Rishkrimi i historisë së shqiptarëve/ Projekti madhor mbi 300 mln lekë, Milo: Fakt i panjohur, Mithat Frashëri takoi Zervën
Akademia e Shkencave ka ngritur grupin e punës për rishkrimin e historisë së shqiptarëve. Në të përfshihen edhe trevat jashtështetërore, sikundër do rishqyrtohen debatet e mëdha për të sjellë një tekst sintetik me qëllim përkthimin në gjuhën angleze. Nga antikiteti në ditët tona, debatet do rihapen per Esat Pashen, luftën a trajtimin e komunizmit.
Historiani Beqir Meta thotë se “duhet parë gjithë kostelacioni i dokumenteve për të parë se çfarë roli luajti Esat Pashë Toptani në luftën e Shkodrës. Përpara ka qenë trajtuar në këndvështrim negativ” tha ai. I pyetur për qasjen mbi komunizmin dhe vetë kampin e Tepelenës, Meta sqaroi: “se Kampi i Tepelenës ka qenë një kamp pune i detyrueshëm ku kanë vuajtur shumë njerëz e familje por ku edhe kanë vdekur fëmijë. Kjo periudhë ka një memorie të gjallë historike”.
Nga Meta te Paskal Milo, Pëllumb Xhufi, Neritan Ceka, Muzafer Korkuti, Mareglen Verli, Apollon Baçe e Luan Përzhita, me projektin do të merren emrat e konsoliduar në shkencë, ndërsa më të rinjtë janë pak, duke lënë jashtë autorët e diasporës. Ndarja me ballistë e partizanë duket se do vazhdojë përmes dokumenteve të reja.
Profesor Paskal Milo flet për risi. “Do të fillojmë me një fakt historik të panjohur. Që ka të bëjë me Mithat Frashërin, i cili 1-3 maj 1944 ka takuar Napolon Zerven, një nga përgjegjësit kryesorë të shfarosjes së popullsisë çame dhe kryetari i Ballit Kombëtar është ulur në bisedime me të për të bashkëpunuar në kohën e luftës”, tha Milo, duke cituar mandej një letër të një ushtari që shkruan nga Shkodra më 29 nëntor, çka rikthen debatin e çlirimit.
Projekti madhor do të zgjasë deri më 2023. Historia bashkë me Fjalorin e Madh dhe Enciklopedinë kushtojnë 100 mln lek të reja, ose një miliard dollarë, duke bërë që secili më vete të kushtojë rreth 300 mln lekë të vjetra.