Rikard Ljarja homazhe për Kiço Blushin: Atë dhe Vangjush Furxhiun i ngelën në gjimnaz në… Letërsi, por në këtë fushë u bënë figura kombëtare
RIKARD LJARJA/
Kiçoja iku… Shkoi… U njohëm në 1962. Me një vit vonesë. Nga një paradoks: Në vitin e fundit të gjimnazit, në maturë, dy nxënës që ishin rritur bashkë që fëmijë se ishin komshinj, i mbetën në klasë.
Në letërsi.
Kështu që ishin të detyruar të përsëritnin vitin.
Këta ishin: Vangjush Furxhiu dhe Kiço Blushi.
Të dy erdhën me një vit vonesë në universitet.
Nuk ishte paradoks?
Të dy u bënë figura kombëtare, pikërisht në atë lëndë që mbetën në klasë.
Prandaj edhe unë i njoha me një vit vonesë.
Fjetëm në një dhomë në konvikt me Kiçon.
Kiçoja shkruante vjersha në fletore me stilograf me bojë blu. (Një nga këto poezi në
dy faqe fletoreje e kam ende sot diku mes letrave të mia).
Ndonjë të shtunë pinim raki, birrë apo ç’të kishte qëlluar me ca salsiçe të fryra faqekuqe dhe me një gjysmë panineje të rreshkur, duke kruar fundet e xhepave.
Ndonjëherë edhe e tepronim kur ktheheshim natën, duke kënduar në mes të bulevardit, aq sa rojet e Kryeministrisë na ndalonin. Po kur merrnin vesh se ishim
studentë… nuk e bënin problem. (Ishin vitet ’60). Te dera kryesore e Kryeministrisë një natë qëlloi Fehmiu, një shkodran i mirë që njiheshim për fytyrë, na dha ca
këshilla dhe… Natën e mirë, kujdes herë tjetër…
Po asnjëherë nuk e kaluam masën.
“Ishim djem të mirë, i kishim të gjitha mundësitë të rrëshqisnim”, më tha një ditë
tani vonë. “I kishim mendtë në kokë dhe mos harro se nuk i kishim mbushur të
njëzetat apo aty rrotull”.
Shkolla mbaroi.
U diplomuam.
Po nuk e kënduam “Gaudeamus”…
Pastaj, hymë në jetë. Gjithçka ishte ndryshe, nuk ishte si atëherë kur ishim studentë. Dhe nuk kishim se kush të na këshillonte.
Për të pirë, prapë pinim, po gjithmonë me karar.
Filluan bërrylat.
Ishte i pari që mori një goditje të fortë turinjve. Iu morën pak këmbët, por nuk u rrëzua.
Të çash mes tallazeve të krijuesve, sidomos të paaftëve, pa asnjë përkrahje ishte e
vështirë, po puna me ngulm dhe talenti diku do të dilnin në faqe.
Dhe Kiços i doli.
Poet, romancier, skenarist, (skenari është një gjini e veçante e letërsisë, është baras me
një roman e ndoshta dhe pak më shumë).
Kiçoja ishte qytetar i mirë. Nuk ishte indiferent. Shkrimet e tij për çështje sociale janë
për t’u marrë shembull.
Të flasësh për krijimtarinë e Kiços…
Nuk ishte as majtas e as djathtas.
Ishte drejt… drejt…
I drejtë deri në fund dhe i bardhë.
Ne ishim një grup shokësh të një brezi, që merreshim vesh shumë mirë me njeri-tjetrin,
pak a shumë ishim në të njëjtën sferë të krijimtarisë: gazetar, shkrimtar, aktor…
… dhe tashti arritëm një moshë… disa prej nesh u larguan nga kjo jetë duke lënë kujtime
veç të mira, lanë punë, lanë humor, lanë trashëgimtarë…
Dhe Kiçoja iku…
Ne nuk do ta harrojmë dhe jo veç ne.
E kam ende në vesh zërin e tij që gurgullonte në telefon një natë para se të shtrohej në spital… gjithashtu dhe të nesërmen e orën 9:20 nga spitali…
Dhe shkoi…
… Ndoshta… ndoshta shkoi tek Ai, të cilit i mbante emrin…