Pse filmat e Iranit janë ndër më të mirët në botë?
Katër filma iranianë janë pjesë e ranglistës së sondazhit të BBC-së, për 100 filmat më të mirë në botë që nuk janë në gjuhën angleze. Profesori dhe kritiku Hamid Dabashi, përmes shkrimit të mëposhtëm i analizon momentet kryesore të kinemasë së Iranit, transmeton Telegrafi.
Tre filma të regjisorit Abbas Kiarostami – “Nemā-ye Nazdīk” (“Plani i gjerë”, vendi 39), “Khane-ye doust kodjast” (“Ku është shtëpia e shokut?”, vendi 94) dhe “Ta’m-e gīlās” (“Shija e qershisë”, vendi 97), janë në ranglistë. Filmi tjetër iranian me pozicionim më të mirë është ai i regjisorit Asghar Farhadi, “Jodaí-e Nadér az Simín” (“Ndarja”, në vendin 21).
Nuk befasojnë as fakti se momentet kyçe të kinemasë iraniane u futën në këtë listë të shquar, e as fakti se u përzgjodhën disa filma të veçantë. Dikush mund të sugjerojë një numër më të madh me vepra tjera, por askush nuk mund të vë në pikëpyetje rëndësinë e këtyre katër filmave, e as praninë e Kiarostamit në mesin e filmbërësve të klasit botëror. Peizazhi i gjerë i kinemasë iraniane në 100 vitet e fundit – ose më shumë – ka qenë topografi e larmishme e ngjarjeve të jashtëzakonshme kinematike, përmes të cilave këta krijues të mëdhenj janë ngritur në vëmendjen globale.
Në përgjithësi, kritikët që janë konsultuar për të krijuar ranglistën e BBC-së ka gjasa të dinë për kinemanë iraniane apo cilëndo kinema botërore përmes festivaleve kryesore ndërkombëtare të filmit, kryesisht në Kanë, Venecia, Berlin dhe Lokarno, që kanë lënë në hije festivalet tjera në SHBA, Japoni, Korenë e Jugut, Lindjen e Mesme, Afrikë dhe Amerikën Latine. Rruga e filmave iranianë në këto festivale të mëdha ka qenë e gjatë dhe dredha-dredha, që nga origjina e saj në historinë sociale dhe kulturore të Iranit. Dhe, formimi historik i kinemasë iraniane u zhvillua në një sferë publike transnacionale – si në origjinën e saj ashtu edhe në destinimet e saj – nga studiot e filmit në Indi ku janë bërë filmat e parë iranian, e deri te ata të festivaleve evropiane të filmit.
Nuk ka pasur asnjëherë një moment në historinë e gjatë të kinemasë iraniane kur ajo është përkufizuar në kufijtë e saj aktual. Filmi i parë me zë iranian, “Dokhtar-e Lor” (“Vajza Lor, i viti 1932), i njohur si Irani i Djeshëm dhe Irani i Sotshëm, u prodhua nga Ardeshir Irani dhe Abdolhossein Sepanta në Bombei. Ka një kornizë të gjerë referimi që shtrihet nga Evropa në Perandorinë Osmane dhe Perandorinë Ruse e deri në Egjipt e Indi që ishin terrenet e ngritjes së prozës dhe poezisë persiane si dhe të arteve vizuale dhe performuese iraniane.
Forough Farrokhzad (1935-1967), poete e madhe e kohës së saj, shkëlqen në historinë e kinemasë iraniane. Me një dokumentar të vetëm të shkurtër, “Kẖạneh sy̰ạh ạst” (“Shtëpia është e zezë”, viti 1962), Farrokhzad e vuri filmin iranian në një rrugë krijuese nga e cila nuk u largua kurrë. I xhiruar në koloni lebrozësh, filmi i saj përkufizon në një mënyrë unike shkrirjen e faktit dhe fiksionit.
Para se ajo dekadë fatale të kishte mbaruar, filmi i regjisorit Dariush Mehrjui, “Gaav” (“Lopa”, viti 1969), u kontrabandua nga Irani dhe u shfaq në Festivalin e Filmit të Venecias më 1971, ku fitoi çmimin e kritikëve (Fipresci); pastaj kishte një shfaqje tjetër në Berlin që e konsolidoi njohjen e tij globale, si një moment përcaktues për kinemanë në zhvillim iraniane. I bazuar në një tregim të shkurtër nga Gholam-hossein Saedi, “Lopa” tregon historinë e një fshatari dhe marrëdhënien e tij antropomorfike me kafshën, përmes një stili të mahnitshëm narrativ dhe viziv.
Edhe pse kishte zhvillime të rëndësishme në kinemanë iraniane në vitet 1970, vëmendja e botës u kaptua nga Revolucioni Iranian i viteve 1977-1979. Ajo që ktheu fokusin në kinemanë iraniane ishte vepra e regjisori Amir Naderi, “Davandeh” (“Vrapuesi”, viti 1984), që ishte si zbulesë kur u dha në Festivalin e Tri Kontinenteve në Nantes. I xhiruar në shumë lokacione në jug, gjatë Luftës Iran-Irak (1980-1988), “Vrapuesi” kishte peizazhin unik kinematografik, duke ndjekur jetën e vetmuar të një djali të ri të hipnotizuar nga vrapimi, të cilit Naderi i dha një rëndësi të thellë alegorike.
Menjëherë pas suksesit global të “Vrapuesit”, bota nisi interesimin për regjisorin Abbas Kiarostami, kur filmi i tij tashmë klasik, “Ku është shtëpia e shokut?” (1985) pati premierën në Festivalin e Filmit në Lokarno. Deri atëherë Kiarostami ishte filmbërës i njohur dhe i suksesshëm vetëm në Iran, por mirëpritja e tij në Evropë e vendosi pranë veprës “Ladri di biciclette” (“Vjedhësi i biçikletave”, viti 1948) të regjisorit Vittorio De Sicas, “Tokyo Monogatari” (“Historia e Tokios”, viti 1953) të regjisorit Yasujiro Ozu dhe “Trilogjia Apu” (“Pather Panchali”, “Aparajito” dhe “Apur Sansar”, të viteve 1855-59) të regjisorit Satyajit Ray, duke i dhënë atij fuqi dhe rëndësi botërore.
Derisa Kiarostami u bë filmbërësi kryesor iranian në skenën botërore, familja Makhmalbaf bën një kthesë të rëndësishme në perceptimin e kinemasë iraniane, sidomos kur Samira Makhmalbaf pati premierën e filmin të saj “Sib” (“Molla”, më 1998) në Festivalin e Filmit në Kanë, kur ishte vetëm 18-vjeçare. Isha në festival atë vit dhe pashë se si perceptimi botëror i Iranit u ndryshua brenda natës – nga një njeri i hidhur me mjekër (Khomeini) te fytyra e qeshur e një regjisoreje të re. Ishte moment transformues në njohjen globale të kinemasë iraniane dhe të vet Iranit.
Në dekadën e ardhshme, Jafar Panahi merr mirënjohje ndërkombëtare kur filmi i tij “Dayereh” (“Qarku”, viti 1999), u shfaq në Festivalin e Filmit të Venecias. Panahi ishte i favorizuari i Abbas Kiarostamit, por i shtyu aftësitë kinematike të mentorit të tij në fushat sociale dhe politike, përtej interesave të Kiarostamit. Fillimisht këtë e bëri me goditje të matura dhe të menduara. Por, shumë shpejt u arrestua për shkak të aktivizmit të tij politik gjatë Lëvizjes së Gjelbër (2008-2010). Ndonëse nuk lejohej, vazhdonte të bënte filma të cilët i kontrabandonte në festivalet evropiane të filmit.
Ngritja spektakolare e regjisorit Asghar Farhadi ndryshoi perceptimin se çfarë mund të ofrojë kinemaja iraniane. Drama familjare Farhadit, “Jodaí-e Nadér az Simín” (“Ndarja”, viti 2011), fitoi çmimin Oscar për filmin më të mirë në gjuhë të huaj në vitin 2012. Pesë vjet më vonë, filmi i tij i vitit 2016, “Forušande” (“Shitësi”), fiton të njëjtin çmim. Farhadi kaloi në kinema nga teatri, ndaj filmat e tij kanë dramatikë në një kuptim teatral. Kinematografia e shkëlqyeshme e drejtorit të fotografisë së Farhadit, Mahmoud Kalari, ka qenë e dobishme në përcaktimin e kësaj ndjesie të dramës kinematike.
Prezantimi global i filmit iranian, tërheqja e vëmendjes ndërkombëtare te disa prej veprave të saj më të mira, ishte element kyç që ushqente në aspektin estetik dhe tematik repertorin e vendit dhe që frymëzonte brezat e ardhshëm të filmbërësve iranianë.
Në këtë aspekt, pa dyshim se disa prej filmave më të mirë iranianë kurrë nuk morën vëmendjen që e meritonin. Midis mjeshtërve të vjetër, veprat e regjisorëve Farrokh Ghaffari, Ebrahim Golestan dhe Bahman Farmanarajanë pjesë e këtij anashkalimi. Irani ka përfituar gjithashtu nga disa gra të talentuara, si: Rakhshan Banietemad, Marziyeh Meshkini dhe Manijeh Hekmat, të cilat po ashtu nuk e kanë marrë hakun që u takon.
Ndërkohë, jashtë Iranit dhe nga terreni pjellor i origjinës së tij transnacionale, është shfaqur një brez i ri i filmbërësve iranianë, ndër të cilët shquhen Ramin Bahrani (filmi tij “Chop Shop” i vitit 2007) dhe Shirin Neshat (“Gratë pa burra” i vitit 2009). Këta regjisorë që kanë rrënjë të thella në aspektet më të mira të kinemasë iraniane, tani e drejtojnë të ardhmen e saj në territore të panjohura. /Telegrafi/