Rrëfehet Helena Kadare: Momenti ynë më i keq në jetë

E lashë letërsinë duke besuar te letërsia e madhe e Kadaresë… Momenti më i keq në jetën tonë ka qenë debati për poemën ‘Në mesditë’ kur u mblodh byroja politike”. Helena Kadare është në “Sonder” në Prishtinë e ftuar të flasë për letërsinë e saj dhe jetën e saj pranë shkrimtarit Ismail Kadare.

Ajo ka qenë për herë të parë Helena Kadare atje në një rrëfim për letërsinë dhe jetën si bashkëshorte e shkrimtarit të madh para lexuesit të Kosovës. E vënë përballë gazetareve Beti Njuma e Alda Bardhyli, ajo bëri një rrëfim të rrallë mbi udhëtimin e pazakontë të një gruaje në letërsi.

Në historinë e letërsisë shqipe Helena Kadare hyn tek femrat e para që botuan në një letërsi të dominuar nga burrat që në vitin 1970-të me romanin “Një lindje e vështirë”. Libri u prit mirë nga kritika. Më pas ajo rikthehet për lexuesin në fillim të viteve ‘90-të me romanin “Një grua nga Tirana”, “Bashkëshortët” në vitin 2002. Me një stil të veçantë rrëfimet e Helenës janë përshkruar nga një ndjeshmëri i hollë.

Në Prishtinë tregoi se “në Kosovë kam qenë për herë të parë në një delegacion të Lidhjes së Shkrimtarëve të kryesuar nga Dritëro Agolli. Një vit më pas erdha me Ismailin. Kur erdha me të, vaska e hotelit ishte e mbushur me lule nga adhuruesit e tij, megjithatë më thanë se në Hotel Grand kishte përgjues”,-kujton ajo vite më pas.

Helena ka një kontribut të konsiderueshëm në fushën e përkthimeve, mjaft të kujtojmë për shembull “Tri gratë” e japonezit Isushi Inoe apo “Një grua në Berlin” ditar i një autoreje anonime, gjermane, që përshkruan javët nga 20 prilli deri në 22 qershor 1945.
“Libri i parë që kam lexuar është një libër i vjetër me tregime, përsëri i shtëpisë vajzërore në Kala. “Kallëzime të çuditshme” e kishte emrin. Me autor Edgar Poe-n. Kam përshtypjen se më shumë se përmbajtja e këtyre tregimeve, ka qenë titulli që ka tërhequr vëmendjen time. Në mënyrë të veçantë ajo fjala “të çuditshme” edhe pse, me sa më kujtohet, nuk kuptova shumë gjëra prej tij. Ndoshta ishte një libër i parakohshëm për moshën që kisha”, ka rrëfyer ajo më 2015.
Vitet e fundit ajo botoi librin autobiografik “Kohë e pamjaftueshme” ku tregon jetën e saj përkrah shkrimtarit Ismail Kadare. Udhëtimi i saj me “Letërsia dhe qyteti” drejt Prishtinës ishte një ngjarje për jetën kulturore, pasi sipas nuk ishte thjesht një rrëfim, por dhe një reflektim mbi mënyrën sesi kulturat sot ndër -veprojnë me njëra- tjetrën dhe cili është roli i letërsisë sot në zhvillimet social-politike. Gjatë qëndrimit në Kosovë, Helena pati dhe një takim me studentë të Universitetit të Filozofisë.

Dekorimi
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot e ka dekoruar shkrimtaren e njohur Helena Kadare me Medaljen Presidenciale të Meritave. Thaçi është shprehur se në kujtimet dhe publicistiken e shkrimtares Helena Kadare, vend të veçantë zë edhe dashuria ndaj Kosovës. “E dekorova shkrimtaren e njohur Helena Kadare për kontributin e saj autentik në pasurimin e letërsisë shqipe. Tek Helena Kadare, në kujtimet dhe publicistiken e saj, vend të veçantë zë edhe dashuria ndaj Kosovës”, u shpreh presidenti Thaçi. Ndërsa, shkrimtarja Helena Kadare e ka falënderuar presidentin Thaçi për dekoratën e ndarë dhe ka evokuar kujtime nga vizitat e saj të mëhershme. “Sa herë që vij në Kosovë, vërej përparim dhe i gëzohem çdo arritjeje të Kosovës”, ka thënë shkrimtarja Kadare. Presidenti Thaçi ka theksuar se fryma oksidentale e familjes Kadare është një vlerë e veçantë e kulturës sonë.

SHKARKO APP