Rajmonda Bulku flet për kritikat e filmit “Duaje Emrin tënd” dhe këshillën e Kadaresë
Aktorja e njohur Rajmonda Bulku, e ftuar në emisionin “E diell”, ka ndarë detaje nga karriera dhe jeta e saj, duke u ndalur veçanërisht te reagimet që mori për rolin në filmin “Duaje Emrin tënd”. Ajo zbuloi se filmi kishte ngjallur pakënaqësi te disa individë nga Komiteti Qendror, të cilët e konsideronin “ngacmuese” për shkak të skenave ku ajo ecte në korridoret e hotelit, përdorte ashensorin, apo shprehte zhgënjim duke qarë pas një lidhjeje. Këta zyrtarë sugjeronin se “duhet t’i prisni ca plane” aktores.
Një pjesë e madhe e kritikave vinte gjithashtu nga të rinjtë shqiptarë, të cilët dërgonin letra në Kinostudio, duke e cilësuar filmin si “të degjeneruar”. Këto komente ishin të lidhura kryesisht me skenën ku ajo shfaqej e shtrirë me personazhin tjetër në Voloreka.
Bulku rrëfeu se ishte ndjerë shumë keq nga këto reagime, madje edhe bashkëshorti i saj ishte pyetur “ç’e mban ti atë grua”. Në këtë periudhë të vështirë, ajo kishte pirë një kafe me shkrimtarin e madh Ismail Kadare, të cilin e njihte edhe si skenarist nga bashkëpunimet e mëparshme në filmat e tij dhe të Helena Kadaresë.
Gjatë bisedës, Kadareja i kishte dhënë një këshillë domethënëse: “Mos të lëntë perëndia pa armiq se je e harruar”, një frazë që aktorja e kujton edhe sot.
KOHA JONË SONDAZH

