Pse heshtim kur na dhunohet gjuha shqipe?
Nga Fran Gjoka
Publicisti Nuri Dragoj sheh si problem në mosrespektimin e gjuhës shqipe mungesën në administratë mungesën e strukturave të kualifikuara. Në një bisedë për “Koha Jonë” ai sjellë përvojën e shtetit shqiptar në raspektimin e standardeve gjuhësore duke nisur që nga themelimi i shtetit.
A lind nevoja në kushtet e sotme që institucionet shtetërore të kenë specialistë të mirfilltë të gjuhës, ku të verifikojë shkresat zyrtare të formuluara në aspektin gjuhësor e fjalëformues. Mos duhet të ketë dhe ligj për këtë çështje?
Nëse shohim shkresat zyrtare të periudhës së mbretërisë së Ahmet Zogut, do të vemë re që shkresat shkruheshin me shumë kujdes dhe u kushtohej rëndësi, pavarësisht nga niveli i ulët arsimor i administratës së kohës. Më pas, gjatë viteve të sistemit njëpartiak, shkresat janë shkruar edhe më me kujdes. Pas viteve 1990, me fillimin e sistemit pluralist, shkresat zyrtare janë keqshkruar, nuk respektohen rregullat e drejtshkrimit, ka shpesh fjali e fraza të pakuptimta, mungon shkronja ë, nuk përdoret gërma ç e cila njëhësohet me shkronjën c dhe shumë mangësi të tjera.
Natyrisht që punët nuk zgjidhen me fjalë të njërit dhe të tjetrit. Këtu duhet të veprojë ligji. Do të ishte normale që të bëhej një ligj për gjuhësinë dhe të kërkohej me çdo kusht që në televizione, radio dhe gazeta të mos flitet dhe të mos shkruhet asnjë fjalë e huaj. Madje të ketë dhe masa ndëshkuese. E njëjta gjë duhet thënë edhe për emërtimet e dyqaneve. Të paktën 80 për qind e emërtimeve janë në gjuhë të huaj. Emra qytetesh, njerëzish, lumenjsh, a ku di unë, nga të katër anët e botës. Dhe askush nuk merakoset. Vetëm një ligj mund ta zgjidhte këtë problem. Mjafton që të dyfishohet taksa për tabelat në gjuhë të huajë dhe do të vshohim që tregtarët do t’I kthehen shqipes. Kjo praktikë është zbatuar dhe në vende të tjera. Por ky ligj kërkon përkushtim të politikës, pasi nga ana gjuhëtarëve janë bërë përpjekje për ndërgjegjësuar politikën për një domosdoshmëri të tillë. Mund të duhet edhe më shumë punë, por rëndësi ka të flasë politika, pasi ajo i vë vulën çdo gjëje te ne. Madje, do të ishte normale të kthehej në një debat dite. Televizionet bënin mirë të thërrisnin në studio gjuhëtarë, gazetarë, politikanë, ligjvënës, bashkiakë etj, dhe të debatohej me ditë kjo temë. Është nga temat më të rëndësishme të jetës sonë, nga temat madhore të kombit shqiptar. Nuk është për t’u çuditur, madje do të ishte një mrekulli sikur ndonjë ditë të zakonshme vere, apo vjeshte, të shihnim edhe një protestë akademikësh, mësuesish dhe nxënësish para ndërtesave qeveritare, për të rritur presionin ndaj shtetit, i cili të marrë masa të shpejta për të përmirësuar gjendjen në drejtim të gjuhës amtare, të folur dhe të shkruar. Por kjo kërkon emancipim të shoqërisë, guxim, dituri, atdhetari, sakrificë. Them saktificë se politika shqiptare të dërgon në punë dhe të heq prej andej kur të dojë, dikasteret janë të varura nga politika dhe drejtoritë arsimore janë pjesë e saj. Duhet të dihet që nuk ndodh kështu, kudo. Në Gjermani, nëse një gazetar përdor fjalë të huaja merr gjobë. Kërkesa të rrepta kanë dhe francezët. E njëjta gjë ndodh edhe me fqinjët. Në Greqi i kushtojnë shumë rëndësi pastërtisë së gjuhës.
Kongresi i Drejtshkrimit që u mblodh në nëntor të vitit 1972, në Tiranë, si forumi më i lartë shkencor mbarëkombëtar, mori vendime me rëndësi jetike për gjuhën tonë letrare të njësuar dhe drejtshkrimin e saj. Një ndër vendimet që mori ai kongres është edhe parimi fonetik, si një nga parimet themelore të drejtshkrimit të shqipes, d.m.th: fjalët të shkruhen ashtu siç lexohen.
Për mendimin tim, është urgjente që Kuvendi i Shqipërisë të nxjerrë një ligj ku të përcaktohen ndëshkime të posaçme në gjobë, për të gjithë ata njerëz publikë apo institucione e biznese që shpërfillin fjalën shqipe dhe deformojnë gjuhën pa qenë nevoja.
Këshillat bashkiake të kërkojnë që emërtimet e shëtitoreve dhe institucioneve të tjera në varësinë e tyre të kthehen në shqip, kurse emërtimi në gjuhët e huaja të shkruhet në kllapa, për të orientuar miqtë apo turistët e huaj të ardhur në tokën tonë. Kështu mund të kërkohet që edhe titujt e këngëve të huaja të përkthehen në shqip etj.
Kam pasur rastin të dëgjoj disa biseda televizive apo forume të ndryshme, të shtrohen argumentet pse duhen shkelur rregullat e vendosura nga Kongresi i Drejtshkrimit. Nuk e vë në dyshim që edhe ato rregulla kanë nevojë për ndryshime, por kjo nuk mund të bëhet sipas shijeve e tekave të secilit. Për një çështje kaq madhore mund të rimblidhet një kongres i ri me pjesëmarrjen e të interesuarve nga të gjitha trevat shqiptare, ku të vendosin shkencërisht rregullat të reja të detyrueshme për të gjithë, pa bërë fjalë për ndryshime në themel. Në qoftë se politikanët tanë e kanë sadopak për zemër këtë komb dhe këtë identitet kombëtar, që të parët na e lanë trashëgim, duhet ta tregojnë këtë me marrjen e masave urgjente, serioze dhe vazhdimisht të kontrollueshme nga komisione të posaçme e të paregjistrueshme.
Nga vëzhgimet dhe anketimet e bëra në disa kategori punonjësish të administratës publike dhe private, por dhe në median e shkruar dhe atë vizive, bindesh se gjuha letrare njihet pak ose aspak. Si paraqitet gjëndja e shqipes letrare e shkruar në stilin e saj administrative, publik e juridik?
Pyetjet tuaja janë tepër teknike, por ka vend për të thënë dy fjalë dhe një publicist. Pak ditë më parë, më vrau veshin një folëse në një stacion kryesor televiziv, pa qenë nevoja të përdorim emër, pasi janë të gjithë njëlloj, kur u shpreh se “në audiencë” merrnin pjesë… Fjalën “audiencë” ka shumë shqiptarë që nuk e kuptojnë, pasi është fjalë që i përket një gjuhe të huaj. Shqip, thuhet “në pritje” merrnin pjesë…. Dëgjon dendur fjalën “negociator”, “negociatë”, kur mund të thuhet “ndërmjetës”. Tërë ditën flitet dhe shkruhet “mazhoranca” dhe ngurohet të thuhet “shumica”. Do të kërkojmë dhe “konsulencë” të huaj, kur mund të shprehet “këshillim”. Gjetkë dëgjon shprehjen: “Performanca” e saj ishte e përsosur, kur mund të thotë “paraqitja…”. Politikanët bëjnë fjalë për komisionin “ad – hock), kur mund të thonë “komision i përkohshëm”. Disa vite flitej për një komision “bi partizan”, kur duhej thënë “mbi palët”.
Gazetarja flet për analizën e një libri dhe shprehet: Tani po lexojmë një “pasazh” prej tij, se duket që nuk e njeh fjalën “fragment”. Vetëm në një lajm mund të hasësh më shumë se 5-6 fjalë të huaja. Bisedat që zhvillohen në studio apo telefonatat në radio, në të cilat dëgjon dendur fjalën angleze “OKEJ” dhe përfundojnë të gjitha me shprehjen italiane “Ciao, Ciao!”. Dhe kjo “ciao, ciao” gjendet tërë ditën në rrugë, shkollë, kafene, zyrë, kudo. A mund të më thuash, se ç’do të thotë përdorimi i këtyre fjalëve në media, zyra të shtetit, kafe dhe rrugë? Shko në ndonjë institucion dhe dëgjo bisedat midis nëpunësve apo në telefon dhe do të bindesh që fjalët “OKEJ” dhe “CIAO” do të përdoren disa herë brenda një minute. Në këtë luftë antigjuhë amtare nuk mund të quhet surprizë edhe një kurs i përshpejtuar gjuhe me gazetarët e shtypit të shkruar e viziv, madje edhe një ndëshkim me gjobë të atyre që e prishin këtë normë. (ashtu si bëhet me lojtarët e në fusha të ndryshme të jetës).
Mbase duhen shkruar shpesh shkrime për këtë çështje dhe të organizohen biseda në studio, në shkolla e kudo për ta minimizuar këtë të keqe sa më parë. Thuhet që Instituti i Gjuhësisë të japë alarmin në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës që të venë dorë sa më pare, gjë që e kanë bërë, madje dhe në emisione të posaçme. Por kjo nuk mjafton pa një ligj, pasi edeh nga nëpunësit e lartë të ministrisë së Arsimit dëgjojmë të thonë: “Këtë ligj mendojmë ta abrogojmë, atë tjetrin ta amendojmë dhe nuk thonë p.sh. se do të kërkojmë “shtesë ligjore”. Kur folësi në televizion thotë tani do të “lançojmë” dhe jo “japim”, ata bënë “apel” dhe jo “thirrje”, “aprovoj” dhe jo “miratoj”, “asistoj” dhe jo “marrë pjesë”, nuk është e lehtë, pasi kjo kërkon qilizëm. Diku e bëjnë që të duken se dinë, gjetkë ngaqë nuk gjejnë dot fjalën e përshtatshme në shqip, pasi pak e njohin gjuhën. Dëgjojmë ministrat të thonë “bodigardi im” dhe jo “truproja”, “bord” privatizimi apo drejtimi dhe nuk thonë “grup” apo “staf pune”. Ky material është “definitiv” dhe jo “përfundimtar”. Kjo është e drejtë e “donatorëve” dhe jo e “dhuruesve”. Lexojmë emërtime të tilla si “Zyra e emergjencës …”, kur duhet thënë “Detyrë parësore”, të themi ngjarje e madhe dhe jo “eveniment”. Ne edhe zgjedhësve u kemi venë emrin “elektorat”. Dëgjon zyrtarin që thotë, “pasi të mbaroni këtë punë, çojeni në “destinacion”, kur duhet thënë “vendndodhje”. Në dyqan dëgjon shprehjen “ambalazhoj” në vend të paketoj, etj.
Është detyrim atdhetar që të merremi më shumë me gjuhën tone, duke përsëritur në këtë moment thënien e Konicës: “Më jepni një gjuhë të bukur e të punuar, t’ju jap një komb të qytetëruar!”
Si e gjykoni të folurën e politikanëve dhe atë të opinionistëve apo gazetarëve?
Sapo thamë më lartë të njëjtën gjë. Tashmë dihet që ndotësit më të mëdhenj, por edhe bartësit më të mëdhenj të përgjegjësisë, padyshim janë mediat e shkruara dhe ato elektronike. Kjo përgjegjësi vjen nga vetë natyra e punës së tyre, si përçues të komunikimit midis njerëzve. Në media shkruajnë dhe flasin një numër i madh njerëzish dhe filtrimi i fjalëve të lëshuara prej tyre është i vështirë. Por, si autorëve të shkrimeve, edhe të ftuarve në studio, duhet t’u bëhet e qartë se nuk mund të shkruajnë dhe të flasin sipas të dëshirës, por të kenë në vëmendje kërkesat e gjuhës zyrtare. Nëse gjithkush do të shkruante dhe të fliste sipas “gjuhës së vet”, do të vështirësohej gjithnjë e më shumë komunikimi me njëri-tjetrin.
Nuk duhet të harrojmë thënien e Sami Frashërit, sipas të cilit shumë gjuhë janë zhdukur vetëm pse nuk kanë qenë shkruar. Ishte ky shkaku që Rilindasit bënë përpjekje të jashtëzakonshme për t’i dhënë gjuhës sonë një alfabet, i cili shërbeu për të botuar në gjuhën amtare, por edhe për ta shtrirë atë në sa më shumë shkolla, pasi “pa gjuhë nuk ka komb”.
Dihet që media është mjeti më i fuqishëm në përhapjen e kulturës korrekte të të folurit dhe të të shkruarit të një gjuhe, si dhe të pasurimit të saj. Ajo u bë nxitëse e nevojës së hartimit të gramatikave dhe fjalorëve gjuhësorë. Në shumë shtete europiane ka emisione të përditshme që rijepen në orare të përshtatshme televizive, qëllimi i të cilëve është ruajtja e gjuhës. Gjuhëtarët u kujtojnë bashkëqytetarëve si t’i përdorin fjalët e gjuhës së tyre, në vend të fjalive të huazuara nga jashtë. Duke qenë mjet i komunikimit masiv dhe i kudondodhur, media, gjithashtu mund të ndikojë në sakatimin e gjuhës, dukuri kjo e ditëve tona.
Gjithsesi për këtë çështje nuk po ju harxhoj kohë me argumente teknike, por ju tregoj për shprehjet e huaja të përdorura në disa emisione televizive të zhvilluara nga data 18 deri në 24 prill, si dhe punimet e parlamentit, prej të cilave kam mundur të veçoj këto fjalë:
Absurd – pa kuptim; abuzojnë – shpërdorojnë; adaptim – përshtatje; adoleshencë – fëmijëri; afirmuar – pohuar, provuar; akomodim – rehatim, përshtatje; aktiv – veprues; aktivizim – pjesëmarrje; aktualisht – sot, tani; akumulim – grumbullim; alternativë – mundësi; analizë – shqyrtim; angazhim- zotim, përpjekje; antagonizëm- kundërshti; arkaike – e vjetëruar; arrogante – harbute; artificial – jo i natyrshëm; aspekt – faktor, pamje, drejtim; aspiratë – shpresë, ëndër; autonomi – pavarësi; avangard – pararojë; avantazhe- përparesi; azhornuar – i venë ne dijeni, bërë e njohur;
biznes – aktivitet; censurim – ndalim; centralizuar- përqëndruar; certifikuar – ligjeruar, regjistruar; certifikues – i vërtetuar, i dokumentuar; civile – qytetare; civilizim – qytetari; dans – vallëzim; debat – kuvëndim, bisedë, mbledhje; debil – budalla; decentralizim – shpëdrqëndrim; deformoj – çprish; demisionoj – jap dordëheqjen; destabilizues- shkatërues, prishës; detaj – hollësi; diagnostikon- shqyrton, nxjer perfundimin; dialog – bashkëbisedim; difekt- mangësi; diferencon- ndan, dallon; dilemë – mëdyshje; dimension- përmasë; dinamikë – forcë; distancë – largësi; divergjente – të ndryshme, të papajtueshme; diversitet – ndryshyshmëri; dominoj – mbizotëroj; donator – dhurues; duel – përballje; e pa kontestueshme – e pa kundërshtueshme;
edicion – transmetim; efektiv – dobiprurës; efikase – e vlefshme, e dobishme; eksperiencë – përvojë; ekujlibri – barazpeshimi; ekzakte – të sakta; ekziston – është; emergjencë – urgjencë; emigracion – mëgrim; epokë – periudhë; erudit – me kulturë; esenca – thelbi; etika – sjellja; fenomen – dukuri; final – përfundimtar; fizionomi – pamje; forum – mbledhje ose kryesi; frazeologji – fjali, shprehje; funksionale – e përdorshme, vepruese; handikap – paaftësi; homologë – specialistë po të asaj fushe; huazim – marrje; i paprinciptë- i pa ndërgjegjshëm; i surprizuar – i befasuar; ilustrim – pershkrim; imazh – pamje; imperiale – mbreterore; imponohet – detyrohet; imponoj – detyroj; impresionues- mbreslënës; indiferent – moskokëçarës; individ – person; inflacion – zhvlerësim; informacion- njoftim; inisiativë – nismë; injorohet – nuk meret parasysh; instrument- vegël; intensitetin – forcën; interpretuar – shprehur, luajtur; intervistë – bisedë; intuite – nuhatje, ndjesi; investigim- hetim;
kalkulim – përllogaritje; klasifikuar – përcaktuar; klauzole – pikë, paragraf; klonon – dyzon; koleg – shok pune; kompensim- zëvëndësim, plotësim; kompetencë – detyrë, përgjegjësi; komplikohet – vështirsohet; kompromis – marrëveshje; komunikim – bashkëbisedim; koncept – parim, mendim; konfirmoj – pohoj, aprovoj; konfiskim – përvetësim; konflikt – përplasje; konform – sipas; konfuz – i turbullt; konkludon – arrin në përfundim; konsensus – mirkuptim; konsesual -në mirëkuptim; konsoliduar – ka krijuar bazën, është i formuar; konstruktiv – i dobishëm, i vlefshëm; konsultoj – bashkëbisedoj, marr mendimin; konsultuar – biseduar; konsum – përdorim; kontakt – takim, lidhje; kontekst – nënkuptim, përcaktim; kontrast – dallim; kontriboi – ndihmoi; konvergjojnë- përqëndrohen; konvertuar – këmbyer, kthyer; kooperim – bashkëpunim, bashkim; kosto – vlerë; kristalizojnë- shëshojnë, sqarojnë; kriter – kusht; kuroj – mjekoj; kurrikul – pasqyrë e studimeve;
legalizim – ligjërim; liberalizuar – liruar; licenciohen – marrin diplomat; lider – udhëheqës; lidership – udhëheqje; likujdim – asgjesim, zhdukje, shlyerje; limit kohor- kufi kohor; mnipulim – mashtrim, përdorim për qëllime të tjera; maturim – pjekuri; maxhorancëë – shumicë; maximal – në nivelin më të lartë; mediator – ndërmjetës; memorie – kujtesë; mendim embrional- zanafillor; mesazh – njoftim, lajmërim; metodë – mënyra e punës; militant – idhtar; mision – detyrë; modelues – formbërës; moderne – e kohës; modesti – thjeshtësi; moment – çast; monstruoze – e përbindshme; në dispozicion- në shërbim; negativ – i keq, i dëmshëm; negociata – bisedime, shqyrtime; nocion – emërtim, kuptim; nostalgji – mall; nuk ka sens- s’ka kuptim; objektiv – qëllim; okazion – rast; opinion – mendim; opsion – variant; orjentim – drejtim; paradoksal – i çuditshëm; partner – bashkëpuntor; pasion – përkushtim, ndjenjë; percepsion – këndvështrim; perceptim- ndijim; permanente – të përherëshme; perspektivë – e ardhme; poliedrik – shumplanësh; pompoz – i fryre; potencial – i fuqishëm; pozicion – vëndqëndrim; predispozicion-gadishmëri; presion – detyrim, ndikim; prezent – atyndodhur; principiale- thelbësore; prioritet – përparësi; procedurë – mënyra e veprimit; proçes – ecuri, çështje; produksion- prodhim; progres – përparim; projekt – plan; prononcohem- shprehem; protagonist – personazh; provokohen – shkaktohen; racionale – llogjike; rang – nivel; raport – njoftim, përmbledhje të punës; raportoj – njoftoj, jap llogari; reabilitimin – rivlerësim, rindërtim; reagim – kundërpërgjigje; realiteti shqiptar – shoqeria e sotme; realizoj – kryej; reduktohet – zvogëlohet, tkuret; referencat – të dhënat; reflektohen – pasqyrohen; reformë – ndryshim; represion – dhunë; resurs – burim; retorike – mënyrë të foluri; revansh – sulm; revokojnë – hedhin poshtë, refuzojnë; rezolutë – shpallje; riafirmoj – ripohoj; riciklim – ripërdorim; ridimensionoj- riorganizoj; samit – mbledhje, takim; sanksionuar – ligjëruar; sekrete – fshehtësi; sensibilitet- ndjeshmëri; servil – sahan lepirës; sesioni- punimet; sfidë – provë; simptomë – shënjë; situatë – gjendje; social – shoqëror; sofistikuar- përsosur; solidar – i bashkuar, i një mendjeje; solidaritet – unitet; solide – e qëndrueshme; sondazh – pyetësor; spektator – shikues; spekulator – mashtrues; sponsorizime -mbeshtetje monetare; stabilitet – qëndrushmëri; stad – nivel; stafi – punonjësit; stampuar – fiksuar; standart – nivel; status – gjëndje; strukturë – përmbajtje, përbërje, ndërtim; subjekt – temë, ngjarje; destinuara- paracaktuara,të parashikuara; tendencë – synim, dukuri; term – emërtim; tirazhi i botimit- sasia e botimit; trafik – qarkullim; trajnim – stërvitje; transmetim – përciellje, përçim; unanim – njëzëri; unifikuar – njësuar, bashkuar; universale – e përgjithshme, botërore; variablave – e ndryshueshme; virtual – pamor; vizion – këndvështrim; zhanër – gjini.
Çfarë mund t’u thoni rinisë shqiptare për një gjuhë të folur dhe të shkruar letrare në shkolla dhe në institucionet qëndrore dhe lokale të vendit.
Mësoni dhe flisni në radhë të parë shqip, pasi jo vetëm që është gjuhë shumë e bukur, por edhe bazë për të mësuar gjuhët e huaja. Kështu do të jeni përjetësisht të indetifikuar dhe të paharruar.
A ka rrezik asimilimi për shqiptarët jashtë atdheut dhe çfarë duhet bërë?
Për Sami Frashërin, mësimi i gjuhës amtare, përbënte ngutësi për të rifituar kohën e humbur. Shkrimi i saj, krahas të folurës së përditshme, shihej si domosdoshmëri, në të kundërt kombi mund të shuhej. Një gjë të tillë ai e kërkonte jo vetëm për popullsinë që jetonte në trojet shqiptare, por edhe për ata që banonin në shtete ku shumicën e përbënin kombësi të tjera. Në veprën programore, “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet”, Sami Frashëri bëri radiografinë e identitetit kombëtar, si dhe të lindjes e zhvillimit të gjuhësisë botërore. Ai e vlerësonte gjuhën shqipe, si një nga gjuhët më të vjetra të botës, që kishte ardhur deri në ato ditë “e paprishur dhe e pandryshuar”.
Ditët që po jetojmë, të cilat shpesh marrin nota migjeniane, do të ishin shumë më të zbutura për ato mangësi që kanë në hapësirat e kohës së tyre, nëse ne, shqiptarët, kudo që ndodhemi, të merremi më shumë me ushqimin e përjetshëm të kulturës sonë, gjuhën amtare. Ruajtja dhe pasurimi i gjuhës shqipe, sot është një nga problemet madhore të ditës. Jo vetëm sepse kemi detyrë ta pasurojmë dhe ta zhvillojmë më tej, por edhe për shkakun se ndodhemi përpara disa tendencave të rrezikshme të shkatërrimit të saj. Lëvizja e lirë e njerëzve ka bërë që një numër i madh shqiptarësh të largohen nga Shqipëria. E kanë marrë me vete të folurën shqipe, po atje ku jetojnë e punojnë ka rrezik t’i shmangen gjuhës amtare, me apo pa dashje. Diku nga rrethanat në të cilat jetojnë, gjetkë nga presioni që ushtrohet mbi ta për të mos folur shqip, pa përjashtuar dhe faktorë të tjerë, si dhe mosnjohjen e rëndësisë që ka ruajtja e gjuhës amtare. Ky është një problem i gjerë, i cili na fut në ca hulli, ku të gjithë duhet të mbajmë plugjet mbi supe e jo mbi ugarin e shkrifët ku hidhet fara. Të gjithë shqiptarët, shoqatat e ndryshme që janë ngritur në dhe të huaj, duhet të bëjnë të pamundurën për ruajtjen e gjuhës shqipe, duke hapur shkolla për fëmijët e lindur në emigracion dhe duke punuar për pasurimin e saj. Për këtë, besoj se do të ishte mirë që edhe shteti shqiptar të ndihmonte më shumë, duke ndërmjetësuar në qeveritë e shteteve ku dominojnë emigrantët tanë për lejimin dhe lehtësimin e procedurave për hapjen e shkollave shqipe, por edhe me fonde të caktuara e sidomos me libra. E kush do ta quante “korrupsion” sot hapjen e sa më shumë shkollave në botë, në një kohë që të huajtë, në bazë të një plani të aprovuar, mbase që nga krijimi i shtetit të tyre, punojnë e punojnë që gjuha e tyre të bëhet “Mbretëreshë” kudo në glob, duke numëruar një mijë e një argumente për përparësinë e kombit të vetë? Me kalimin e viteve ka rrezik që nga një pakujdesi e tillë të përballemi me asimilim shqiptarëve që jetojnë jashtë atdheut. Atëherë, as kambanë s’do të ketë dhe as kambanar që t’i bjerë, një llamarine alarmi të pavlerë.
Këtu nuk shtrohet çështja që ata të mos mësojnë dhe të flasin në gjuhën e vendit ku janë sistemuar, pasi kjo është e domosdoshme. Pa moral kombëtar, kjo gjë po bëhet në forma të ndryshme, por çështja është që të mos harrojnë gjuhën amtare. Ta përcjellin atë me këmbëngulje te fëmijët e tyre, nipërit dhe mbesat, shoqëruar kjo edhe me ruajtjen dhe pasurimin e traditave dhe zakoneve tona. Dihet që në Greqi ka pengesa nga vet shteti për hapjen e shkollave shqipe, por jo pak përgjegjësi kemi ne shqiptarët vetë, pasi nuk na pengon kush që në shtëpi të flasim gjuhën shqipe. Ka shumë fëmijë të familjeve shqiptare që kanë lindur në Greqi dhe nuk dinë asnjë fjalë shqip, kur arbëreshët e kanë ruajtur gjuhën amtare për mbi 5 shekuj. Në Suedi shteti paguante mësues për gjuhën shqipe që të mësonin fëmijët e emigrantëve, sikur të ishin edhe dy fëmijë, por duhet pranuar se gjysma e prindërve nuk e dëshironin mësonin e shqipen pjella e tyre.
Ky nuk është problem i lehtë. As dhe i pamundur. Mendoj se në radhë të parë duhet filluar brenda vendit, pasi gjuha shqipe ka nisur të degjenerojë, duke zëvendësuar shumë nga fjalët e saj me shprehje të huaja. Madje, po shkatërrohet sintaksa e saj, baza gjuhësore. Është kaq e pranishme kjo dukuri, saqë lind nevoja të jepet alarmi, pasi ne jemi një vend i vogël dhe mangësitë që lejohen në të gjitha drejtimet mund të marrin lehtë rrugën e greminës. Natyrisht, ngjitja është e vështirë, por jo sizifiane, pasi kemi një truall të begatë që mjaft ta prekim e ta punojmë si nikoqirë të mirë shqiptarëdashës dhe do të kryejmë detyrën për brezat që do të vijnë këtu e në botë.