Regjimi i dhunshëm osman dhe ripushtimi i trojeve shqiptare

Armiqësimi i shqiptarëve me pushtetin qendror osman është thelluar dhe është zgjeruar dukshëm si pasojë e rrënimit të pushtetit autonom të pashallëqeve shqiptare dhe centralizimit të pushtetit osman. Porta e Lartë ishte e vetëdijshme se këtë centralizim të pushtetit nuk mund ta bënte pa e rrënuar edhe autonominë e organizimit fisnor shqiptar dhe sistemin e bajrakut, tek i cili kishin mbështetjen kryesore ushtarake pashallëqet shqiptare, shkruan sot Koha Ditore.

Prandaj krahas eliminimit të pashallëqeve shqiptare dhe të elitës politike e intelektuale shqiptare, Porta bëri përpjekje që ta revidojë Kanunin shqiptar dhe të heqë autonominë e fiseve dhe sistemin e bajrakut. Me rrënimin e Pashallëqeve të Mëdha Shqiptare dhe me centralizimin e pushtetit osman, faktikisht filloi një nënshtrim i dhunshëm i shqiptarëve dhe një riokupim i trojeve të tyre, me çka filloi instalimi i një regjimi të dhunshëm ushtarak në këto troje.

Porta e Lartë tani në vend të drejtuesve shqiptarë të administratës në sanxhaqet me popullsi shumicë shqiptare, emëroi ushtarakë të kombësisë turke. Kjo çonte drejt turqizimit të administratës, respektivisht pamundësonte përdorimin e gjuhës shqipe në komunikimin gojor administrativ. Shqiptarët parimisht nuk ishin kundër atyre reformave shtetërore osmane të cilat çonin përpara barazinë ndërmjet komuniteteve fetare, dhe për këtë ata historikisht kanë dëshmuar një tolerancë fetare të pashembullt në Evropë. /Nehat Krasniqi/

SHKARKO APP