“Qyteti plak”, një roman i ri për braktisjen e sotme…

  Qyteti, është po ai hallemadh, që ruan krenarinë e dikurshme e kërkon sikur të fshehi “dhimbjet” e kohës. Sot, qyteti plak flet me gojën e Brahimit, si një “varrezë me dy këmbë”! Gjallëria e dikurshme, ka humbur, pjesa më e madhe e djemve është larguar për një jetë më të mirë ….

Nga Pandeli Bardhi

Duket sikur “Plaku” qindravjecar, ka gjetur një mjeshtër, Saimir Muzhaka, të cilit i ka hapur “zemrën” e i ka treguar edhe krenarinë, por edhe “dhimbjet” e plagët që e kanë shoqëruar qysh nga lashtësia e deri në ditët e sotme. Megjithëse shumë i ri në moshë, autori e ka justifikuar këtë “besë” të plakut sikur të ishin rritur bashkë. Një harmoni për t’u admiruar, pavarësisht nga diferenca e moshës. Saimir Muzhaka, vjen me romanin e tij të parë “Qyteti Plak” e hyn në radhët e shkrimtarëve me një eksperiencë të gjatë në fushën e letërsisë. Autori depërton thellë jo vetëm nëpër “sokaket” shekullore, por edhe nëpër “rrugicat” e të sotmes, për të na dhënë një tablo sa më të qartë të ngjarjeve e të jetës së banorëve… Problemet që preokupojnë shoqërinë e sotme, në mënyrë të veçantë problemet sociale të të rinjve e të rejave, trajtohen me mjeshtëri.

Ngjarjet e këtij romani zhvillohen në qytetin e Beratit, qytetin e kulturës disa qindra vjeçare, në qytetin ku, sipas legjendës, ujrat e rrëmbyeshëm të një lumi, kanë gdhëndur një kodër në të cilën marrin frymë dy lagje; Mangalemi dhe Kalaja, e sipër tyre një Kështjellë e lirë, hijerëndë me gurë të stolisur sikur  të jenë gjerdanë, ku kishat e xhamitë rrinë bashkë si gishtërinjtë e njërës dorë… Historia, traditat, kultura e Qytetit Plak, mplekset me realitetin e sotëm, me problemet që shqetësojnë shoqërinë e sotme, ku përplasen dashuria dhe interesi, jeta dhe vdekja… Nuk  janë vetëm shqetësime të qytetit plak, por edhe të qyteteve e të fshatrave më të rinj në “moshë”! Të gjithë duan të ikin, por ku? Dhe nga kush?

Banorët e këtij qyteti, akoma jetojnë me ankthin e tërmetit të vitit 1851, i cili ishte një tmerr i vërtetë që shkaktoi humbjen e shumë jetëve njerëzore e nuk i kurseu qytetit plak, as edhe një pullaz! Kanë kaluar qysh nga ajo kohë e deri në ditët e sotme pak më shumë se një shekull e gjysmë e përsëri frika, përsëritet tek nipërit e stërnipërit në kohën e sotme, nga “tërmete” të tjerë, nga plagët e realitetit të sotëm, të paradokseve që po përjeton shoqëria shqiptare sidomos në zonat e saj periferike.

Geraldi, personazhi kryesor i romanit, kthehet pas afro dy vitesh në qytetin e tij të lindjes.

Qyteti, është po ai hallemadh, që ruan krenarinë e dikurshme e kërkon sikur të fshehi “dhimbjet” e kohës. Sot, qyteti plak flet me gojën e Brahimit, si një “varrezë me dy këmbë”! Gjallëria e dikurshme, ka humbur, pjesa më e madhe e djemve është larguar për një jetë më të mirë, e të moshuarit, mundohen të mbijetojnë me prodhimet e tyre të pakta. A nuk është kjo panorama e gjithë “periferisë” shqiptare? Në qytetin e Geraldit, vetëm ngrohtësia e nënokes së tij nuk ka ndryshuar, vetëm “pangopësia” e zemrave të nënave për bijtë e tyre ka mbetur e njëjtë. Zemrat e nënave, janë të thyera, janë të coptuara nga ankthi e pasiguria për të ardhmen e fëmijëve të tyre. Zemrat e nënave, janë të djegura për bijtë e tyre, që sytë i mbajnë diku larg për një të ardhme më të mirë, për një jetë ndryshe… Shumë nga bijtë e tyre, kanë marrë udhët e kurbetit e të tjerë janë në pritje të largohen nga qyteti që nuk premton siguri, punë e mirëqënie. Ikin po ku shkojnë? Geraldi, njihet me tre vdekjet e njëpasnjëshme të tre djemve të rinj, e në këtë roman nuk bëhet fjalë vetëm për vdekjet fizike por edhe për atë shpirtërore. Të gjithë banorët e qytetit jetojnë me ankth!

Dhimbjen dhe pikëllimin që nuk e duron as guri, duket se e duron zemra e nënës! Po edhe kjo zemër, deri diku, sepse vjen një kohë, që e tejmbushur, ajo vendos të flasë sipas mënyrës së saj.

Shumë të rinj, të pashpresë, e kërkojnë “lumturinë” e tyre në kafene, tek lojrat e fatit, tek kazinotë, tek kumari… Duket sikur “punësohen” por gjejnë vetëm zhgënjim, gjejnë “lumturinë” që i çon në vetgjyqsi. Qyteti plak, vuan po ato pasoja që vuajnë edhe qytete e fshatra të thella, shumë herë më të rinj në moshë. Thashethemet, llafet që tirren e stërtirren nga të gjithë, duket sikur janë një formë “punësimi” për të gjitha moshat, bëjnë atë, që të mos jetosh i qetë. Duket sikur të gjithë janë mësuar me këtë lloj “punësimi” që është bërë modë e jetës së përditshme. Mbi pesimizmin që ka përfshirë shumë të rinj, ngrihet autori e i jep atyre shpresë me gojën e Geraldit: “Njeriu, mund ta ndërtojë jetën kudo, edhe aty ku ka ngjyra e jeta shndrit prej ylberi por edhe aty, ku ka veç gri, pikërisht, e hirta jetohet..”

Me vlerat e veçanta që autori Saimir Muzhaka i jep romanit të tij të parë “Qyteti Plak” do të bëjë kuriozë lexues të shumtë të të gjitha moshave, e do t’i kthehen leximit dhe rileximit të tij. Ky libër, me siguri do të thyejë mentalitetin e shumë lexuesve që priren të lexojnë shkrimtarë e poetë me emër, duke lënë pas dore më të rinjtë. Saimir Muzhaka, nëpërmjet këtij romani, na mëson që edhe më të rinjtë meritojnë të lexohen…

Libri, i financuar nga Ministria e Kulturës, pasi në konkursin e saj fitoi çmim mes dorëshkrimeve më të mira të të rinjve për vitin 2017, sjell mendime të thella, edhe pse shkruar me një stil fare të thjeshtë e të drejtpërdrejtë dhe pasqyron disa nga problematikat më të mëdha të kohës sonë…

SHKARKO APP