Romeoja i Saimir Pirgut hipnotizon Barcelonën
Kjo është historia e dashurisë më e famshme e të gjitha kohëve, Romeo dhe Xhuljeta. Tani versioni i Charles Gounod i tragjedisë së Shekspirit, “Roméo et Juliette”, është rikthyer në “Gran Teatre del Liceu” në Barcelonë, shkruan Euronews. Hera e fundit që kjo vepër u shfaq në “Liceu” ishte para 32 vitesh. Ky produksion përkujton 200- vjetorin e lindjes së kompozitorit francez të romatizmit.
Tenori shqiptar, Saimir Pirgu dhe sopranoja ruse, Aida Garifullina të hipnotizojnë njësoj si dy të dashuruarit e tragjedisë, transmeton atsh. “Të gjitha vajzat e reja duan të jenë Xhuljeta, sepse ato e kuptojnë këtë imazh të vajzës. Ajo është e butë. Ajo është e brishtë”, thotë Garifullina. “Muzika ‘Je veux vivre’ (dua të jetoj), është një alegori. Tregon se ajo vërtetë kërkon të jetojë këtë jetë prej të rrituri, të jetë e lirë, të bëjë atë që dëshiron, thjesht të festojë”, shton Garifullina. “Ka diçka shumë naive në këtë muzikë. Është shumë e bukur për t’u dëgjuar”, thotë Pirgu.
Muzikë e shekullit XIX
Duete magjike, vals i ndërthurur dhe kore dramatike të kombinuara për të krijuar një sfond për këtë kryevepër. “Idiomat muzikore që Gounod përdor variojnë që nga më seriozja, tek opera komike, gati tek të gjitha llojet e këngëve”, thotë drejtori i skenës, Stephen Lawless. Për mendimin tim, “Gounod shkruan gjithashtu me një ndjenjë ironie shumë, por shumë franceze dhe elegancë”. Bashkëproducent me “Santa Fe Opera” në SHBA, Lawless e vendos këtë dramë gjatë Luftës Civile Amerikane. “Kjo është muzikë e shekullit XIX. Kështu morëm vendimin ta vendosim në shekullin e XIX, por donim të gjenim edhe një kontekst për këtë”, shpjegon Lawless.
Puthja e fundit
Gounod mbush dramën me melodi rrëmbyese dhe e gjitha e fokusuar tek dy të dashuruarit. Ai e mbyll duke u dhënë atyre një bashkim përfundimtar pikëllues në skenën e varrit. “Ndonjëherë kur jam duke kënduar këtë skenë, është emocionalisht shumë e fortë për mua, veçanërisht kur jam duke thënë “the last baiser, the last kiss”, thotë Pirgu. Dashuria e Romeos dhe Xhulietës triumfon, ndërkohë që ata vdesin së bashku në një përqafim të pavdekshëm. “Kjo është shumë e fortë, të copëtën zemrën”, thotë Garifullina. “Tek Shekspiri i vërtetë kjo skenë nuk ekziston. Por në historinë e Gounod i jep kësaj opere një fuqi të madhe”, shpjegon Pirgu.