Rikthehet Katerina Biga, një nga aktoret më “Big” të humorit shkodran (FOTO)
Nuk mund të themi që Shqipëria nuk prodhon, apo s’do të prodhojë më artistë të mëdhenj, por diçka është e sigurtë, aktorët e humorit shkodranë nuk përsëriten. E kur flasim me kaq siguri, rikthejmë ndërmend jo vetëm fabulat dhe mesazhet e sjella me mjeshtëri tek publiku, por edhe aftësinë për t’u bërë njësh me karakteret e shumta, interpretuar ndër vite.
Një ndër këta artistë të mëndhenj është padyshim edhe Katerina Biga. Biondja simpatike dhe shumë e dashur për publikun shqiptar, pas viteve ‘90-të është shpërngulur me familjen dhe jeton jashtë Shqipërisë, por këto ditë duket se është kthyer në vendlindje. Pikërisht në Shkodër.
Ka qenë një fotografi me mjeshtrin Zef Deda, e publikuar nga ai në profilin e Facebook që ka konfirmuar rikthimin e saj në qytetin e Shkodrës.
“Keni të fala nga artistja e madhe e Estradës së Shkodrës, Katerina Biga”, shkruan Zef Deda.
Është kthyer për të përgjithmonë, apo përkohësisht, këtë nuk e dime ende, por ajo çka dimë me siguri është fakti që, Katerina Biga mbetet një nga artistet më të mëdha të vendit tonë.
Me qindra skeçe, estrada dhe komedi që mbajnë firmën e të ndjerit, Paulin Selimi, aktorët e humorit shkodran, si Tano Banushi, Zef Deda, Besnik Çinari, Zyliha Miloti, Sandër Ruçi, Katerina Biga, Edmond Halili, Paulin Preka, Drande Xhai, Gëzim Kruja, etj.. guxojmë ta themi që mbeten ajka e humorit shqiptar.
Katerina Biga ka lindur në qytetin e Shkodrës në vitin 1947. I ati i saj quhej Shpend Sokol Biga dhe ishte nga Gimajt, ndërsa e ëma quhej Leze Zefja, që ishte bijë nga Lekajt e Shalës. Katerina Biga ka mbaruar shkollën e mesme pedagogjike me rezultate shumë të mira dhe për rreth dy vite ka punuar mësuese në Tamare të Malësisë së Madhe.
Gjatë gjithë punës si mësuese është shquar për përgatitjen e lartë shkencore, intelektin natyror dhe erudicionin e gjërë të fituar mbi bazën e një pune të vazhdueshme e këmbëngulëse për vetëformimin e kompletimin e gurës së saj si një intelektuale e mirëfilltë. Ndonëse pa ndonjë shkollë përkatëse, tek Katerina në veçanti spikaste prirja aktoriale që përfaqësonte në vetvete, kështu që në vitin 1975 lloi punë si aktore profesionte në estradën e Shkodrës. Mjaftoi vetëm pak kohë që Katerina të bëhej një nga aktoret më të dashura për publikun dhe mjaft e respektuar nga stafi drejtues i estradës së Teatrit Migjeni.
Asaj tashmë iu besuan role nga më të ndërlikuarat për t’i interpretuar në skenë. Në këtë periudhë Katerina i kalon kufijtë e njohjes, jo vetëm për qytetin e Shkodrës, por gura e saj bëhet e dashur dhe e respektuar në mbarë Shqipërinë. Depërtimi në botën e brendshme të personazhit, njehsimi me të, virtualiteti interpretues, gjestikulacioni i përkryer e renditin atë në majat më të larta të plejadës së aktorëve shkodranë të asaj kohe. Gjithë përkushtimin, mundin, djersën e talentin Katerina Biga ia fali për 18 vite estradës së Shkodrës. Në historikun e kësaj estrade, ajo ka lënë gjurmën e pashlyer në rrugën e artë të kësaj estrade, shkruan poeti dhe publicisti Prelë Milani.
Për shumë kohë në memorien e njerëzve do të mbeten të paharruara rolet e saj, të cilat i dhuruan buzëqeshjen e thellë spektatorit, ku ndër të tjerë, përmendim: Cikolarja e Gonxhes, Lena në banak, roli i Zanës në komedinë “Nën hijen e një dege”, Lili tek skeçi “Xhemal Katunari”, etj.. Një interpretim i shkëlqyer që nuk mund të lihet pa u përmendur ishte roli i Katerinës në filmin e njohur “Ballë për ballë”.
/Albina Gjergji/