Protestë e grave në Festivalin e Filmit në Kanë
Dhjetëra yje gra të kinematografisë protestuan në Festivalin e Filmit në Kanë kundër diskriminimit gjinor në industri.
Cate Blanchett, Kristen Stewart dhe Jane Fonda ishin mes atyre që morën pjesë në demonstrimin mbi tapetin e kuq. Festivali prestigjioz i Kanës është vënë nën kritika se ka dështuar të përfshijë më shumë filma të prodhuara nga regjisoret. Protesta vjen pas një periudhe trazirash në industri, pas akuzave të panumërta për ngacmime seksuale. Ky është i pari festival i filmit në Kanë që kur akuzat për abuzim seksual u hodhën kundër producentit Harvey Weinstein, vitin e shkuar, transmeton tch.
Aktoret dhe regjisoret e filmave u kapën krah për krah dhe demonstruan në tapetin e keq dhe Cate Blanchett foli për pabarazitë gjinore në industrinë e filmit: “Prestigjiozia Palma e Artë i është dhënë 71 regjisorëve, të shumtë për t’i përmendur me emër, por vetëm dy regjisoreve”.
Në protestë morën pjesë edhe anëtare të jurisë së festivalit, aktore, regjisore dhe producente.
Akuzat për ngacmime seksuale ndaj figurave të njohura në industrinë e filmit kanë krijuar një debat publik për diskriminimin gjinor dhe ngacmimin seksual në shumë industri. Në ceremoninë e ndarjes së çmimeve Golden Globe, në janar, shumë yje filmash zgjodhën të visheshin me të zeza në shenjë solidariteti me viktimat e agresioneve dhe ngacmimeve seksuale.