Restaurimi i dy ikonave “Mbledhja e Kryeëngjëjve”, Kumbaro: Punë që mahnit
Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro ka vlerësuar punën e kryer nga Drejtoria e Kulturës në Berat për restaurimin e dy ikonave të veçanta me emërtimin “Mbledhja e Kryeëngjëjve”, të autorëve Johan Çetiri dhe Kostandin Zografit.
Gjatë një inspektimi të kryyer në labortatorin e restaurimit të ikonave, Kumbaro shkruan: “Punë që mahnit! Arti i restaurimit të ikonave është punë, pasion, talent që s’të zhgënjen! Miltiadh Bibo dhe Altin Tabaku janë dy restauratorët duarartë në DRKK Berat që rikthyen në jetë laboratorin e restaurimit të ikonave dhe nxjerrin në dritë thesat e fshehura të Beratit. I gjeni në Pavijonin e ri të Muzeut Onufri. Mos humbni dy restaurimet e fundit mga veprat e Çetirit dhe Kostandin Zografit”.
Ikona me emërtim ” Mbledhja e Kryeëngjëjve ” me autor Johan Çetirin është pjesë e fondit të Ikonave në DRKK Berat, me përmasat 97.5 x 70 cm. Para se të restaurohej ikona paraqitej në një gjendje të dëmtuar, në disa pjesë grundi ka pasur çarje dhe shkëputje, verniku paraqitej i errësuar me papastërti të ndryshme.
Restaurimi kaloi nëpër një proces të gjatë, i cili kaloi në disa faza si-konsolidimi i grundit dhe i pelikulit të piktures dhe konsolidimi i suportit të drurit.
Kjo ikonë është marrë nga Kisha e Shën Thanasit në Karavasta, Lushnje. Thuajse njëkohësisht me restaurimin e saj, specilaistët e DRKK Berat përfunduan edhe restaurimin e ikonës së Kostandin Zografit . Ikona me autor Kostandin Zografin është marrë nga kisha e “Shën Kollit”, Vanaj në Fier.
DRKK Berat pohon se puna do të vazhdojë me zbulimin e veprave të tjera nga fondi i ateljesë ku specialistët e artit janë duke përgatitur projektet e reja restauruese. Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Berat ka si qëllim kryesor nxjerrjen e këtyre veprave të artit nga faza e degradimit ,duke i dhënë mundësinë e ekspozimit në vijimësinë e një procesi që ka për vizion ruajtjen dhe promovimin e Trashëgimisë Kulturore.