Promovohet vepra e akademikut, Jani Thomai

Në datën 24 maj 2018, në “Universitetin Fan Noli”, u organizua “Tryeza shkencore për botimin 5-vëllimësh të veprës së akad. J. THOMAI, Doctor Honoris Causa”, organizuar nga Universiteti i Korçës, në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë, pranë Akademisë së Studimeve Albanologjike dhe Departamentin e Gjuhësisë të Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë, pranë Universitetit të Tiranës.

Hapjen e veprimtarisë e bëri rektori i Universitetit të Korçës, prof. dr. Ali JASHARI. Veprimtarinë e përshëndeti dhe dekani i Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë, prof. dr. Sabri LAÇI.

Fjalën paraqitëse e mbajti prof. dr. Valter MEMISHA, drejtor i Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë si dhe drejtues i punës për përgatitjen për botim të veprës 5-vëllimëshe. “Cilësia dhe vlerat teorike e praktike të prodhimit shkencore të Jani Thomait kanë tërhequr vëmendjen edhe të studiuesve të gjuhësisë brenda e jashtë vendit. Për veprat, studimet e artikujt e tij shkencorë janë hartuar monografi, kumtesa e artikuj shkencorë vlerësues nga gjuhëtarë shqiptarë e të huaj, si dhe janë mbajtur dy konferenca shkencore jubilare në Universitetin e Gjirokastrës dhe të Korçës, duke gjallëruar kështu edhe kritikën shkencore. Mbetet detyrë afatshkurtër që edhe këto studime me shumë vlerë të përmblidhen e të botohen në dy vëllime”,- tha ndër të tjera Prof. Dr. Valter Memisha.

Rreth veprës shkencore dhe ndihmesës së akademikut J. Thomai në albanologji, kumtuan dhe prof. dr. Dhimitër Bello, përgjegjës i Departamentit të Gjuhësisë në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë; prof. as. dr. Idriz Metani, pedagog pranë Departamentit të Gjuhësisë në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë, si dhe u lexua kumtesa e prof. dr. Artur Lamaj, punonjës shkencor pranë Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë. Në fund akademiku Jani Thomai, shprehu falënderimet për botimin e veprës dhe për veprimtarinë paraqitëse.

SHKARKO APP