Requiem për njeriun, Ali Dema!

Nga Jozef Radi – 

Para pak ditësh vdiq Ali Dema!
Nji prej të shumtëve të kësaj bote, për të cilët ky emën s’do me thanë asgja, sepse në t’vërtetë ky njeri s’ka ba asgja të randsishme në jetën e tij, veç vuejtjes. E nëse asht fjala për vuejtjen, Ali Dema, i biri Hysni Demës dhe i Vasfijes, mund të hyjë pa frikë në cilëndo enciklopedi të kësaj bote të madhe: sepse asht ndër ata që e nisën vuejtjen ndëshkuese të shtetit ende pa i mbushë katërmbëdhjetë vitet dhe doli prej saj (nëse mund të quhet dalje – ikja nga skëterra) sapo kish mbushë gjatëshjetë vitet: bash ditën e daljes së tij në pension. Pra, për pothuej 17000 ditë të jetës së tij, ai asht paraqitë në apel para policit, ose Mihal Kshillit, të paktën dy herë në ditë…
E pabesueshme, por fatkeqsisht e vërtetë…
Ali Dema i kaloi nji për nji gjithë kampet e interrnimit, nga ai i Beratit, te ai i Tepelenës, në Kuç të Kurveleshit e deri tek kampet e shumta të Myzeqesë, pa qenë nji herë i lirë, për zbritë nji herë në qytet pa lejen e Degës…qoftë edhe me e pi nji kafe. Edhe pse njeri me ndonji inteligjentë jo fort brilante, ai mbetet ndër shembujt ma ekzemplar të ndëshkimit prej diktaturës… Atij i merrej edhe pak goja, gja qe e ndihmonte ta maste mirë fjalën dhe fjalinë që thoshte, për mos me u futë lehtë në nenin e famshëm 55, që rrinte rrotull i gatshëm si gazi i Degës!
Ali Dema e kaloi pjesën ma të madhe të jetës me nanën, Vasfijen: i pamartuem, i parealizuem si burrë, si prind, i pamundumn me e gëzue nji ditë të rinisë së vet, i pamundun për gjithçka. Edhe pse i vetëm, mbas vdekjes së nanës, ai mbeti gjithnji ashtu i pastër, i hekurosun, i rregullt, me cigaret që i konsumonte me kujdes, nji tifoz i paepun Tironës së Ali Memës dhe i gjermanëve të Franc Beckenbauerit… emrin e të cilit i duhesh nji kohë bukur e gjatë me thanë të plotë…
Gjithë vitet e vuejtjes që kishte kalue në të njejtat vende me familjen tonë e kishin ba njeri të shtëpisë, e në veçanti mua më konsideronte të vetin, pse më kishte rritë në kampin e Kuçit, duke më mbajtë në qafë, me krejt pasojet që ndodhin kur mban në qafë për nji kohë të gjatë nji fëmijë…
Asht e pamundun që kush e ka njoftë Ali Demën, të mos ketë me tregue diçka për të, shpesh edhe me ndonji ndjenjë humori, që ky njeri i ndëshkuem, i vetmuem dhe i braktisun linte ngadi që shkonte…
Para dy-tre vitesh e shof Ali Demën të veshun ma së miri në nji bar te qoshja e rrugës Ali Pash Gucia, ku më thanë se rrinte pothuej përditë. Mbas kaq e kaq vitesh që e kishim humbë njeni-tjetrin, iu afrova dhe i them: “Zotni, ju jeni Ali Dema?” Me nji shikim dyshues, e zbraps pak e më tha “Po unë jam!” “Të kam pshurrë në qafë para shumë vitesh, thashë po e provoj a bahet gja me të pshurrë edhe sot n’qafë!” Për pak çaste u tremb, mandej e mblodhi veten dhe më pyeti se kush isha… S’i tregova. I thashë se prisja nji përgjigje për çka e pyeta… E mori me të qeshun dhe u përpoq me gjetë nji emën po s’e ndihmoi kujtesa… Kur i thashë kush isha, nji curril loti i rrëshqiti nëpër faqet e rrudhosuna dhe m’përqafoi si të isha fëmija i tij, ai fëmijë i munguem që s’e pati kurrë. Më ftoi te shtëpia e tij e madhe, më tha “Hajde kur të duash, na çelsin, e ke si shtëpinë tande, kemi me hangër e me pi sa të duash, aaa vevevetëm… fefefemna jo, se due me shkue n’xhenxhenet i pastër!
Qeshëm! Qeshëm dhe kujtuem gjithçka të asaj jete të përbashkët, vite që edhe mbrenda së keqes së tyne, ka mbetë diçka e bukur dhe e paharrueshme… U përqafuem dhe u ndamë.
“Sa herë që të vish, çelsat ja ku i ke, si në shtëpinë tande!” më bërtiti nga larg. Lotët që i kisha fshehë kur e takova, nuk i mbajta dot ma…
Ishte loti i fundit që e ndamë përgjysëm!
Ali Dema iku dhe s’e mori dot nji grusht dhe prej shumë nga ne që e kemi pasë bashkvuejtësin tonë të famshëm. Po ai sigurisht na e ka ba hallall, pamundësinë tonë!
Ky shkrim në kujtim të tij, asht ai grusht dhe i pahedhun prej meje dhe prej gjithë atyne që e kanë njoftë kët personazh të veçantë të jetës së kampeve. Ali Dema ka për t’u kujtue si djaloshi që 46 vitet e komunizmit, ditë e m’ditë i ka përcjellë me apelin e mëngjesut dhe mbramjes… pa e marrë vesh kurrë se çfarë t’keqeje aq të madhe i kishte ba ai atij shteti, që s’i la nji ditë të vetme me jetue si njeri…
I lehtë i qoftë dheu Ali Demës: njeriu që i vetëm erdhi dhe i vetëm shkoi, pa i marrë dhe pa i dhanë asgja kësaj bote, e me gjithë privacionet që i shkaktoi kjo botë atij ai u përpoq dhe mbeti njeri!

 

/Publikim i vitit 2012 ne faqen e autorit – Jozef Radi/

SHKARKO APP