Roli i fisnikërisë shqiptare nën udhëheqjen e Skënderbeut

Konferenca Ndërkombëtare e Albanologjisë, kushtuar heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, po nxit pasurimin e informacionit akademik dhe kulturor të historisë së vendit gjatë Mesjetës. Figura e Skënderbeut në këtë konferencë në kuadër të aktiviteteve për Vitin Mbarëkombëtar të Skënderbeut, prek veçanërisht ndikimin e tij përtej kufijve dhe territoreve shqiptare, duke na përcjellë një figurë reale dhe mitike të tij.
Historiani Ferit Duka mbajti ligjëratën e tij në një këndvështrim ndryshe, ku pjesë interesante e saj ishte trajtimi i fisnikërisë shqiptare në dy periudha të rëndësishme, në atë mesjetare dhe në fillimet e erës Osmane.
Në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare historiani Ferit Duka u shpreh se, “figura e Skënderbeut simbolizon një njeri që iu kushtua kauzës më të shenjtë të njerëzimit që është liria. Ai vendosi një pikë të fortë reference për të gjitha periudhat historike të Shqipërisë. Skënderbeu është një personalitet që sot është bërë simbol i integrimit të shqiptarëve në botën e qytetëruar euroatlantike”. “Ky cikël ligjëratash është jo vetëm një shkëmbim mendimesh dhe idesh midis rretheve akademike shqiptare dhe atyre të huajave por është një rast shumë i bukur për komunikimin e rezultateve shkencore një auditori të gjerë, që i shërben edukimit të shoqërisë shqiptare me historinë e saj dhe me vlerat e çmuara që na përcjell historia jonë”, tha Duka.
Në lidhje me ligjëratën e tij në konferencë ai u shpreh se ”trajton çështje thelbësore të cilat kanë të bëjnë me paraqitjen e fisnikërisë shqiptare në dy periudha të rëndësishme në atë mesjetare dhe në fillimet e erës Osmane. Shtresa shoqërore e shoqërisë shqiptare, fisnikëria mori përgjegjësinë e organizimit të luftës së armatosur të lëvizjes çlirimtare kundër sundimit osman nën udhëheqjen e Skënderbeut”, theksoi historian Ferit Duka. “Shtresa e fisnikërisë iu bashkua Skënderbeut në këtë luftë të madhe çlirimtare e cila ishte jo vetëm me përmasa shqiptare por dhe me përmasa europiane. Pjesa tjetër e kësaj shtrese u islamizua dhe u integrua në radhët e klasës sundues osmane”, përfundoi Ferit Duka.
Kjo konferencë albanologjike e cila po zhvillohet në kuadër të vitit mbarëkombëtar të Skënderbeut po tërheq vëmendjen dhe interesin e studiuesve të huaj dhe vendas, të cilët po ndajnë studime më të thelluara në fushën shkencore për figurën e heroit tonë. Akademikë, studiues, kërkues por dhe studentë po i ndjekin me një interes të gjerë dhe në një mënyrë shumë interaktive këto ligjërata.
Në këtë pikëpamje konferenca është e një rëndësie të madhe pasi mbledh gjithë këto mesazhe që janë të një rëndësie të madhe për kulturën e Shqipërisë, mbi të gjitha në një moment që Shqipëria po i afrohet Europës dhe Perëndimit.

SHKARKO APP