Radio Vatikani në 100-vjetorin e lindjes së At Zef Pllumit

Ç’ këshill i jepni popullit shqiptar e sidomos rinisë? At Zef Pllumi: E porosis per tri gjana: Të kenë fé, kurr të mos e braktisin fenë; të kenë shpresë; e mbi të gjitha, të kenë dashuni; ky asht mesazhi qi e ka dhanë Sh’Pali përpara mejet, e para Sh’ Palit e ka dhanë Krishti vetë! Kjo asht porosia e kjo pershndetja per të gjithë popullin shqiptar.

Sot më 28 gusht bie 100-vjetori i lindjes së françeskanit shqiptar At  Zef Pllumi, personalitet i Kishës dhe i Kombit Shqipta, dëshmitar i paepur i Zotit dhe i kombit që na la faqe të mrekullueshme të historisë së Ungjillit të shpresës e të qëndresës së vërtetë shqiptare në periudhën e diktaturës komuniste në Shqipëri.

At Zef Pllumi lindi më 28 gusht 1924 në Bogë, ndërroi jetë më 25 shtator 2007 në Romë.  Me rastin e përvjetorit të lindjes së tij, duam të vëmë edhe një herë në dukje, dëshminë e shndritshme të fesë, të kulturës e të atdhedashurisë që na la ky Patër Françeskan heroik – siç paraqitej me shumë dashamirësi At Zef Pllumi.

Nuk do të harrojmë dëshminë tejet të çmueshme të atij kalvari, pjesë e të cilit ishte edhe personalisht At Zefi, që përjetoi populli shqiptar, Kisha, kleri e Populli mbarë në periudhën e errët të diktaturës komunist në Shqipëri. Nuk do ta harrojmë aftësinë e tij të leximit të së kaluarës, të së sotmes dhe të dialogut e të afërsisë që kishte me gjithkënd.

“Tashma asht ngulít gjanësisht në vetëdijen e shqiptarëve ideja se të gjithë kishim nevojë për nji rrëfim paqsor dhe të vërtetë të kohës së komunizmit”, si ai që na la At Zef Pllumi tek kryevepra e tij «Rrno vetëm për me tregue».  Janë shkrue shumë vepra për at’ periudhë, prej shkrimtarësh të ndryshëm, por ajo e fratit françeskan qëndron si për nga pikëpamja artistike ashtu edhe nga ajo historike në nji plan ma naltë se tjerat. Rrëfimi i tij zhdrivillon rranjët e nji tragjedie kombtare që nisi në vitin 1944, nji luftë që për ne niste atëherë kur e gjithë Europa fitonte paqen e shumëandrrueme”.

Në përvjetorin e ndarjes së tij nga jeta tokësore, At Zef Pllumin e kujtojmë me admirim e mirënjohje, ndërsa në mendje tonë na kthehen vizionet e tij të mëdha, plotë shpresë, plotë dashuri e fuqi ungjillore që ua transmetonte të gjithëve. At Zef Pllumi ende sot mungon, u mungon Etërve Françeskanë, i mungon Kishës, i mungon botës së kulturës dhe shoqërisë shqiptare për vlerat që mishëronte e dëshmonte me bindje e thjeshtësi, me kujtesë të saktë e largpamësi.  Ai u konsiderua me të drejtë si ndërgjegjja e një treve dhe historie të tërë.

Jeta dhe veprimtaria e At Zef janë histori jete, feje, qëndrese, shprese, pra, histori vëllazërimi, dokument historik, dëshmi e dokument me vlera të mëdha kombëtare që na mundëson të shohim imtësisht atë çka ndodhi në Shqipëri gjatë regjimit të diktaturës ateiste komuniste.

At Zef Pllumi personalisht pati një jetë shumë të dhimbshme, plot vuajtje dhe sakrifica, por gjithmonë e kurdoherë besnik ndaj Fjalës së Zotit dhe bindjeve të fesë, ideve kulturore e kombëtare, të cilat diti t’i ruaj për rreth tre dekadave të burgjeve komuniste dhe t’i sjell nga errësira në dritë, nga vuajtja në liri, nga vdekja në ringjallje.

Edhe ne të redaksisë shqipe pranë Radio Vatikanit, sot Vatican News, ruajmë jo pak kujtime personale të paharrueshme të takimeve e bisedave që kemi pasur me At Zef Pllumin, gjatë qëndrimeve të tij në Romë e në Vatikan si dhe gjatë vizitave tona në Shkodër e në Shqipëri.

Sot në 100-vjetorin e lindjes të françeskanit At Zef Pllumi, ju propozojme disa fragmente nga intervista që realizuam në janar të vitit 2007 me At Zef Pllumin për programin shqip të Radio Vatikanit, me rastin e marrjes së çmimit “Penda e artë” për veprën “Rrno vetëm për me tregue”. Kjo vepër, pohon mes tjerash At Zefi, “rrëfen të vërtetën e fakteve pa inate, me ma të madhen paanësi, tuj tregue faktet pa i gjykue..”. ‘Rrno vetëm për me tregue’ ashtë “një mendim i ndryshëm prej të gjithë historianëve tjerë të Shqypnisë qi kanë shkrue deri me sot”.

R.SH. – Vatikan

SHKARKO APP