Promovimi i romanit “Vetёm dёgjo”
Sot, në Panairin e Librit, në Stendën e Botimeve Toena, u organizua promovimi i romanit “Vetëm dëgjo” i shkrimtares bestseller amerikane, Sarah Dessen. Ky është libri i tretë i kësaj shkrimtareje që është përkthyer në gjuhën shqipe nga Enkeleida Haxhinasto. Dy librat e tjerë janë “Kjo ninullë” dhe “Dikush si ti”. Në këtë aktivitet morën pjesë nxënës të shkollave të mesme të Tiranës. Aty u paraqitën edhe book trailer-at e përgatitur nga përkthyesja për të tre librat. Ato mund t’i gjeni në kanalin e saj në youtube: https://www.youtube.com/channel/UCw4OZtU01DPpVSBpLXy97ZQ
Sarah Dessen
Vetë përkthyesja zonja Enkeleida Haxhinasto, në një intervistë shprehet se ky është një nga romanet me të shitur në SHBA, dhe është shkrimtaret më të preferuara sidomos nga të rinjtë dhe në veçanti adoleshnetët.
Kush është shkrimtarja Sarah Dessen dhe çfarë përfaqëson? Enkeleida Haxhinasto: Sarah Dessen, konsiderohet si një yll i letërsisë për të rinj. Sipas gazetës, New York Times, ajo është shkrimtarja bestseller nr.1 e trembëdhjetë romaneve që janë shitur në miliona kopje në mbarë botën. Librat e saj janë vlerësuar me çmime të shumta dhe janë zgjedhur shpesh në listat e dhjetë librave më të mirë për adoleshentë. Desen është fituesja e çmimit Margaret A. Edwards, çmim ky që i jepet një shkrimtari, i cili me veprat e tij ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në letërsinë për të rinj.
Sarah Dessen është një nga shkrimtaret më të preferuara të adoleshentëve. Romanet e saj, të shkruara me humor dhe optimizëm, vëzhgojnë sjelljen e adoleshentëve në procesin e tyre të transformimit.
Temat kryesore në veprat e Dessen-it janë: familja, zbulimi i vetvetes dhe ndryshimi, të cilat kanë zgjuar gjithnjë interesin e gjerë të lexuesve.
Lexuesit tërhiqen nga rrjedhshmëria e stilit të Sarah Dessen-it, i cili është nganjëherë i ashpër, sepse reflekton trazirat e adoleshencës; tërhiqen nga gjuha e saj e thjeshtë, nga dialogjet realiste dhe mjaft intersante, nga fjalitë e saj përshkruese që e bëjnë subjektin të duket i vërtetë, nga sarkazma e saj, nga personazhet origjinalë dhe të besueshëm që Dessen i skalit me mjeshtëri.
“Vetёm dёgjo”
Për ccfarë flet libri? Enkeleida Haxhinasto:Nëse keni përjetuar një nga eksperiencat më të tmerrshme të jetës suaj gjatë adoleshencës, atëherë duhet ta lexoni romanin “Vetëm dëgjo”, sepse kjo i ka ndodhur edhe personazhit kryesor të librit, Anabelës.
Në romanin “Vetëm dëgjo”, personazhet janë adoleshentë realë me probleme reale që përpiqen të çajnë përpara.
“Vetëm dëgjo” është një roman i shkruar në vetën e parë dhe tregohet nga personazhi kryesor, Anabela Grin. Zhvillimi i këtij personazhi është i rëndësishëm, sepse i jep mundësi lexuesit të kuptojë rrethanat që ndihmuan në formimin e saj emocional ose në krijimin e aftësisë së saj për t’u përballur me konflikte të ndryshme.
Anabela vendos të mos i hapet njeriut për atë që i ka ndodhur, duke i mbrojtur në këtë mënyrë njerëzit e saj të dashur nga dhimbja. Ajo nuk preferon ta shndërrojë jetën e saj në një spektakël. Vetëm kur mëson të dëgjojë zërin e saj të brendshëm, ajo kupton se nuk mund të fshihet më nga e vërteta.
Ajo takon Ouen Armstrongun: një djalë i gjallë dhe i dhënë pas muzikës. Oueni është i vendosur për të thënë gjithnjë të vërtetën, pavarësisht pasojave. Ai bie në dashuri me Anabelën. Oueni e mëson atë se çfarë është e rëndësishme dhe e ndihmon të gjejë forcën për të thënë të vërtetën.
Temat kryesore tё romanit
Të ndajmë me publikun diçka më shumë, cilat janë temat që trajtohen? Enekeleida Haxhinato: Dessen ka vendosur në fillim të librit një thënie nga Robert Frost. “Zgjidhja më e mirë gjendet gjithnjë përmes thelbit”. Ajo e konsideron këtë si temën kryesore të romanit. Dessen gjithnjë ka pasur prirjen të tërhiqet nga gjërat që e nervozojnë apo që vërtet e trembin. Por nëse e shmangni problemin, thotë ajo, aibëhet më i madh dhe më i vështirë për t’u zgjidhur. Nganjëherë, mënyra më e mirë është të marrësh frymë thellë dhe të çash përpara. Të paktën në fund çdo gjë do të përfundojë.
Kapërcimi i pengesave është një tjetër temë që trajtohet në këtë roman. Personazhet përballen me probleme të ndryshme, të tilla si: izolimi social, depresioni, anoreksia etj. Romani “Vetëm dëgjo” analizon se si njerëzit gjejnë zgjidhje për të dalë nga situatat e vështira në të cilat ndodhen.
Një temë tjetër është zbulimi i vetvetes. Të gjithë e dimë shprehjen: “Ajo që nuk na vret na bën më fortë”.Ndonëse personazhet kalojnë situata të tmerrshme, ne shohim se si ata përjetojnë momente të zbulimit të vetvetes.
Libri gjithashtu trajton sinqeritetin në marrëdhëniet mes njerëzve si dhe mbështetjen te të tjerët. Nganjëherë, të mbështetesh te të tjerët në kohë të vështira, nuk do të thotë që u bëhesh barrë atyre. Përkundrazi, kjo gjë mund të të lidhë me ta shumë më tepër.