Rikthimi “Pa kthim” i Keti Bashhysës në një kabaret përtej klishéve

E keni menduar ndonjëherë sesi do të ishte një rikthim “Pa kthim”? Brenda një hapësire bosh që befas nis të mbushet me hapa, frymëmarrje, tinguj, kërcime, aktrim, prozhektorë dhe… në fokus protagonist, SHPIRTI.

Një shpirt rebel që guxon, hidhet, sfidon, përplaset me botën e të tjerëve përballë të (a)saj. Të asaj bote përplot, e cila nuk bindet për të marrë formën e turmës.

E ka titulluar “Pa kthim” projektin e radhës Keti Bashhysa. Artistja durrsake, e cila prej shumë vitesh guxon të jetë ndryshe është gati për t’u ringjitur në skenë.

Aspak e zakonshme në kreativitetin e saj dhe përtej kostos që klishetë pjellin, Bashhysa me muzën e saj artistike do të rikthehet edhe më e vendosur në të qënurit të asaj çka ajo është.

Me një repertor të zgjedhur muzikor (Cello), aktrim, balet, keengee dhe me të papritura të tjera, Keti Bashhysa me datë 28 prill mirëpret dashamirësit e së bukurës në Teatrin “Aleksandër Moisiu”, Durrës.

Biletat kanë nisur të shiten pranë këtij Teatri.

Keti Bashhysa, përveçse aktore dhe violonçeliste është edhe mësimdhënëse muzike, gazetare dhe moderatore e njohur në vend.

Ndër disa projekte teatrore-artistike, shfaqja e fundit e Keti Bashhysës ka qenë ajo me titull “Mëkatarja”, një përshtatje nga shkrimtari Dino Buzati që violonçelistja e solli formën më të bukur të mundshme. /Albina Gjergji/

/Burimi: VOX ALBANIAE/

SHKARKO APP