Rrëfimi për superheroin më të famshëm të Mesjetës!
Teksa bota pret “çlirimin” nga vazhdimet e filmave të superheronjëve, një ekspozitë në Muzeun Nezu të Tokiosë të shtyn të mendosh se sa larg mund të gjurmohen tregimet për superheronjtë (dhe super-të-ligët). “Tregimi i shfarosjes së demonit: Vizatimet e Shuten-dojit në letra”, i përkushtohet një legjende popullore mesjetare që për shekuj mbërtheu imagjinatën japoneze. Është ky një mit, prezantimi i të cilit ngjan me një novelë grafike e që mbërthen të gjitha elementet e hiteve të Hollivudit, shkruan Kelly Grovier për BBC. Pjesë të shkrimit të saj, Telegrafi sjell më poshtë.
Përralla fillon me lajmin se gratë e reja po zhduken nga rrugët e kryeqytetit të atëhershëm japonez, Kiotos. Teksa rrëmbimet përshpejtohen, zhgënjimi rritet me mungesën e provave që mund të demaskojnë keqbërësin misterioz. Të dëshpëruar për përgjigje, autoritetet i drejtohen një mistiku që tregon identitetin e shejtanit përgjegjës për rrëmbimet: një demon i frikshëm (ose “oni”), i njohur si “Shuten-Doji”, kështjella e të cilit fshihet në një vend të errët dhe të ndaluar në mal. Detyra e vrasjes së demonit dhe çlirimi i robërve të tij të panumërt bëhet më i rrezikshëm, nëse jo i pamundur, nga aftësia e keqbërësit për të fluturuar dhe për të marrë formën e çfarëdo objekti apo kafshe. Shpresa e vetme e mbretërisë është që t’i bindet mendjes dhe muskujve të luftëtarit Minamoto no Yorimitsu, dhe skuadrës së tij të shpatarëve të aftë të njohur si Katër Mbretërit Mbrojtës. Por, a ia dalin?
Vizitorët në muze kanë mundur të shohin evolucionin vizual të legjendës Shuten-Doji (që ka origjinë nga shekulli XIV), që nga letrat mbështjellëse të ilustruara e deri te epika me tetë letra të tilla nga shekulli XIX, që nuk është shfaqur asnjëherë e plotë më parë.
Në kohën kur Yorimitsu dhe ekipi i tij i samurajëve të jashtëzakonshëm thirren për të gjetur demonin dhe për të shpëtuar viktimat para se demoni t’i hante, Shuten-Doji ishte 15 metra i lartë. Kishte pamje monstruoze, me 15 sy dhe pesë brinjë, ndërsa secili prej katër gjymtyrëve të tij shkëlqente me ngjyra të ndryshme: verdhë, kaltër, zezë dhe bardhë.
I ndihmuar nga një eliksir i ngjashëm me sakën e i mbushur me helm të cilin ia dha treshja e zotave që samuraji iu lut, heronjtë janë në gjendje ta nënshtrojnë demonin dhe t’ia presin kokën.
Shumë prej superheronjve postmodernë janë modifikime të figurave të jetës reale. “Bruce Wayne” aka Batman, p.sh. është një bashkëdyzim i luftëtarit skocez të shekullit XIV, Robert Bruce, dhe oficerit revolucionar amerikan, “Mad” Anthony Wayne. Ndërsa, Yorimitsu është modeli i një heroi popullor të shekullit të X-të me të njëjtin emër: një luftëtar i patrembur, i njohur për fuqitë e tij në beteja. Reputacioni i Yorimitsus për të mundur grabitësit që një kohë kërcënonin nga mali Oe – ku sipas disa versioneve të legjendës u vendos Shuten-Doji – pa dyshim ka ndihmuar në formimin e mitit popullor.
Legjenda e Yorimitsus shpejt u shtri në mite të tjera, përtej tregimit të Shuten-Dojit. Ndër fabulat më të njohura që lidhen me të është ajo që e gjen luftëtarin edhe një herë në ndjekje të keqbërësve, bishës Tsuchigumo: një merimangë me madhësie të Godzillas.
Ashtu si me çdo superhero të madh, Yorimitsu me besnikët e tij kishin fuqitë të veçanta. Mirëpo, më i shquari nga Katër Mbretërit Mbrojtës është ai me fytyrë bebeje, Kintario, ose “Djaloshi i artë” që kishte miqësi me krijesat e malit Oe. I pajisur me një sëpatë që ngjan me çekanin e Torit, e njihte malin dhe ndihmonte vendasit në prerjen e pemëve. Forcat e tij të pamposhtshme morale dhe fizike, vazhdojnë edhe sot e kësaj dite të jenë frymëzim për fëmijët japonezë.
Kërkesa për të treguar dhe rishikuar aventurat e Yorimitsus dhe ekipit të tij të guximshëm, kanë jehuar gjatë shekujve, në letra dhe printime nga klishetë e drurit që sot gjenden kudo në botë. /Telegrafi/