Restaurohet memoriali i Skënderbeut

Memoriali i Vendvarrimit të Heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu në qytetin e Lezhës, po ndryshon pamjen me punimet restauruese që po kryhen këtu, për ta bërë sa më atraktiv për pritjen e vizitorëve dhe turistëve nga vendi, rajoni e bota, për t`u njohur nga afër me jetën dhe veprën e lavdishme të këtij Heroi. Një investim serioz dhe i domosdoshëm, me vlera historike e kulturore dhe një dhuratë e bukur në jubileun e vitit mbarëkombëtar të 550 vjetorit të Skënderbeut i Ministrisë së Kulturës, përmes Institutit të Monumenteve të Kulturës, po bën që Memoriali i Vendvarrimit të Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, të rijetëzohet dhe të jetë kurdoherë në funksion të vizitorëve dhe turistëve brenda e jashtë vendit, që preferojnë këtë institucion kulturor, me punimet që po kryhen nga subjekti ndërtues KAEXH shpk, sipas parametrave të kërkuara e në mënyrë profesionale. Inxhinieri zbatues i punimeve në këtë Memorial, Ing. Alfred Xhafaj, teksa po ndiqte punimet këtu, tregon për “Koha Jonë “, punimet e nevojshme restauruese që po kryhen në Memorialin e Vendvarrimit të Skënderbeut, me punën e kujdesshme e në parametrat e kërkuara, për ta rivitalizuar funksionin historik e kulturor e këtij objekti me rëndësi e vlera kombëtare. Kështu, është bërë komplet ndërrimi i mbulesës me strukturë metalike xhami, me trashësinë e dritën e kërkuar dhe të nevojshme, fugatimi i mureve të kishës së Shën-Nikollës, konsolidimi dhe fugatimi i mureve antik, shtrimi i rrugicës nga ura e deri në hyrje të Memorialit me gurë dekorativ e pllaka, zgjerimi i urën hyrëse e ndriçimi, restaurimi i Mozaikut me shqiponjë, pastrimi dhe luçidimi i pllakave të Memorialit të Skënderbeut, fasada dhe dyshemeja, vendosja e sistemit të ri elektrik, me sigurimin e ndriçimit të nevojshëm brenda e jashtë Memorialit e punimet e tjera që vazhdojnë, për ta sjellë në identitet këtë institucion historik e kulturor. Një ndërhyrje e domosdoshme restauruese për një objekt kulturor, që u flet kurdoherë për jetën dhe veprën e pavdekshme të Gjergj Kastrioti-Skënderbeu e luftërat për liri e pavarësi e bashkim kombëtar, jo vetëm qytetarëve lezhjanë, që janë krenarë për këtë vepër dhe vetë Heroin kombëtar, por edhe për vizitorët e turistët e shumtë nga vendi e bota, të moshave e profesioneve të ndryshme, që preferojnë të vizitojnë këtë memorial. Kisha e Shën –Nikollit, e shek XIV, Vendvarrimi i Skënderbeut, muret e Qytetit Antik, Zona Breglumore e Parkut Arkeologjik e qytetit historik të Lezhës, relike të çmuara historike, me vlera kulturore kombëtare në ço kohë.

Jak Rrozhani

SHKARKO APP