Restaurimi i Sallës së Koncerteve, Margariti: Përtej modernizimit, do të ruhet gjithçka autentike
Salla e Koncerteve e Universitetit të Arteve do t’i nënshtrohet rikonstruksionit tërësor dhe puna pritet të nisë shumë shpejt. Në Prill të vitit 2022 është parashikuar të përfundojë projekti i restaurimit dhe rikthimi i saj në funksion të jetës artistike.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti thotë se me restaurimin e sallës së koncerteve do të ndryshojë çdo gjë që lidhet me standardet evropiane, të evakuimit në rastin e emergjencave, por do të ruhet gjithçka autentike, jo vetëm në elemente arkitektonikë, por sidomos në akustikën e sallës. Margariti tha se është bërë një punë e gjatë për kryer të gjithë studimin, karakteristikat e sallës dhe hapësirat përreth.
”Një projekt shumë i detajuar, kemi përfunduar projektin e zbatimit që do të implementohet përmes partnerit TAP me vlerë prej 1,7 mln euro dhe 2 mln euro nga buxheti i shtetit. Kriteri primar në hartimin e projektit ka qenë ruajtja e çdo elementi origjinal të saj. Falë punës së Universitetit të Firences, përmes gjithë hulumtimit kanë bërë detajimin e elementeve arkitektonikë të sallës. Pjesa e ndriçimit do të përmirësohet për të arritur standardet e një salle moderne”.