Pse-të e një kalvari diplomatik
Nga Dr. Jorgji KOTE –
Eshtë fjala për Kosovën, ku pas kulmeve politike që çuan në pavarësimin e saj ka dhe shumë zhgënjime e punë të pakryera. Kalvari i saj diplomatik është pasqyruar në shumë veprimtari, botime dhe analiza të ekspertëve të huaj dhe shqiptarë, ku spikat Mjeshtri i Madh i Diplomacisë, Shaban Murati. Dëshmia më e freskët është libri i tij i ri “Kalvari i diplomatik i shtetit të Kosovës”
Vlerat e këtij botimi me gati 70 analiza shteruese qëndrojnë në faktin se ky “padron”i analizës politiko-diplomatike di përse flet, ndryshe nga një pjesë gazetarësh dhe politikanësh që siç thoshte Çurçilli “kuptojnë nesër atë që thonë sot» Plus funksioneve të tij ambasadoriale, drejtor i Analizës në MPJ dhe gazetar me përvojë mbi 40 vjeçare për marrëdhëniet ndërkombëtare.
Nga “menuja”e pasur dhe e nxehtë e këtij botimi prestigjioz, kemi zgjedhur si “aperitiv”psetë”më kryesore të këtij kalvari.
Pse-ja e parë lidhet me mungesën e theksuar madje dhe përkeqësimin e mjedisit/truallit të duhur për një dialog politik normal me Serbinë, për shkak të “mureve”dhe qëndrimeve të saj refraktare/regresive dhe ndaj shumë hapave dhe demarsheve të BE-së, SHBA-ve, Kosovës, Shqipërisë, etj.
Vërtet që ka patur jo pak takime dhe samite rajonale e dypalëshe, por rezultatet praktike tregojnë se ato kanë qenë kryesisht spektakle mediatike dhe marketing politik për konsum të brendshëm dhe të jashtëm.
Mungesa e këtij mjedisi, të paktën të pranueshëm, sepse miqësor tingëllon vërtet “luks”shihet në gjuhën e urrejtjes dhe retorikën ultra nacionaliste që pason këto takime në refrenin politik serb se “kurrë nuk do ta njohim Kosovën», lobimin për tërheqjen e njohjeve, mosnënshkrimin e ndonjë marrëveshje sado e thjeshtë, etj.
Si mund të flitet për një mjedis dhe klimë të tillë kur ndërsa në Bruksel zhvillohet dialogu politik Prishtinë – Beograd, Serbia zhvillon gjithandej “përleshje”diplomatike dhe verbale kundër antarësimit të Kosovës në organizmat ndërkombëtare? Apo kur më 14 Qershor të këtij viti qeveria serbe inauguroi me “pompë”memorialin kushtuar milicëve dhe ushtarakëve serbë të vrarë në genocidin e pashembullt ndaj shqiptarëve në pranverë 1999? Madje, duke i glorifikuar ato beteja si “termopilet serbe” Tani, siç shprehet me të drejtë autori, mbetet që Milosevicin ta shpallin “Leonidha serb» !!! Dhe ky nuk është rast i veçuar, sepse dhe dy javë më parë, në Panairin e 63 Ndërkombëtar të Librit në Beograd u promovuan libra të ushtarakëve të lartë serbë, ndërmjet tyre të N. Pavkoviq; ky i fundit po kryen në Finlandë dënimin me 22 vite burg që i dha Haga për krime dhe genocid ndaj vëllezërve të Kosovës të cilin qarqet serbe e konsiderojnë heroizëm !
Vetëm ata që s’duan të shohin nuk po e kuptojnë se Serbia po shkon me shpejtësi drejt rishikimit dhe hyjnizimit të historisë së krimit dhe genocidit të saj!
Ndërkohë, kur sheh degradimin e këtij mjedisi, për faj të palës serbe dhe mbështetësve të saj, atëhere fjalimet dhe referimet ndaj modelit të pajtimit franko-gjerman apo të ribashkimit të dy gjermanive që i dëgjon dhe nga goja e liderëve serbë mbeten vetëm hipokrizi dhe pa asnjë vlerë praktike, edhe pse ato mund të tingëllojnë “muzikë”në veshët e perendimorëve.
Kushdo që e njeh këtë dosje e sidomos diplomatët bien dakord me argumentat e shumtë të Shaban Muratit se modeli franko-gjerman i pajtimit dhe ai i ribashkimit të dy Gjermanive është i pamundur në Ballkan e sidomos ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Kjo për shkak të kushteve dhe rrethanave tërësisht të ndryshme historike, politike, ekonomike, dhe sociale, të madhësisë gjeografike dhe peshës politike/ushtarake të boshtit franko-gjerman që ka bërë historinë e Evropës, mentalitetit të popujve të tyre dhe rolit të jashtëzakonshëm vizionar dhe guximtar të liderëve të tyre legjendarë – Adenanuer, Kohl, Brandt, De Gol, Miterand, etj që në Ballkan nuk gjenden as në “miniaturë »
Një “pse”tjetër ka qenë dhe mbetet mungesa e unitetit dhe kohezionit për çështje të tilla madhore në radhët e faktorëve politikë të Kosovës. Këto të fundit kanë dëshmuar se nuk ngurojnë të vonojnë, dëmtojnë dhe sakrifikojë çështjen e saj për hir të interesave të çastit, qoftë dhe të një lideri apo grupimi politik.
Kështu, më 8 – 15 Tetor 2015 salla plenare e Kuvendit të Kosovës u mbulua nga tymi dhe zjarri i bombave dhe eksplozivit, diçka e paparë, siç shprehet autori dhe në parlamentet e Amerikës Latine. Çfarë dhurate për diplomacinë serbe bashkë me tregimin e “muskujve”ndaj njeri tjetrit, duke precipituar zgjedhje të parakohshme, pikërisht atëhere kur Serbia vepronte me diplomacinë agresive të “përplasjes së këmbëve”kundër njohjeve të Kosovës.
E pamë dhe disa ditë më parë kur Kuvendi i Kosovës sërish nuk arriti dot konsensusin për rezolutën mbi dialogun me Serbinë.
Këto qëndrime dhe konflikte të brendshme politike në Prishtinë kanë ndikuar jo pak dhe në rënien e besueshërisë së diplomacisë së saj. Sepse siç pohonte ish-Kryeministri britanik William Gladstone, “parimi i parë në politikën e jashtme është: qeverisje e mirë brenda vendit »
Ato bëhen dhe më të dëmshme kur shoqërohen me akte dhe veprime të cilat çojnë në atë që autori e quan “izolacionizëm “të Kosovës, këtë radhë nga vetë Prishtina zyrtare. Ky izolacionizim shfaqet sa herë që një pjesë e politikës dhe medias në Prishtinë “fut në një thes”miqtë dhe armiqtë, partnerët dhe kundërshtarët apo protagonistë të tyre. Këtë e bën dhe duke ngritur akuza dhe insinuata ndaj eksponentëve të njohur amerikanë, gjermanë, turq, etj që kanë dhënë kontribut të madh për njohjen dhe forcimin e shtetit të Kosovës.
Kështu, kohë më parë, në Forumin e Bledit në shkurt 2012 Presidenti Thaçi qortoi fare pa vend BE-në që nuk përfshiu Ballkanin në krijimin e saj; dhe duke e bërë atë fajtore për të gjitha sëmundjet e rajonit!!!! Ndërsa fund javë ne kaluar, në Konferencën e Sigurisë në Bjellorusi, çuditërisht ai u bashkua me Kryeministren serbe duke kritikuar me një gjuhë të rëndomtë për kundërshtimin ndaj tezës së korrigjimit të kufijve, Gjermaninë, që ka bërë e bën aq shumë për Kosovën, Shqipërinë dhe Ballkanin!!. Kur sipas etikës diplomatike, vende si Kosova që po trokasin në dyert e BE-së, është ende herët t’u japim mend e ca më pak të qortojmë BE-në dhe vendet antare !.
Pseja e fundit por jo më pak e rëndësishme ka qenë dhe mbetet mungesa e një radhe dhe hierarkie konseguente në zbatimin e objektivave dhe projekteve të Kosovës, ku përparësi absolute janë sipas radhës njohja nga Serbia, shtimi i numrit të njohjeve, përparimi në reformat demokratike dhe normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë. Për ilustrim në këtë libër përmendet vizita e Kryeministrit Haradinaj më 23 Maj 2018 në Vatikan, ku në vend të kërkohej njohja e Kosovës me argumentet dhe shpjegimet në dinamikë, Prishtina zyrtare kërkoi “partneritet strategjik”dmth kërkon të shkoje te “Z-ja”pa shqiptuar A-në !!!
Kjo vlen sidomos për propozimin e Presidentit Thaçi lidhur me korrigjimin e kufijve, që në vend të ndihmojë për zgjidhjen e situatës, siç është pohuar nga shumica dërmuese e ekspertëve, analistëve dhe liderëve politikë më tepër rrezikon të hapë “Kutinë e Pandorës”Kur, siç nënvizohet në disa shkrime të këtij libri, Prishtina ka anashkaluar, po të përdorim termin më të butë, hallet dhe shqetësimet vërtet ulëritëse lidhur me gjendjen dhe të drejtat me elementare te popullsisë shqiptare në Sanxhak e sidomos në Luginën e Preshevës.
Veç kësaj, ky propozim u hodh në “tregun”politik pa konsultime me institucionet dhe protagonistët e tjerë të brendshëm dhe të jashtëm, si kusht dhe kriteri themelor për t’u bërë i pranueshëm nga opinioni i gjerë publik. Sepse, siç pohon emblematiku Kisinger “Asnjë politikë e jashtme, sado e gjetur të jetë, nuk ka shans për sukses në rast se lind në mendjet e pak njerëzve dhe nuk prek zemrën e askujt »
Ndaj në shkrimin përmbyllës “Prishtinë e dashur, harresa e prioriteteve të çon në humbje”shprehet shqetësimi i madh për këtë devijim serioz nga axhenda politike e Kosovës. Në fakt, kokëfortësia lidhur me korrigjimin e kufirit me Serbinë ka fare pak të bëjë me real politikën. Sepse nuk mjafton të thuash se çfarë do të bëhet, por dhe a mund të bëhet; dhe po qe se po, si do të bëhet dhe me çfarë kosto. Sa për sugjerimet për një Referendum, Konferencë të tipit Rrambuje etj, ato rrezikojnë të na kthejnë 20 vite prapa me pasoja të paparashikueshme për shkak të kushteve gjeopolitike tërësisht të ndryshme dhe jo më të favorshme si atëhere për Kosovën, por dhe për BE-në, NATO-n, SHBA-të; ndërkohë që Serbia është në pozita më të forta negocimi, falë dhe mbështetjes nga Rusia që nuk është më ajo e 20 viteve parë dhe po e shfrytëzon çështjen e Kosovës dhe Ballkanin në funksion të synimeve të saj të reja globale strategjike.
Së fundi, Shaban Murati nuk mjaftohet vetëm me evidentimin dhe analizën e “pse-ve» Ai shkon më tej, duke sugjeruar në çdo rast hapa dhe nisma konkrete diplomatike, si vetoja shqiptare për pranimin e Serbisë në Organizatën e Frangofonisë, antarësimin e Kosovës në NATO, mbështetje të nismave të aleatëve tanë, etj.
Ja pse “Kalvari diplomatik i shtetit të Kosovës”DUHET lexuar, sepse është arkivë me plot dëshmi historike, manual praktik dhe thirje e fuqishme për veprim politik në mënyrë që të maksimizohen avantazhet e krijuara dhe të shmangen në minimum aktet, aktorët dhe faktorët e dëmshëm që mund të shtyjnë në kalendat greke njohjen e Kosovës dhe të zgjasin më tej kalvarin e saj të gjatë.