Rri, rri, – më tha ai. I kërkova të shkoja në qytetin Stalin dhe të përfundoja semestrin e parë. Mirë, – tha ai, ec dhe hajde semestrin e dytë. Kështu bëra dhe fati më çoi përfundimisht në rrugën e arsimit (rreth 42 vjet), si mësues (nga politeknikumi “7 Nëntori” në teknikumin e minierave dhe të gjeologjisë në Përrenjas), si pedagog i jashtëm në fakultetin e gjeologjisë (25 vjet), si redaktor dhe si përgjegjës i redaksisë së teksteve të arsimit profesional në Shtëpinë Botuese të Librit Shkollor, si punonjësi i parë shkencor për arsimin profesional dhe më pas si shef i sektorit/departamentit të parë të arsimit profesional në Institutin e Studimeve Pedagogjike.

SHKARKO APP