Restaurohet kisha e Apostujve, teknika e përdorur po shkakton debate

Kisha e Apostujve në Hoshtevë të Zagorisë , një prej monumenteve më të rrallë të kultit dhe artit të mesjetës që prej dekadash rrezikonte shembjen dhe humbjen e afreskëve, ka filluar restaurimin.

Projekti i restaurimit është mbështetur nga Ministria e Kulturës dhe është duke u zbatuar nga kompania ‘Manes shpk’,  e cila thotë se do t’i kryejë punimet brenda këtij viti.

Por ekspertë dhe banorë po i kundërshtojnë teknikat që po përdoren në restaurim .

I gjithë hajati i kishës është çmontuar dhe ka filluar puna për ringritjen e tij. Teknika që duket se do të zbatohet edhe me murin e pasëm të kishës, sipas kryeplakut të fshatit Paskal Nasi, është një punë e pakujdesshme në këtë monument.

“Është një nga punët më skandaloze, më kriminale. Në pamje të parë shitet si një restaurim, por në fakt është ‘pushkatim’. Nuk ka mendje të shëndoshë që ta mendojë se kur ti prish një pjesë të monumentit , duke e ribërë ke ruajtur monumentin”, tha ai për Top Channel.

Një vizitore nga Gjermania, Julia Bobinger u shpreh se teknika e përdorur e restaurimit e ka habitur.

“Unë vij këtu për herë të dytë dhe sigurisht është një lajm i mirë fillimi i punimeve për restaurimin e kishës. Ky objekt më ka impresionuar shumë dhe u habita kur pashë se pjesa ballore po rindërtohet. Do doja të mos kishte fatin e urës së Hoshtevës që fatkeqësisht nuk e pashë më aty kur kalova”, u shpreh ajo.

Ndërsa arkitekti restaurator Reshat Gega tha se teknika është e papranueshme dhe se po dëmton vlerën e këtij objekti.

“Ka shumë mungesa, edhe më elementaret. Ka gurë që janë copëtuar; u copëtuan për shkak të ustallarëve të firmës. Ata thonë se i vendosën ashtu se është në projekt.”

Por ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro është shprehur se ky operacion ndërhyrjesh do ta shpëtojë objektin që ka probleme madhore konstruktive.

Kisha e Apostujve apo e njohur si Kisha e Shën Pjetrit dhe Pavllos është e vetmja që i ka rezistuar kohës mes 24 kishave të zonës më të thellë të Zagories në Gjirokastër.

SHKARKO APP