Romani “La Quinta” i Albert Frashërit në 5 finalistët e konkursit ndërkombëtar “La Pergola d’Arte 2018, Firenze”
Nga Dashnor Kaloçi
Konkursi “Premio Letterario Internazionale – La Pergola d’Arte 2018”, edicioni X, Firence, organizohet nga Shoqata kulturore “La Pergola d’Arte” (Firence). Në këtë konkurs editorët mund të paraqesin vepra letrare: poezi, tregime, essè dhe romane të llojeve të ndryshme. Ambjenti dhe tradita kulturore e krahinës së Toskanës dhe Firences, në veçanti, e kanë trasformuar ketë event të botës së artit në një synim të dëshiruar të njerëzve të botës letrare.
Këto ditë juria e konkursit botoi online emrat e finalistëve të konkursit, ceremonia e të cilit do të bëhet në 27 tetor në auditorin e shoqatës në Firence.
Konkurimi në këtë aktivitet bëhet në disa seksione, ndër të cilat ajo e prozës së gjatë (romanit) është nga më të rëndësishmet. Aty marrin pjesë shkrimtarë italianë dhe të huaj. Mund të përmëndim disa emra të njohur si; Edward Carrino me romanin “Il segreto del Volo”, J.C. Casalini me librin “Generazione Arcobaleno”, Albert Frashëri me romanin “La Quinta”, etj.
Përfshirja e Albert Frashërit në 5 finalistët e këtij konkursi të rëndësishëm ka një rëndësi të veçantë për botën shqiptare. Kjo për disa arsye.
Së pari, sfondi historik i ngjarjeve të rrëfyera në romanin “La Quinta” i përket periudhës së regjimit komunist që kombi shqiptar vuajti per gjysëm shekulli. Së dyti, argumenti i trajtuar me kujdes nga autori nuk është thjesht një kronikë e historisë por konflikti i ashpër ndërmjet lirisë së qytetarit dhe pushtetit si një formë e skajshme e totalitarizmave të shekullit XX.
Kjo e dyta i jep një vlerë universale në kohë e në hapësirë romanit “La Quinta”, sepse totalitarizmi nuk karakterizon identitetin e një kombi. Ai është thjesht një formë e degjeneruar e pushtetit. E veçanta e rastit shqiptar është dimensioni dhe egërsia e pafund e dhunës, me siguri një nga më të urryerat që popujt europianë kanë njohur.
Romani “La Quinta” ripërtërin në ndërgjegjen tonë jetën dhe peripecitë e një grupi artistësh nga Shkodra në Tiranë. Ai është i pasur me meditime interesante mbi vuajtjen njerëzore, mbi kreativitetin në kushtet e privimit të lirisë, me absurditetin e regjimit diktatorial të një kohe që nuk duhet ta harrojmë, por ta skalitim qartë në memorien historike të kombit tonë.
Lidhur me këtë, prof. Alberto Frashëri shprehet: “Udha e vështirë e demokratizimit të shoqërisë shqiptare në këto tre dekadat e fundit, duhet të na bëjë të vetëdijshëm për nevojën e një demokracie të vërtetë e të një klase politike në lartësinë e nevojave aktuale të këtij kombi martir e të shumëvuajtur”.