Realitete të panjohura të ikjes së madhe të shqiptarëve pas viteve ‘90

Rreth librit ”Sfida shqiptare në Londër” të Ruzhdi Jatës

Nga Dukagjin Hata

Pas romanit “Shpresa e Londrës”, një histori shqiptare në tokën londineze, një odise romaneske plot realizëm e befasime, si dhe librit tjetër me titull “Lutfi Vata-frymëzim për ardhmërinë”, ku në qendër të rrëfimit gazetaresk është një protagonist i diasporës së re shqiptare në Londër, shkrimtari dhe publisti Rruzhdi Jata vjen me një libër tjetër po kaq interesant, këtë radhë me fokusim rreth fateve të emigrantëve shqiptarë në vendet pritëse, në kërkim të vetvetes dhe një jete më dinjtoze.

Ballafqimi me disa vërteta të panjohura ose të njohura përciptazi, gjysëm të njohura, të rrugëve të fatit të ri shqiptar drejt “Tokës së Premtuar”, përtej kufijve të irnosur të delirit ideolgjik dhe klithmës së dogmës, është tema e librit më të ri publicistiko-letrar të autorit Rruzhdi Jata.

Në këtë rrëfim me zemër në dorë jepet udhëtimi sizifian i shqiptarëve, pas viteve 90, drejt botës së lirë, ku ka aq shumë ankth, dramë, makth, dhimbje tragjike, shpresë, shumë shpresë, për të arritur në cakun e ëndrrës dhe për t’u vetërealizuar në mjedise e rrethana të reja të shoqërive të hapura, joshja drejt të cilëve ka qenë një gravitet i gjithëkohshëm i shqiptarëve të dalë nga nata e izolimit makthioz gjysëmshekullor.

Nën titullin “Sfida shqiptare në Londër”, autori Ruzhdi Jata përcjell një sagë rrënqethëse të ikjes së shqiptarëve në mërgim, e cila të mbërthen me përshkrimet e gjalla realiste, me imtësinë e detajeve dhe fuqinë e imazheve të forta, kujtesave trondiëse që pasojnë njëra tjetrën.

Autori tregon për rrugët e fatit të atyre njerëzve që të ndodhur në situata delikate, të pasigurta gjer në ankth, u nisën në rrugëtimin e tyre nëpër det, drejt vendeve të Perëndimit, duke e paguar çmimin e një jete më të mirë deri dhe me jetën e tyre.

Ikja e tyre të kujton shpërnguljet makthioze biblike, nën mizorionë e përndjekjeve pa limit, por shqiptarët nuk i përndjek askush veç hijes së trishtë të së kaluarës, varfërisë së tejskajshme dhe deziluzioneve të pafundme për një demokraci reale dhe përfaqësuese të ëndrrave të tyre.

Në këtë degdisje gati fatale, drejt vendeve të huaja, të ikurit shpesh kaluan në duar trafikantësh të pashpirt dhe mizorë, çfarë jepet me ngjyra të gjalla dhe që të mbeten në kujtesë në faqet e këtij libri.

Është një endje e pafund në rrugët e detit dhe të malit, në këmbë, me tren, në det të hapur, me gomone, nën “mbikqyrjen” mafioze të trafikantëve, nën snajperat e policisë kufitare të vendve pritëse.

Jeta e mërgimtarëve në Angli zë kryet e vendit në këtë rrëfim tronditës, të mbushur me episode drithëruese, me përshkrime dhe analiza të imëta.

Integrimi i shqiptarëve në këtë tokë të bekuar shansesh dhe mundësishë, jepet me kthjellësi dhe realizëm, duke të mbushur me krenari që bashkëkombasit e tu, me dhuntitë, talentet, forcën e vullnetit dhe pathyeshmërinë e ëndrrës, ia kanë dalë të gjejnë vetveten në këtë tokë shanesh dhe mundësishë të pafundme.

Të përgjegjshëm dhe misionarë të ndryshimit të madh, shqiptarët ditën të bashkohen dhe organizohen, siç ka ndodhur me organizmin e tyre mbresëlënës në shoqatën “Sfida”, duke bërë që, nga “macja e zezë” dhe “ters”, siç përshkruheshin shqiptarët në Perëndim, në kronikat paragjykuese, në fillim të mërgatës së tyre, pas viteve ’90, në protagonistë të historive të suksesit, modele për t’u ndjekur edhe nga vetë vendasit.

Rruzhdi Jata është vetë pjesë e këtij integrimi fatlumë, ku së bashku me baskëshorten e tij, Kadimen, me vajzat Gretën dhe Rozanën, gjetën vetveten në Londër, ku jetojnë prej 20 vitesh. Janë me qindra të tjerë, mtelektualë të njohur, gazetarë, juristë, mjekë, shqiptarë të profesioneve nga më të ndryshmet, që ashtu si Rruzhdiu dhe familja e tij, ia kanë dalë të integrohen dhe plotërohen në këtë truall të begatë, që i jep mundësitë gjithëkujt të bëjë atë që di të bëjë më mirë dhe të realizojë ëndrrat e tij.

Përshkrimet e autorit janë të gjalla dhe vijnë në trajtën e mozaikut, ku një ngjarjeje i kthehet e rikthehet disa herë, duke e detajuar dhe plotësuar me elemente të rinj, me fakte dhe impresione të reja.

Pena zhbiruese dhe investiguese e gazetarit të vjetër pasohet nga një psikoanalizë e hollë dhe e imët e fakteve, nga reflektimi emocional i autorit ndaj të ndodhurës.

Si intelektuali dhe qytetar i angazhuar, si atdhetar dhe misionar i përçimit të vlerave më të mira të bashkëkombasve të tij në emigracionin londinez e më gjërë, Jata nuk resht së dhëni mesazhin e integrimit, që është kryemesazhi i librit të tij dhe që autori e përcjell në pamje dhe fokusime nga më të ndryshmet, nga më mbresëlënëset.

Nga faqja në faqe, rritet intesiteti qoftë i informacionit, qoftë i reflektimit, ku autori, teksa përshkruan jetën intensive në Londër, tubimet, komunikimet, trajnimet, këshillimet dhe afrimin e çdo lloj asistence njerëzore e teknike për të gjithë të paorientuarit dhe të pamundurit, mban qëndrim ndaj gjithë këtij “karuseli” të vrullshëm, duke e orientuar lexuesin në kërkimin e përvojave dhe modeleve më të mira për t’u ndjekur.

Malli për Shqipërinë, për vendlindjen, miqtë, shokët, të afërmit në këtë cep të dheut ballkanik, janë faqet më prekëse të librit, që lexohen me një frymë dhe të emocioojnë për peshën e të vërtetave të thjeshta e trondiëse që përcjellin.

Gazetari i vjetër kuksian, Ruzhdi Jata, me një stil të zhdërvjellët, plot ritëm informativ dhe investigues, me përshrime të kursyera, por gjithë kolorit gjuhësor dhe stilsitik, rrefën sagën qëndrestare të shqiptarëve në emigrimin e tyre më të ri, rrugët e mundimshme për të gjetur vetveten dhe mundësitë e shanset e një jete të re në “Tokën e Premtuar”.

Ky është shtrati rrëfimtar dhe vëzhgues, përshkrues dhe analitik ku e vendos kërkimin e tij gazetari Ruzhdi Jata, i cili merr përsipër të botojë një libër, ku tregohet qartazi se shqiptarët e ikur në Perëndim nuk janë “furnizuesit” e kronikave sensacionale të krimit dhe keqbërjes, por vizionarë të pashembullt, njerëz të përkushtuar që dinë të ndërtojnë jetën dhe të integrohen denjësisht në shoqëritë e civilizuara dhe demokratike të botës së lirë.

Shqiptarët në Londër e kudo që janë në Perëndim, në kërkim të fatit të tyre të ri, janë mesazherë të shqiptarisë, të vlerave më autentike të kombit të tyre dhe luftojnë kudo që ndodhen për të ruajtur dhe trashëguar vlerat e vendit të rrënjëve, me të cilat, duke ruajtur palcën e identitetit tonë kulturor e kombëtar, bëhemi më të besueshëm dhe më të pranishëm në sfidat e integrimeve globale.

E gjithë kjo sagë qëndrestare, që ka në themel aq shumë përpjekje dhe përkushtim, pasion dhe vullnet, përcillet me mprehtësi, sharm dhe elengancë në këtë libër të gazetarit dhe shkrimtarit Rruzhdi Jata, i cili na ofron mundësinë e njohjes së një realiteti jetësor, për të cilin ka pasur dhe ka aq shumë hamendësime e devijime dhe që tashmë ka ardhur koha të vijë në duart e lexuesit me kthjelltësi e realizëm, siç ndodh në faqet e këtij libri tëshkruar me thjeshtësi e sqimë, të mirëpritur nga lexuesi dhe kritika.

SHKARKO APP