Rrëfimi i Anisa Markarian: Si më zgjodhën te “Vajzat me kordele të kuqe”
Çdo përvjetor lindjeje është një mundësi për të kthyer pak kokën pas, për të parë atë që shkoi, për të reflektuar mbi çka ke bërë e të kuptosh çfarë duhet rregulluar nesër. Shpesh ndihemi nostalgjikë për ato momente që nuk kthehen më, për njerëz që nuk i kemi më pranë… Anisa Markarian e ka kthyer këtë në një rit, të cilin e ndan edhe me miqtë e saj në rrjetet sociale. Aktorja shqiptare, e cila prej vitesh ka braktisur ekranin, për t’iu përkushtuar profesionit të zemrës, mjekësisë, në Francë, çdo 4 korrik ndan momente nga jeta e saj me miqtë e saj në “Facebook”. Këtë vit ishin ca kujtime nga xhirimet e filmit “Vajzat me kordele të kuqe”, kur ajo ishte vetëm 16 vjeç. Kthim, plot 40 vjet më pas…
ANISA MARKARIAN
MOTOR?
Nuk i rishoh shpesh filmat e mi. Ose më saktë, e ulur në kolltukun e spektatores, nuk shikoj domosdoshmërisht çfarë shfaqet në ekran. Me sytë e kujtesës qëmtoj përmallshëm magjinë që ndodhte përtej së dukshmes. Alkiminë unike që përjetojnë vetëm ata që punojnë prapa pëlhurës së bardhë të kinemasë. Rishoh anëtarët e grupit të xhirimit. Çdokush i përkushtuar në detyrën e vet, përbërës i domosdoshëm në ngjizjen e veprës (apo kryeveprës) kolektive. Rijetoj përgatitjet e skenave. Veshja dhe grimi i aktorëve, dekori, ndriçimi, shinëzat për karelin e kamerës, mikrofonat për regjistrimin e zërit, efektet speciale…
Xhirohet në çdo orë. Që në ag të ditës e gjer natën vonë. Në ambiente të brendshme ose në atelietë e Kinostudios, por edhe jashtë, në dekoret natyrore. Xhirohet me ngutin për të kapur rrezen e parë të diellit, me merakun se hëna rrëzëlluese mund të fshihet prapa reve që ia behin të paftuara. Ridëgjoj zërin e regjisorit.
Herë i plotkumbueshëm falë jehonës së megafonit, herë i mezidëgjueshëm kur këshillat t’i pëshpërit lehtas në vesh që të mos dalësh nga gjendja. Kryemjeshtër absolut i ëndrrës, udhëzimet e tij janë busulla udhërrëfyese, pa të cilën edhe detari më i sprovuar mund të gabonte udhën. Riprovoj emocionet e premierave.
Ballafaqimi me artdashësit është gjithnjë një ndjesi e bukur. Një ndërthurje pasionesh shumëngjyrëshe, ku njëra palë është shkëndija e përflakjes, tjetra është pikënisja dhe destinacioni final i ngazëllimit fatlum me emrin ART.
* * *
Atë fillimvere të vitit 1978, rrugëve të Tiranës ishin shfaqur ca gjimnaziste me uniforma të veçanta. Përpos përparëses me jakë të bardhë, të gjitha kishin në kokë një beretë të zezë e në flokët kordele të kuqe gjak.
Më falni, jo të gjitha. Zonjusha Gajtani e një pakicë vajzash s’kishin pranuar t’u vinin karficave fjongo të kuqe. (I quanin të papërputhshme me ideologjinë e shkollës.) Gjithsesi, që të gjitha pa përjashtim mbathnin çorape të shkurtra, detyrimisht të bardha e këpucë ose sandale lëkure me taka të ulëta ose të sheshta fare, modelet e të cilave nuk shiheshin më në qarkullim.
Merrnin çdo mëngjes rrugën e shkollës, të kapura përdore a për krahu, dy nga dy, tri nga tri, apo në grup. Po në ç’gjimnaz shkonin?! Shkollat e kryeqytetit dhe të gjithë Shqipërisë ishin të mbyllura në atë fundqershori. Kishin filluar pushimet e gjata të verës. Ja përse ngjallnin aq shumë kureshtje kur kalonin rrugës.
Çdo vajtje-ardhje e tyre përbënte një intermexo argëtuese në përditshmërinë e banorëve të rrugicave rreth e rrotull. Në lagjen e tyre po xhirohej një film. “Vajzat me kordele të kuqe” titullohej.
* * *
Shpresa, Rudina, Edita, Teutat (ishin dy), Rezarta, Çeçilia, Egla, Anisa… – një grup vajzash 15-18-vjeçare. Na kishin përzgjedhur nëpër gjimnazet e kryeqytetit rreth 3 muaj më parë. Përveç 2 profesionisteve, Marjetës dhe Evës, rolet e tjera të nxënëseve të shkollës u ishin besuar aktoreve amatore. Çastin e shumëpritur të debutimit e kishte paraprirë faza përgatitore: fotoprovat, kinoprovat, marrja e masave, gjetja e modelit të krehjes për secilën, fotot e para me veshjet e rolit…
Fillimisht, më kishin zgjedhur për të qenë njëra nga vajzat konviktore. Kinoprovën e parë e bëra pikërisht me një skenë nate në fjetoren e shkollës, dialogët e së cilës arrij t’i recitoj përmendësh edhe sot e kësaj dite. Dy javë më vonë më thirrën për një kinoprovë tjetër. Tjetër skenë, të tjerë dialogë. Gëzim Erebara, regjisori erudit i filmit, kishte vendosur të më besonte rolin e Dhuratës. Do të interpretoja përballë njërit prej korifenjve të skenës, “Artistit të Popullit”, Sandër Prosi! Por jo vetëm.
Në korridoret e Kinostudios (një botë krejtësisht e huaj për sytë e mi gjer në atë çast), kisha ndeshur viganë të tjerë të artit dramatik, pa e ditur që ishin pjesëtarë të filmit: Tinka Kurti, Drita Pelingu, Vangjel Heba… Tek kujtoj takimin e parë me ta, ndihem sërish po aq e vogël dhe e befasuar. Të vetmet mjedise të njohura për mua ishin vendet e xhirimeve jashtë Kinostudios, që të gjitha rrotull lagjes ku banoja: Shkolla Pedagogjike, Kinema “17 Nëntori”, rruga “Mine Peza”, rruga e “Barrikadave”, Shkolla e Kuqe, rruga “Qemal Stafa”…
Me Pedagogjiken më lidhte edhe diçka më shumë. Ishte shkolla e sime mëje. Kishte kryer studimet e mesme aty, në vitet kur quhej Instituti Femëror “Nëna Mbretëreshë”. Meqenëse ishin pushimet e shkollës dhe ditët i kisha të lira, shkoja në sheshin e xhirimeve edhe kur filmoheshin skena ku nuk merrja pjesë.
Më pëlqente të jetoja atmosferën. Ndiqja çdo detaj të procesit krijues me kënaqësinë dhe kërshërinë e një fëmije, të cilit i kanë dhuruar një fletëhyrje me afat të pakufizuar për në Botën e Çudirave. Vëzhgoja grimieret në punën e tyre, studioja vendosjen e dritave, vija syrin te kamera, ndiqja dialogët me skenarin në dorë, bëja pyetje të gjithëllojshme… Filmi më kishte përthithur e përvetësuar të tërën; dëshira e kahershme më ishte realizuar. Kisha hyrë në lëndishtën e pasionit tim, duke shtyrë Portën e Artë në majë të gishtave.
* * *
– Motor? – pyet regjisori me megafon në dorë.
– Ka motor! – përgjigjet operatori i zërit.
– Skena 1, dubli i parë! … Çak! – dëgjohet një kërcitje e ëmbël. Prestidigjitatori dha sinjalin me shkopin e tij magjik. Ngrihet sipari i ëndrrës. Jetës reale i duhet të mbartet pa pipëtimë. Në bagazhet ka mbyllur butaforinë e së tashmes që nuk i hyn në punë askujt. Tërheq valixhet osh e sprapset. Ua lë vendin emocioneve. Shpejt, shpejt! Nxitoni të shtrini qilimin e kuq! Kalëruar mbi shirita celuloidi, hyn në skenë ngazëllimi fatlum. Horizonti drithërohet tejendanë i përshkënditur nga shkreptima vezulluese. Po xhirohet…
* * *
Atë pasdite korriku, ime më kapërceu e mallëngjyer pragun e ish-shkollës së saj. Rikthehej pas shumë kohësh. Mbante në dorë një tabaka kartoni, ku kishte vënë një ëmbëlsirë të gatuar me duart e saj. Një kek me mollë, të prerë feta-feta, për të gjithë pjesëtarët e grupit. Ishte ditëlindja ime. Mbushja 16 vjeç. Sy e veshë e përqendruar në përgjim të “fjalës”, nuk e vura re kur u afrua. E kuptoi menjëherë që s’e kisha mendjen te festimet. Po prisja urdhrin e bekuar. Fjalën që nuk do ta ngatërroja me asnjë tjetër, edhe po të vinte nga një galaktikë e huaj.
– Motor? Fryma më ngrin pezull në ajër…
– Ka motor! Dhe ndodh mrekullia. (Është një motor me fuqi hyjnore). Një puhizë çudibërëse flladit oborrin e shkollës. U jep objekteve të rëndomta trajta ëndërrore. Kufijtë e kohës shkërmoqen në një pulitje qepallash dhe hapësira cipërohet me një tis magjie. Përpara meje shpaloset përmasa e katërt e botës: Kinemaja!
© A.M. E mërkurë, 4 korrik 2018./Panorama/