Rrëfimet e apostullit të lirisë, Atë Pjetër Meshkalla
Mё 28 korrik kujtojmё figurёn madhore tё jezuitit shqiptar Atё Pjetёr Meshkalla, nё pёrvjetorin e vdekjes, 28 korrik tё vitit 1988.
Atë Meshkalla lindi në Shkodër më 26 shtator 1901, ndërroi jetë më 28 korrik 1988. Gjigant i fesë e i kulturës shqiptare, Atë Pjetër Meshkalla është një nga figurat më të ndritura të klerit katolik shqiptar, simbol i martirizimit të Kishës katolike e të popullit të vuajtur shqiptar në periudhën e regjimit komunist, dëshmitar dhe mbrojtës i paepur i fesë në Zotin dhe i të drejtave njerëzore.
26 shtator 1901 – 28 korrik 1988: ndërmjet këtyre dy datave shtrihet jeta e jashtëzakonshme e jezuitit shqiptar Atë Pjetër Meshkallës nga Shkodra, ku kishte lindur. E ndërmjet këtyre dy datave kemi një mori ngjarjesh që karakterizuan jetën e tij: fillimisht studimet në Seminarin Papnor në Shkodër, për të vijuar pastaj studimet tjera në Linc të Austrisë, në Goricë të Sllovenisë, në Napoli të Italisë e deri te shugurimi meshtarak i Atë Pjetër Meshkallës në Shkodër më 1931.
Veprimtaritë e panumërta pastaj të Atë Meshkallës, që nga themelimi i Rrethit të Dom Boskos në Tiranë për edukimin e rinisë më 1934, te rrethi i Shën Pjetrit, po në Tiranë më 1937, tek shërbimet e panumërta e të pandërprera ungjillore e fetare, si takimi më i vërtetë e i gjallë me njerëz në Sakramentin e Rrëfimit në rrëfyestore, ku Atë Meshkalla si meshtar, atë e mik pranonte çdo besimtar pendestar duke ndihmuar kthimin e çdo personi në rrugën dhe dritën e Zotit.
Pastaj duhet përmendur bashkëpunimin e Atë Meshkallës me revistat e gazetat më në zë e të rëndësishme të kohës, guximin për të mbrojtur haptazi bindjet fetare e njerëzore, pa marrë parasysh rrezikun e jetës, arrestimi me 1946, burgjet, ku Atë Pjetri bëhet mësues i shumëkujt, kampet e skëterrshme komuniste, ku çon dritën e qiellit, aq sa të quhet “Engjëlli i birucave” deri te lirimi, më 1960 e te profecitë e shprehura në letrat e famshme drejtuar kryeministrit komunist të kohës e shqiptuar në kulmin e reaksionit.
Ballë për ballë persekutuesve të tij, në mes të turmave të popullit, të cilat në zërin e tij prej meshtari e dëshmitari të së Vërtetës e Dashurisë, dëgjuan jehonën e apostullit të lirisë: “Ju – tha atë Pjetër Meshkalla – mund të më dënoni sa të doni, por unë prap se pra do të jem i lirë. Ndërsa ju keni hangër shoqi-shojin”. Rinia do të shohë se nuk ka me shkue gjatë e edhe një herë kanë me u nderte Kishat e kumbonaret, bile shi prej këtyre qi po i prishni!”.
Siç dihet, më 29 prill tё vitit 1967 u arrestua nga regjimi komunist Atë Pjetër Meshkalla, jezuit e meshtar shembullor, dëshmitar i patrembur i Krishtit, pishtar i demokracisë, kultivues i kulturёs dhe vlerave kombёtare, i cili u dënua me burg për “agjitacion e propagandë” nga regjimi komunist.
I burgosur dy herë nga regjimi komunist, Atë Pjetёr Meshkalla mbetet simboli i inteligjencës të persekutuar katolike nga komunizmi. Ai vetë e cilësonte kështu klerin katolik shqiptar: “Kleri katolik shqiptar asht kleri mâ heroik që ka me cilësua historia në rrugën dymijëvjeçare të Krishtit, sepse mbas 500 vjetësh robnì, po të merret prej vitit 1912 deri në 1944, janë vetëm 30 vjet me formue nji kler, e për 30 vjet kleri katolik shqiptar ka nxjerrë aq heronj sa nuk ka nxjerrë asnji kler tjetër në botë”.
Në një tjetër moment, Atë Meshkalla pati pohue: “Për me kalue ndonjë ujë, hidhen në te gurë të mëdha e të vogjël, të parët, të dytët, të tretët…zhduken, zhyten, nuk shihen ma…. hidh e hidh, tek e fundit nisin me nxjerrë krye disa aty-këtu; rrëshqasin, prapë hidhen të tjerë…deri sa bahet kalimi, keq a mirë, por bahet. Ka me ardhë koha që do të bahet ma mirë. Na jemi gurët, të mëdha o të vogjël, të hjedhun në fillim, të cilët zhduken e nuk shihen ma, por janë në temel të parë… Qe ambicioni i temelit: Me u zhdukë e mos me u pa ma! Prej të parëve pritëm nji Shqipni të lirë! Nipat presin prej nesh nji Shqipni të lumturn!”
Sot, të gjithë jemi dëshmitarë të realizimit të kësaj profecie dhe të mirave të lirisë e të demokracisë, që gëzon shoqëria shqiptare, e cila ka për themel gjigantë si Atë Pjetër Meshkalla. Prandaj, nuk e teprojmë kur pohojmë se Atë Pjetër Meshkalla, i prin njeriut në rrugën e humanizmit e të shenjtërisë. Si Shёn Nënë Tereza, Ai është shembull i dashurisë në veprim.
Neriton shumë, ky Njeri i madh, që nuk vdiq në tortura, sepse nën mbrojtjen e Zojës ë Bekuar, siç e shkruan ai vetë:
“… po … ju diftoj çka më ndodhi kur u arrestova në fillim. Nisi hetuesia me pyetjet që nuk meritojnë as të kujtohen. I kundërshtova hetuesit… Përgjigjja ishte një shputë aq e fortë, sa nuk më mbajtën kambët e rashë përtokë… atë çast m’u duk se u hap qiella. Mes xhixhave që më lëshojshin sytë, m’u duk se pashë në vegim Zojën e Papërlyeme: ‘O Zojë, më ndihmo me i bajtë torturat – iu luta – më forco mos të ligështohem, me ruej nën dorën Tande!’… Ndoshta, askush nuk e beson, por asht fakt që gjatë gjithë hetuesisë hangra vetëm një shputë. Ç’prej asaj dite që iu pshteta Zojës, nuk më preku ma kush prej tyne me dorë!”.
Atë Pjetër Meshkalla vijon të flasë si flasin Vegimtarët:
“Për me kalue ndonjë ujë, hidhen në te gurë të mëdhaj e të vogjël, të parët, të dytët, të tretët…zhduken, zhyten, nuk shihen ma…. hidh e hidh, tek e fundit nisin me nxjerrë krye disa aty-këtu; rrëshqasin, prapë hidhen të tjerë…deri sa bahet kalimi, keq a mirë, por bahet. Ka me ardhë koha që do të bahet ma mirë. Na jemi gurët, të mëdhaj a të vogjël, të hjedhun në fillim, të cilët zhduken e nuk shihen ma, por janë në temel të parë… Qe ambicioni i temelit: me u zhdukë e mos me u pa ma! Prej të parëve pritëm nji Shqipni të lirë! Nipat presin prej nesh nji Shqipni të lumtun!”.
Por që ta kemi këtë Shqipëri, duhen kujtuar mirë fjalët, që ia pat thanë një prifti të ri në vitin 1962, lidhur me “gjashtë arësyet që mësojnë se njeriu duhët me heshtë!…” të mësuara nga imzot Çoba;
– “Shko e thuej Imzot Çobës, me të mësue gjashtë arësyet që duhen për me folë, se, s’asht koha me heshtë ma!”…
E sidomos:
“Diktatura ma e rrezikshme, asht ajo, që paraqitet me maskën e demokracisë!”.
Kështu e kujtojmë Pater Meshkallën sot.
DEFINICIONE
Nje maskë e zbukurueme
Që hollë mbulon fytyrën e shemtueme.
Sa vojna lyrë-ngjyrë
Që mëshefin rrudhat e një plakës mënxyrë.
Një pare kallpe e zbehtë
Që në treg na del porsi flori i vërtetë.
Thesi që në grykë ka molla
E poshtë der’në fund, ka veç gjarapinjë e bolla.
Nje monument mermeri
mbi kryma, mbi skeleta e kafka tméri,
por zemra ndihnë si’ i akull në ty, që ngrinë,
por shpirti i drejtë… nuk di… nuk di, nuk di sesi…
por, ndinë….
se jè h i p o k r i z i !
KUDRA
Jé Judë, që fjalën ké si shpirt- njeri,
e për trathti ndaj Mësuesit psherëtitë,
në sa me një të puthun Mësuesin jé tue shitë,
hipokrizi
për treqind pare argjënd!
Joab jé, që pret në besëe vé pusi:
hasmin e falun përqafon miqësisht,
kur të msheftën thikë atij ia ngulë tinzisht
hipokrizi
fillë në zemër, si gand…!
Ti Sirenë magjepsore, shtrigë unjî:
tërhjek e detarët e i thithe në pasqyrë të qétë
dhe, ia përplasë anijën té ‘i shkamb nën détë
hipokrizi
me knaqun synin tand!
Të njoh mirë, hipokrizi…
Ti jè trathti, lubi!
Gënjen synin pa sherri,
Njâsaj, që’ i ditë prej sulmeve
Të Kulçedrës me shtatë krena,
na u bâ mburojë e, të nêmuna
s’duroi t’i shohë këto dhena.
Njasajë… por vaj, na fajeve
në verbim s’u vume cak
e Nanës iu randue zemra,
iku edh’e la këtë prak!
O ju, që parzme hekuri
Luftuet për bésë e fé,
idhtë tue valvitun Flamurin,
shenjtune me gjak e bé,
Zgjonju nën rrasa të heshtuna,
ngrihnju me pa mjerim!
Ndihma e Arbënisë, e Pamposhtuna
ç’u ba?… Si drita u shkim !!…
Po a kurrë, thue, ma kurrë Virgjina
-me gjâmë kah thrret Shqipënia,-
S’do të ndrisë, si ndriti moteve
Përbrinjë Rozafës… M A R I A ?!
Tepër lënguem këso shtigjeve
Si fëmija mbetë pa nanë,
për né ma dritë nuk lëshuene
as hyj, as diell, as hanë
Po a kurrë, ma kurrë, s’do të ngrohemi?
Pa shpresë do të rrijmë e të presim?
Po a heshtun gjithmonë vallëja
Do të ngeli, në terr kah dënesim?!
Jo, jo! Pse qiellëve të epëra
Zoti me dorë të vet
Ka shkrue: “ E Zojës asht Shkodra,
e, Zoja e Shkodrës së vet!”
Qé, ké ato mure të ndrituna,
-zemra m’a ndiën,- qé ìi zani
Një populli në hov të galdimave,
Tue brohoritë: “ O ngâni !…
Ktheu, N A N A ! “ O, ditë ma e bukra
që Arbënia prét, ago!
Nanë ktheju, e, në mburoje të hireve
Në fè shënjte na vëllazno!
Shkodër, 1927