Rikthehet me recitalin e radhës “Mjeshtri i Madh” i këngës popullore, Bujar Qamili

Prej disa ditësh këngëtari i muzikës popullore, Bujar Qamili ka nisur provat për spektaklin e radhës, që do të mbahet më datë 20 maj. Ky koncert, i cili do të zhvillohet në Pallatin e Kongreseve do të shënojë edhe recitalin e shtatë në numër të artistit shkodran.

Muzikë e zgjedhur nga repertori i tij i pasur, humor tipik shkodran, të ftuar special, si dhe mjaft surpriza të tjera janë rezervuar për këtë mbrëmje, e cila do të nisë në orën 19: 00 dhe me shumë gjasë do të vazhdojë deri në mesnatë.

Këtë na e konfirmon edhe vetë protagonisti i recitalit, Bujar Qamili, i cili për “Koha Jonë” tregon që, përveç magjisë së muzikës shkodrane, miq specialë do të nderojnë koncertin me pjesëmarrjen e tyre.

“Do të jetë një mbrëmje e magjishme. Publiku do të ketë mundësinë të argëtohet me muzikë fantastike. Me provat e orkestrës jemi shumë mirë dhe gjithçka duket se është në rrugën e duhur”, tregon këngëtari, ndërsa zbulon se miqtë e ftuar gjithashtu do të dhurojnë emocione dhe atmosferë. “Humoristët shkodranë si Zyliha Miloti, Drande Xhai, Gëzim Kruja, Besnik Çinari, Muhamet Çekini, Bes Kallaku dhe parodistët e Vlorës janë një pjesë e surprizës së recitalit tim, por edhe të tjerë artistë do të ndezin skenën. Siç është për shembull Shkëlzen Jetishi (Xeni), këngëtari kosovar mjaft i dashur për publikun shqiptar, Mateus Frroku, grupi polifonik, “Cipini”, si dhe grupi i valleve drejtuar nga koreografi, Arian Plaku ”, etj.

Nën moderimin e prezantueses së mirënjohur, Silvana Braçe, spektakli i datës 20 maj do të nisë në orën 19:00 në Pallatin e Kongreseve, Tiranë. Kush ende nuk ka prenotuar biletat duhet të nxitojë, pasi numri i tyre është drejt fundit.

Biletat mund t’i gjeni pranë sportelit të Pallatit të Kongreseve, në Teatrin “Migjeni” – Shkodër, si dhe në numrat e kontaktit: +355698440000, +355692121892 dhe +355696204245.  /Albina Gjergji – Koha Jonë/

SHKARKO APP