Rrëfimi prapa filmit më komik e më kontrovers të historisë së kinematografisë: “Life of Brian”
Në prag të 40-vjetorit të realizimit, gazetari Phil Hoad bisedon me dy anëtarë të trupës Monty Python, për filmin ikonik “Life of Brian” (Jeta e Brajanit), që nga shumë sondazhe është shpallur më qesharaku e më kontroversi në historinë e kinematografisë. Shkrimin e botuar në Guardian, Telegrafi e sjell më poshtë.
Michael Palin, aktor, skenarist
Ishim në një turne promocionale në Amsterdam, për filmin “Monty Python and the Holy Grail” (Monti Pajtoni dhe Grali i Shenjtë), kur Eric Idle vjen me një titull: “Jezu Krishti: Epshi për lavdi”. Të gjithë qeshëm: “Kurrë nuk mund ta bëjmë këtë”! Por, na pëlqente sfida për ta bërë një film për fenë. Pastaj, dikush sugjeroi që të vendoset në kohën kur Jezusi ishte gjallë, por në një rast të identitetit të gabuar. Dikush që ngatërrohet se është Mesia, por që gjatë tërë filmit proteston se nuk është.
Në përgjithësi, shkruam në grupe të veçanta që u bashkuan më vonë. Përfunduam në Barbados për dy javë dhe pjesën më të madhe të skenarit e bëmë atje, si dhe ndërlidhjen e skenave të ndryshme. Kjo i dha skenarit një qartësi më të madhe, atë që “Grail i Shenjtë” dhe “The Meaning of Life” (Kuptimi i jetës) nuk e kanë.
EMI duhej të financonte filmin, por u tërhoq. Ishte goditje fatale për ne, sepse ishim në fazat e para-prodhimit. Kështu, Ericu shkoi në Hollivud dhe bisedoi me George Harrisonin i cili ishte adhurues i madh i Monty Pythonëve, që nga emisioni i parë i joni televiziv. Ai e la peng shtëpinë dhe siguroi një hua prej pesë milionë dollarëve. Kur u pyet përse, thjesht tha: “Sepse dua ta shoh”! Jo shumë njerëz paguajnë pesë milionë dollarë për një biletë!
John Cleese donte ta luante Brianin. Graham Chapman pinte shumë dhe John mendonte se na duhej diçka e sigurt për rolin kryesor. Por, Graham hoqi dorë nga pija dhe ishte esëll gjatë tërë kohës. Ai kishte një lloj mirësie gjatë gjithë filmit. Ishte gjithashtu mjek i kualifikuar, kështu që qe shumë i dobishëm duke u kujdesur për trupën dhe ekipin kur xhironim në Tunizi e kur kishim shqetësime të mëdha stomaku.
Gjëja më e vështirë për t’ua xhiruar ishte skena e Pont Pilatit, sepse duhej të strukturohej rreth frenimit të vazhdueshëm të së qeshurës. Të gjithë centurionët ishin në prag të shpërthimit, teksa Graham dhe unë duhej ishim tërësisht seriozë. Ishte me të vërtetë punë e vështirë. Gjatë provova erdha me idenë që t’i pëshpëriti dikujt në vesh. Doli mirë, por është edhe një tjetër skenë ku jam hundë me hundë me Chris Langhamin dhe të dy shpërthejmë e unë nuk jam plotësisht i kthyer kah kamera.
Filmi u ndalua në Irlandë, në Norvegji dhe në Itali; 39 komuna britanike e ndaluan ose i dhanë një certifikatë X. Johni dhe unë vendosëm të paraqitemi në debatet e BBC-së, “Të premten mbrëma” e “Të shtunën në mëngjes”, për të mbrojtur filmin kundër peshkopit të Southwarkut dhe politikanit Malcolm Muggeridge. Donim të shpjegonim se nuk ishte film që denigroi Jezusin, në asnjë formë apo mënyrë. Por, që të tregonim se ata silleshin si fëmijët e vegjël, duke luajtur me turmën dhe duke thënë, ” do të merrni 30 argjendtë tuaj”, ishte gjë irrituese. Megjithatë, intervista ishte një pikë e madhe kthese: ndihmoi në thyerjen e supozimit se feja ishte diçka që establishmenti u tha njerëzve se si të flasin. Ata e turpëruan veten duke e bërë një rast patetik.
Terry Gilliam, aktor, shkrimtar dhe skenograf
Isha bashkëregjisor me Terry Jonesin te “Grali i Shenjtë”, por nuk e kisha problem kur ai e bëri vetë regjinë e “Jetës së Brajanit”. Të bësh regjinë për Monty Pythonët ishte punë e rëndë, sepse njerëzit nuk duan të ndiheshin të parehatshëm: nuk donin të mbanin mjekra apo të vishnin kostume të pakëndshme. Por, këto ishin elemente të rëndësishme dhe unë nuk doja të zihesha për to.
Doja të përqendrohesha më shumë në dukjen e filmit. Ishte shumë e rëndësishme ta ruanim atë ndjesinë e së vërtetës së pistë dhe të prishur. Duke qenë gjithçka kaq e zymtë dhe e pakëndshme, kjo e bënte humorin edhe më zbavitës. Shumica e xhirimeve u bënë në Susa dhe në Monastir të Tunizisë; dukej fantastike, por shtuam gjëra të ndryshme si lufta dhe portiku, ku Pilati dhe Bigus Dikusi përpiqen të “’fualnin Uovodeikun”.
Terry dhe unë pajtohemi për aq shumë gjëra, por pastaj nuk pajtohemi me pothuajse për më shumë gjëra. E ndërtuam një skenë të jashtëzakonshme për atriumin e Pilatit, por nuk e shihni për shkak të mënyrës se si Terry e ka xhiruar. Ai e xhiroi ashtu për të nxjerrë në pah komedinë e karakterit, që megjithatë është rruga e drejtë.
Më pëlqente të luaja rojtarin. Ishte një rast tjetër që e bëja një karakter grotesk, sepse të tjerët nuk e bënin. Kjo sekuencë ku ishte edhe Mike dhe Eric, ishte një nga rastet e pakta që e bëmë pa përgatitje: Pythonët nuk e pëlqejnë këtë sepse John nuk e pëlqente – për ironi, ai është fundamentalist kur bëhet fjalë për humorin.
Protestat në Nju-Jork ishin me të vërtetë të fuqishme. Arritëm të bëjmë bashkë katolikët, protestantët dhe hebrenjtë kundër nesh. Skena e kryqëzimit e bënte këtë çdo herë. Të krishterët duket se e përvetësonin kryqëzimin si të tyrin, pa marrë parasysh se janë kryqëzuar shumë jo të krishterë. Nëna ime, që është vizitore e rregullte e kishës, nuk mund ta kuptonte se pse njerëzit ishin të zemëruar, sepse ishte për dikën tjetër që quhej Brajan. Nuk ishte blasfemi.
Isha shumë krenar se arritëm shumë nga reagimet. Ata ishin njerëzit me të cilët merreshim: ata që ndjekin verbërisht diktatet fetare dhe nuk mendojnë për veten e tyre.
E bëmë filmin 40 vjet më parë, por është i zbatueshëm edhe për botën e sotme. Kjo do të thotë se bota kurrë nuk ndryshon vërtet, ose se thjesht merr më shumë absurditet. Ka fundamentalizëm, ka antisemitizëm – ne merremi me këtë kur Brajani kupton se centurioni ishte babai i tij – dhe pastaj është Stan që dëshiron të jetë një grua. Titujt e lajmeve janë me gjëra të tilla çdo ditë. I vetmi ndryshim tani është se njerëzit kanë humbur ndjenjën e humorit që e kishin në kohën kur e kemi bërë filmin. /Telegrafi/