Qendra Historike Berat, KKR miraton projektin e mirëmbajtjes
Këshilli Kombëtar i Restaurimeve ka miratuar projektin e restaurimit: “Projekt mirëmbajtje në Qendrën Historike Berat”, Berat. Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore shprehet se projekti i hartuar nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Berat parashikon ndërmarrjen e masave të nevojshme për mirëmbajtjen e qendrës historike të Beratit, ku ndër to përfshihet pastrimi i vegjetacionit dhe pastrimi i dherave të mbledhur në sipërfaqet e ndryshme të monumenteve të Qendrës Historike.
“Këto masa janë ndërmarrë me sukses të plotë” bën me dije IKTK, që shton se mirëpret çdo bashkëpunim dhe mbështetje që kontribuon në ruajtjen e trashëgimisë sonë kulturore. Në vitin 1961 Berati u shpall zyrtarisht qytet muze, me pasuri të konsiderueshme monumentesh dhe me vlera të larmishme për nga gjinitë, të cilat përbëjnë një dëshmi të trashëgimisë kulturore, historike e artistike, të jetës e të punës, të realizuara mjeshtërisht brez pas brezi nga banorët e tij. Nga zonifikimi dhe nga përcaktimi i kategorisë së monumenteve qyteti ndahet në tri zona: zona muze, zona e mbrojtur dhe zona e lirë. Berati është qytet në UNESCO. Midis vlerave të tij, nga më të spikaturat është kalaja e Beratit. Kështjella ose kalaja, siç quhet nga beratasit është ndërtuar mbi kodrën shkëmbore në formë trekëndëshi, me perimetër të mureve 1440m, me 24 kulla e me dy porta. Me themelet e saj ilire, e rindërtuar disa herë në shekujt VI, XIII, XV dhe XIX ajo është sot jo vetëm një nga kështjellat më të mëdha të banuara, por edhe një arkiv i gurtë që ofron varietete stilesh dhe kontributesh të epokave të ndryshme: ilire, romako-bizantine, shqiptare e turke.
Kështjella është pjesë e legjendës së vjetër e të bukur të Tomorit dhe Shpiragut. Ura e Goricës është një nga monumentet e kulturës dhe të arkitekturës së Beratit dhe njëkohësisht një nga simbolet e tij. Rreth viteve 1780 me përkujdesjen e Ahmet Kurt Pashës, nga urë druri në pjesën e sipërme, ajo u ndërtua e gjitha prej guri. Ndër kishat më të bukura të ndërtuara në shekujt XIII-XIV janë: Shën Mari Vllaherna, Shën Triadha dhe Shën Mëhilli. Në Berat ka edhe një numër ndërtesash të fesë islame, me vlera të shquara arkitektonike e artistike, si: teqeja e Helvetive, Xhamia e Beqarëve, Xhamia e Plumbit, Xhamia e Hysen Pashës, Xhamia e Mbretit, Xhamia e Telelkave, Xhamia e Kuqe Xhamia e Bardhë, etj.