Profesor Dhimitër Shuteriqi në jetën time letrare
Këto ditë, duke rrëmuar në arkivin tim, në të vërtetë jo për të kërkuar diçka të harruar, por për të seleksionuar e hedhur poshtë një sasi të konsiderueshme dorëshkrimesh tashmë të botuara ndër libra, koleksione gazetash e revistash, befas, gjeta midis tyre korrespondencën me shkrimtarin dhe,sidomos, historianin e shquar të letërsisë shqipe, Prof. Dhimitër Shuteriqi. Sesa i madh mund të jetë ndikimi i një personaliteti të tillë në jetën e një letrari të ri, siç isha unë në vitet kur u njohëm personalisht, ky do të ishte një mësim për të gjithë ata që shkruajnë rishtas.
Në verën e vitit 1975 doli nga shtypi libri im i parë me tregime “Jeta mbi shkëmbinj”. Përveç ndonjë lajmi të shkurtër prej disa rreshtash të botuar në periodikë letrarë, askujt nuk i ra në sy ky vëllim me proza te shkurtra. Ndonëse libri vinte pas shumë e shumë tregimesh të publikuara në prestigjiozen e asaj kohe, “Drita”, përsëri as kjo gazetë nuk botoi veç një njoftimi të shkurtër. Por, në një nga vizitat e mia në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”, miku dhe redaktori im, i ndjeri Sami Çabej, më njoftoi për herë të parë se vëllimin tim e pat lexuar prof. Shuteriqi dhe se atij i kishte pëlqyer shumë. Madje kishte shprehur dëshirën të shkruante për të..Prita më kot, jo muaj, por dy vjet të plota. Asnjë shenjë prej prof, Shuteriqit. Ndërkohë kisha botuar edhe dy libra të tjerë. Novelën e gjatë “Zbulimi i ishujve të humbur” dhe përmbledhjen me tregime e novela “Dëbimi i Hijeve”.Dhe pikërisht kur nuk e prisja, një shkrim tërhoqi vëmendjen e gjithë opinionit letrar të kohës. Në pranverën e vitit 1977, gazeta “Drita” botoi artikullin e gjatë të prof. Shuteriqit me titullin emocionues për mua “Edhe një tregimtar tjetër na vjen..” Nuk mbahesha nga gëzimi.. Më duhet të pohoj këtu se Shuteriqi mund të kishte shkruar për Barletin, e Buzukun, për De Radën e Zef Skiroin, për Fishtën e Konicën, për Migjenin e Ali Asllanin, por artikujt tillë për krijues të rinj pat dërguar në shtypin letrar të kohës vetëm tre. I pari i kushtohej tregimtarit Zija Çela, i dyti përfshinte refleksione për tri librat e mi dhe i treti për tregimet e Fahri Balliut.
Prof. Shuteriqi ishte poet dhe shkrimtar i njohur qysh në vitet ‘30, por mbi të gjitha ai ishte një intelektual i dorës së parë pas studimeve në dy universitete të Francës, njohës shumë i mirë i letërsisë botërore dhe ndër studiuesit më të kompletuar të historisë së letërsisë shqipe, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë që prej vitit 1950 deri në vitin 1974. Të vlerësoheshe nga një studiues i tillë ishte fat i madh..Nuk e fsheh se ndihesha i privilegjuar.
Pas shumë ngurrimeve dhe inkurajimeve të miqve të mi, një pasdite vonë trokita në shtëpinë e tij .Nuk njihesha më parë. Sigurisht kisha lexuar librat e tij, kisha dhënë provim Historinë e Letërsisë Shqipe. Shtëpia e atëhershme e profesorit ndodhej në një ndërtesë dykatëshe, përfund së cilës ndodhej Kafe “Tirana”, më modernia e asaj kohe. Në pjesën e sipërme ndodhej apartamenti i madh i familjes Shuteriqi. Sot kjo godinë është prishur sepse në atë vend është ndërtuar Muzeu Historik Kombëtar. Derën ma hapi një djalë i ri. I thashë se kush isha dhe se kërkoja të takoja profesorin. Më buzëqeshi me thjeshtësi dhe më tha se ishte i biri. Profesori nuk gjendej në shtëpi, Por lehtë mund ta gjeja, shtoi, ose poshtë, në Kafe Tirana, ose në Kafen e Pallatit të Kulturës.
E gjeta te Pallati i Kulturës. Ashtu,fytyrë gjerë, me beretën e tij ala franse, me çibukun e trashë, këmbë mbi këmbë, po bisedonte me prof. Vehbi Balën. Iu afrova me shumë kujdes. Kur mbajta këmbët para tavolinës së tyre, Shuteriqi më pa me vëmendje.
– Jam Mihallaq Qilleri, – i thashë me po atë ndrojtje.
– Kush? – nuk dëgjoi mirë ai duke mbështetur pëllëmbën e dorës pas veshit.
Ia përsërita emrin tim. Ngjau i befasuar. Ende nuk po e besonte se mund të isha unë i riu që shihte. Pastaj u ngrit në këmbë dhe ashtu, duke hapur krahët e mëdhenj më përqafoi..
– E di sesi të përfytyroja unë ty? Hë, e di? Ashtu siç shkruan me aq forcë sa tundet mendja njerëzore, po aq gjigant duhej të ishte edhe në trup. Po ti qenke fare i imët? – buzëqeshi përsëri ai pa më lëshuar nga krahët.
Nuk mund të gjendej kompliment më i madh. Më ftoi të ulesha. Më pyeti sesi i kisha njerëzit e shtëpisë dhe më premtoi se për disa minuta do të ishte i gjithi në dispozicionin tij.
Me profesor Vehbiun po diskutonin për një autor të vjetër arbëresh. Sapo ishin kthyer të dy nga Italia. Mirëpo biseda e tyre po zgjaste dhe nuk kishte më kuptim të qëndroja aty. U thashë se kisha ardhur vetëm për ta falënderuar për shkrimin e tij aq pozitiv për krijimtarinë time.
– Jo, – tha ashtu impulsiv, – jo, nuk duhet të ndahemi kështu ne të dy. E di, – shtoi pas një çasti..- unë nesër kam dy orë leksion në Fakultetin e Filologjisë dhe besoj se mbaroj aty nga ora 11.Por si plak që jam, në shtëpi arrij afër mesditës. Të pres për drekë nesër..
– Faleminderit, profesor, – iu përgjigja,- po ja qëndruam, u pamë..Ndoshta një herë tjetër..
– Jo,- kundërshtoi..- Dua të bisedoj gjatë me ty. Në shkrimin që botova nuk kam thënë asgjë, sepse aq mund të pranonte gazeta “Drita”. Pastaj dua të bëhemi miq..
Buzëqesha. Këmbënguli aq shumë sa i premtova se të nesërmen do isha në shtëpinë e tij..
Ishte e para herë që shihja një bibliotekë private aq të madhe. I hodha një sy me shumë ndrojtje, sunduar nga mendimi nëse unë do të kisha mundësinë ndonjëherë të zotëroja një pasuri të tillë. Binin sy grafika të vizatuara me elegancë e të shpërndara thuajse nëpër të gjithë bibliotekën. E pyeta profesorin se të kujt ishin ato dhe ai më buzëqeshi. Diku më tregoi një profil të tij, ku binte në sy llulla e duhanit që tymoste. Nuk kisha më asnjë dyshim, Shuteriqi ishte edhe piktor.. Nuk mund ta harroj gjithashtu sobën e ngrohjes, një send i rëndë, i derdhur i tëri në gizë me ornamente të çuditshme. Kuptohet, nuk mund të ishte sjellë nga Franca, as blerë në Shqipëri sepse këtu nuk gjendeshin. Mendova se kjo relike mund të ishte trashëguar nga familja atërore. Simon Shuteriqi, i përkiste njërës prej familjeve më intelektuale të Elbasanit.
Në tavolinën e bukës ndodhën dy ngjarje. E para ishte ajo me verën që do të na servirej. Profesori i tha së shoqes se në qilarin e shtëpisë gjendeshin akoma 20 shishe vere të pluhurosura dhe ajo duhej të sillte njërën prej tyre. U shkëmbye një vështrim të cilin do ta kthjellonte vet ai.
– Mihallaqin e kemi nga Narta ku prodhohet vera më e famshme në Shqipëri. Si mund të pi ai çdo lloj vere?
Habia ime u shtua së tepërmi. Për ta takuar vija nga Gjirokastra dhe shumë njerëz, sidomos krijues, besonin se unë isha s’andejmi. Por prof. Shuteriqi e kishte pikasur nga isha në të vërtetë. Dhe ma shpjegoi thjeshtë..E njihte nga vinin tematikat e shumë tregimeve të mia, e njihte atë lagunë, atë verë, atë ishull të famshëm në mes të ujërave, e dinte madje edhe historinë e tij..Më shtangu. Megjithatë, si për të bërë edhe unë një shaka, i thashë.
– Në të shijuarit e verës u ngjaj aq pak nartiotëve, po aq sa atyre gjigantëve me të cilët më përfytyruat mbrëmë.
Biseduam për letërsinë. Veprën e tij për Historinë e Letërsisë Shqipe e kisha dhënë provim dhe e admiroja autorin e tij..Mbaj mend faksimilet në latinisht të veprave të Gjon Buzukut, Pjetër Budit, Bogdanit, të arbëreshëve dhe isha habitur me njohuritë e gjithanshme. Ja ku isha tashmë në tavolinën e shtëpisë së tij, duke pirë nga një gotë verë me të..
Mihallaq Qilleri
Kohë më vonë, ndoshta pas disa muajsh, në shtëpinë time të vogël në Gjirokastër, ia behu një miku im, aso kohe gazetar në një të përjavshme lokale, Avdulla Kënaçi. Më lajmëroi se në qytet kishte mbërritur profesor Shuteriqi, i cili dëshironte të bënte një vizitë tek unë. Isha krejt i papërgatitur për të pritur një mysafir aq të çmuar. Por im at, që u gjend ato ditë atje, më tregoi sesa thjeshtë njeriu mund të nderohej në situata të tilla. Ime shoqe ngjau disi e shqetësuar. Por shumë shpejt e morëm veten. Profesori sikur vonohej enkas si për të na dhënë kohë të përgatiteshim.
Dhe ja ku erdhi.. I prezantova tim at, bashkëshorten, por edhe Hermonin e vogël që aso kohe nuk duhej të ishte më shumë se 5 vjeç. E hëngrëm drekën aty, natyrisht me një mungesë të vogël. Unë nartioti nuk kisha verë Narte, por një Kabërnet Delvine që profesorit, megjithatë, i pëlqeu shumë. Me tim at sikur u ngjiti gjaku. Evropën e njihnin të dy, sikundër njihnin edhe Luftën..Im at e kishte lënë cigaren atë kohë dhe Shuteriqi e përgëzoi për këtë.. Dhe ja ku erdhi një propozim i tij i mrekullueshëm.. Më tha se në Jug e kishte dërguar me shërbim gazeta “Zëri i Popullit”, kishte një makinë në dispozicion dhe nëse mundesha, dëshironte ta shoqëroja deri në Vlorë, por duke udhëtuar përmes rrugës së vjetër të Salarisë. Tregimet e mia i patën zbuluar gjithashtu se unë i njihja po aq mirë edhe ato vise.
Ishte pranvera e vitit 1978. Koha nuk ishte ngrohur sa duhej, malet mbanin shpinën me dëborë, por edhe bari po jeshilonte. U nisëm pas drekës. Shpejt do ta kuptoja se do të na zinte nata rrugës pa mbërritur në Vlorë, por së paku deri atëherë ne do të kishim përshkruar gjithë zonën malore në shpinë të Maleve të Salarisë, Këndervicës do t’i shihnin faqen veriore, Gribës faqen lindore, ndërsa Malit të Kudhësit përmbi Sevaster, ku edhe thyen qafën gjithë ai masiv gjigant prej disa dhjetëra kilometrash, ku shquajmë vetëm majën konike të veshur me dëborë. Ishte e pamundur të udhëtoje shpejt me një njeri si prof. Shuteriqi. Gjithçka e bukur, apo e ashpër atij i tërhiqte vëmendjen, i thoshte shoferit të ndalej dhe ne dilnim jashtë për të parë mrekullinë që ai e çmonte si të tillë. Diku, mbi krahinën e Lopësit, ai vërejti një të çarë të thellë që zbriste nga Qafa e Shkallës që ndante Këndervicen nga Mali i Tartarit, dhe më pyeti se si quhej ai përrua. Nuk e dija. I thashë nxitimthi se mblidhte ujërat e shtrëngatave..Më pa drejtë në sy.
– Ah,- tha, – shumë bukur.. Përroi që mbledh shtrëngatat..A nuk mund të ishte titulli i një tregimi?
Buzëqesha. Ai nxitoi ta shënonte menjëherë në një nga skedat e shumta, të cilat në fund të jetës së tij do të mbërrinin në mbi 20 mijë.
Shpejt do të kalonin Sevasterin dhe nga Qafa e Luadhit ai do shihte me admirim ca rrënoja të vjetra. Më pyeti se ku ndodheshim. I thashë se ishin muret dhe stadiumi i Amantias së lashtë. U mrekullua. Qëndruam dhe pas pak do të ndodheshim nëpër rrënoja..Nuk e kishte vizituar kurrë. Dielli po i afrohej kurorës së maleve pranë bregdetare dhe koha nuk premtonte për eksplorime.. Ai hodhi një sy në shtëpitë e shpërndara nëpër bregoret e Ploçës, ( dikur Amantia),dhe më pyeti me zë të ulët se si rronin këta banorë. Ndjeva një drithërimë në zërin e tij..
– Ashtu,.. – thashë edhe unë i ngurtësuar,– Vende të varfra.
– Po këtu ke punuar?
– Sigurisht , – shtova, – disa vite.
– A mund të vizitojmë një familje këtu?– kërkoi po me aq ndrojtje.
– Do të gjejmë një shtëpi sa më afër rrugës,- iu përgjigja.
Qëndruam në çezmën e Ploçës ku një kokë luani prehistorik i gdhendur në mermer, i shpërngulur nga gërmimet e i vendosur aty, shërbente tani për të derdhur ujin e akullt të Malit të Kudhësit. Pas pak do ta shpija te shtëpia e Kame Abazit aty pranë. I zoti i shtëpisë donte të na mbante për darkë, por Shuteriqi nuk pranoi. Mbaj mend se hëngri vetëm gjysmë ftua që ia servirën me kafe. Kjo mund të ishte shtëpia më e mirë e Ploçës. Ca më tej kishte familje që banonin ende në kasolle..
Kur u nisëm për në Vlorë ishte bërë natë.
Miqësia ime me prof. Dhimitër Shuteriqin do të vijonte shumë vite, së paku deri sa unë ika jashtë Shqipërisë si shumë mërgimtarë të tjerë. Por korrespondenca me të, takimet e herë pas hershme në Tiranë do të vazhdonin. Ai do ta ndiqte me shumë interes rritjen time letrare dhe për këtë i jam mirënjohës për jetë..Kur ai vdiq ndodhesha larg dhe nuk pata mundësinë t’i jepja lamtumirën e fundit.