Radiot fetare të komunitetit si promovuese të bashkëjetesës dhe tolerancës

Nga Arben Muka

Spektri i transmetimeve radiofonike në Shqipëri është mjaft i deversifikuar. Në mesin e rreth 60 operatorëve që janë aktualisht on air, publikë apo privatë, me mbulim kombëtar apo lokal, gjen formate programacioni si gjeneralist ashtu dhe të tematizuar. Bazuar në legjislacionin që është në fuqi, si dhe në aktet rregullative të miratuara nga Autoriteti i Mediave Audiovizive, AMA, katër stacioneve iu është akorduar licenca si radio fetare komuniteti. Tri prej tyre vijojnë transmetimet duke mbuluar mbi 60 përqind të territorit të vendit, (Radio Spektrum e besimit musliman, Radio Ngjallja e besimit ortodoks, si dhe Radio Maria e besimit katolik), ndërkohë ende nuk ka filluar nga emetimi i programit Radio Dodona, si zëri i Kryegjyshatës Botërore Bektashiane të Shqipërisë.

Apelimi kundër gjuhës së urrejtjes, ekstremizmit dhe radikalizimit

Në një realitet multifetar të vendit tonë, roli dhe ndikimi i tyre është shumë i prekshëm për të promovuar bashkëjetesën dhe tolerancën mes besimeve të ndryshme. Sjellja e tyre është në sinkroni dhe me relatat e hapura dhe bashkëpunuese që kanë klerikët kryesorë dhe selitë religjoze të Shqipërisë, të cilët janë në kontakte sistematike mes tyre. Ata janë bërë bashkë në datat e shënuara të kalendarit religjoz, por kanë pasur të njëjtin zë dhe qëndrim të akorduar kundër fenomeneve dhe prirjeve negativiste, qofshin me natyrë sociale, apo politike, ekonomike etj. Në mënyrë të përsëritur kanë apeluar dhe kundër gjuhës së urrejtjes, ekstremizmit dhe radikalizimit, si fenomene dhe shprehi që nuk kanë lidhje me predikimin dhe aktivitetin religjoz të komuniteteve.

Shqipëria ka pasur dhe ka nevojë për investimin e grupimeve fetare në fushatën kundër radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm. Është fakt i njohur në vitet e fundit, që edhe nga vendi ynë ka pasur kontigjente – kryesisht mosha të reja – që iu bashkuan formacioneve të armatosura të atij që thirret si Shteti Islamik. Procesi zinxhir i propagandës dhe rekrutimit të tyre – madje duke marrë me vete dhe anëtarë të tjerë të familjes – evidentoi faktin se terreni social, sidomos në zona të pazhvilluara, mbetet i brishtë për t’u kontaminuar nga ideologji dhe praktika që bazohen tek urretja ndaj “atyre” që i përkasin një besimi të ndryshëm, që bëjnë ndasi në “ne” dhe “ata”, duke stigmatizuar dhe përcmuar grupime dhe individë të caktuar. Në këto pozicione kalimi i këtyre personave në mbrojtje dhe ushtrim të akteve terroriste është potencial.

Roli i medias në fushatat kundër fenomeneve të radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm është i pazëvendësueshëm. Në rradhë të parë duke informuar, për të mos i kategorizuar e konservuar këto aspekte duke i trajtuar si tabu e duke i lënë në hije. Por dhe duke hapur studiot për forume dhe diskutime mes ekspertëve, përfaqësuesve të shoqërisë civile apo protagonistëve të komunitetit, banorëve, të zgjedhurve lokalë, si dhe duke shtuar kohën e transmetimit për raportime nga terreni.

Redaksitë fetare – segment ndikues në tregun mediatik

Radiot fetare të komunitetit janë një segment ndikues në tregun mediatik për nxitjen dhe promovimin e tolerancës dhe bashkëjetesës në shoqërinë shqiptare. Vetë sistemi organizativ dhe menaxherial i tyre dallon nga pjesa tjetër e njësive mediatike, qofshin publike apo private – sepse bazohet tek vullnetarizmi i angazhimit të burimeve njerëzore, nuk priren nga komercializimi i kohës së transmetimit me promocion dhe reklama fitimprurëse. Krahas trajtimeve religjoze përmes predikimit, njohjes me librat e shenjtë apo analizës së koncepteve dhe fenomeneve fetare – redaksitë e këtyre radiove e fokusojnë programacionit në tema sociale nga ato më të prekshmet rreth familjes, shkollës, kohës së lirë, solidariteti dhe kontributi në komunitet, mbështetja për të pamundurit, lufta kundër veseve tek të rinjtë etj.

Prej dhjetorit të vitit 2017 redaksitë e tri radiove fetare të komunitetit kanë nisur bashkëpunimin mes tyre, duke shkëmbyer vizita tek njeri-tjetri, duke ndarë përvoja dhe diskutuar mbi problematika që hasin në aktivitetin e tyre. Sigurisht Radio Spektrum, Radio Ngjallja dhe Radio Maria kanë profilin e tyre të vecantë në përmbajtjet që transmetojnë dhe në linjën editoriale që ndjekin. Por urat e komunikimit të ndërsjellë, bashkëpunimi mes redaksive të radiove fetare të komunitetit janë mesazhi më i mirë në rradhë të parë për ata që kanë bërë zgjedhje të besojnë, janë çlirim energjish pozitive në një shoqëri si kjo e jona që ka aq shumë nevojë.

Para pak kohe, në konferencën mediatike “Radiot fetare në gjuhën shqipe” që u organizua në Tiranë nga Autoriteti i Mediave Audiovizive, Prefekti i Dikasterit të Vatikanit për Komunikimet Shoqërore, Dr. Paolo Ruffini, e shikoi rëndësinë e radiove fetare në rolin e tyre, sic tha ai, për të hedhur farën e paqes, duke dëshmuar fenë. “Siç edhe pohon Dokumenti për Vëllazërimin Njerëzor, nënshkruar në Abu Dabi, dialog ndërmjet besimtarëve do të thotë të takohemi në hapësirën e jashtëzakonshme të vlerave të përbashkëta shpirtërore, njerëzore e shoqërore e ta investojmë gjithë këtë në përhapjen e virtyteve më të larta morale, nxitur nga fetë”- u shpreh Dr. Ruffini.

arbenmuka.wordpress.com

SHKARKO APP