Rrezatim nga shkollat e periferisë
Nga Ndue Dedaj –
Në muzeun e shkollës së mesme të bashkuar të Gjadrit në Lezhë është dhe një biçikletë, përdorur për shumë vite nga mësuesi Gegë Rozhani, deri ditën e daljes në pension para pak vitesh. Shkolla mban emrit e njërit prej emrave të mëdhenj të ndërtimit të urave në Shqipëri, inxhnierit të shquar Gjovalin Gjadri, busti i të cilit të pret në hyrje të shkollës. Veçse në këtë shkrim nuk do të merremi me korrifejtë e shkencës si Gjadri, Karl Gega e të tjerë dijetarë nga Zadrima, ku u ndodhëm pak ditë më parë në shkollat e zonës, por me mësuesit e thjeshtë të fshatrave, të cilët gjithë pasurinë e tyre materiale të një jetë patën një “biçikletë” të thjeshtë, kurse ajo morale ishte e pamatshme. Dihet adhurimi që kemi për mësuesit që nga Rilindja Kombëtare, mund të citojmë dhjetëra poezi të shkruara për ta nga Llazar Siliqi, Ismail Kadare etj., apo të sjellim në vëmendje letrën e Abraham Linkolnit drejtuar mësuesit të djalit të tij., por nuk është e nëvojshme, pasi përmes këtyre radhëve duam të vëmë në dukje një fakt fatlum, mësuesit e tranzicionit e mbajtën gjallë shkollën shqiptare, në vitet kur ajo vërtet u hap me botën, por përjetoi jo pak sfida të brendshme.
Kur shumëkush vazhdonte të pasurohej në mënyrë galopante, mësuesit mbetën po ata, idealistë dhe fisnikë të racës. Nuk u tunduan nga pasurimi me çdo kusht, jo se janë të varfër. Këtë përkushtim mund ta vëresh dhe në shkollat “Kosova”, “Sabaudin Gabrani” apo “Sami Frashëri” në Tiranë, por dhe në ato të Kakarriqit, Gjadrit e Blinishtit në Zadrimë, sigurisht pa u ndalur vetëm tek ato. E vërteta është se këto shkolla janë një lajm i mirë i ndryshimeve demokrarike që kanë ndodhur në shkollën shqiptare të fshatit kohë pas kohe. Dikush mund të thotë po a nuk po mbyllën shkollat, kemi dëgjuar se kaq e aq shkolla, këtu e atje, janë mbyllur etj. Duke e lënë politikën matanë dyerve të shkollës, siç dhe po ndodh me institucionet arsimore, organet e tyre drejtuese dhe vetë Ministrinë e Arsimit, në shumë fshatra të malësive tona shkollat i ka mbyllur braktisja e madhe, ikja masive e banorëve, e cila u ka vënë “drynin” jo vetëm shkollave, por gjithçkaje që gjallonte aje: kullave të moçme, kopshteve e çerdheve, qendrave shëndetësore, librarive e vatrave të kulturës, sondave e galerive, punishteve të qumështit etj. Ky është problemi kombëtar i tranzicionit dhe shkolla s’kishte si të mbijetonte aty ku nuk kishte më njerëz. Në fshatrat Kuzhnen, Mërkurth e Lajthizë të Mirditës shkollat 8-vjeçare janë mbyllur qysh para 15 vitesh, të tjera më pas e kjo “hemoragji” nuk është ndalur as sot, pasi ne vazhdojmë të ikim e ikim drejt detit e përtej detit, sigurisht dhe nga politikat jo të fryshme të punësimit, zhvillimit të agroturizmit etj. Pikërisht për këtë kanë meritë të posaçme shkollat e sipërthëna të Zadrimës e të tjera, pasi, teksa kullat në faqet e malit braktiseshin dita-ditës, qendrat e arsimit e dijes modernizoheshin, për ta ndalur këtë ikje, që njerëzit të mos thoshin “po ikim se nuk kemi shkollë për fëmijët”. Përndryshe, pse po i sjellim si shembull këto shkolla të periferisë? Për asgjë më shumë se normalitetin, në një shoqëri ku normalja e punës nuk është e tillë për shumëkënd tjetër. Standardin e tyre e tregojnë pikë së pari mjediset e pastra dhe funksionale, të kuruara estetikisht me të gjitha detajet, deri të “bluzat e bardha” të arsimtarëve, përkushtimi i nxënësve, mësuesve dhe prindërve për një proces mësimor cilësisht të ngritur, përfshirja e shkollës në jetën e komunitetit, mirëtrajtimi i fëmijëve me aftësi ndryshe etj. Nëse kemi një personel mësimor që punon normalisht, pa u tunduar se diku më tej janë kafenetë që zhurmojnë nga jo pak njerëz vegjetues, ende kemi një administratë shtetërore të korruptuar, që iu vardiset tendereve dhe aferave. Doemos një qasje e tillë mund të duket anormale për një vend tjetër, të paraqesësh si vlerë profesionale e komunitare gjënë normale, por tek ne kjo është e nevojshme. Në këtë kuptim, shkolla sot është një lajm i mirë shqiptar, me gjithë mungesat dhe problematikat e veta. E rëndësishme është që figurës së mësuesit i është rikthyer dinjiteti, ai ka prej vitesh një pagë të pranueshme, nuk thirret më në tubime politike, nuk emërohet me lekë nën dorë, por përmes portalit “Mësues për Shqipërinë” etj. Shkurt, nuk është një “gjyhnaqar”, si në vitet e para të tranzicionit, që në pushimet e verës i mbante sytë nga “Greku” për pesë lekë më shumë, por një zotëri, si njëqind vite më parë, kur arsimi shënonte një hop cilësor nën drejtimin e Luigj Gurakuqit dhe kur kishin fituar aq emër internatet e hapura në malësitë shqiptare, në Orosh, Krumë, Burrel, Dibër etj.
Të flasësh për shkolla cilësore në qytetin e Lezhës është e lehtë, pasi ka një arsim të konsoliduar, që vetëm shkon përpara, duke synuar standardet europiane, por ta gjesh këtë zhvillim në periferi, kjo është për t’u shënuar. Në shkollën “Besëlidhja” të këtij qyteti, katër vitet e fundit, nën kujdesin e drejtorit të DAR-it Bardhok Pulaj është krijuar dhe një “shkollë muzike” të talentuarisht, me pedagogë vendas dhe të tjerë që vijnë nga Tirana dhe Shkodra. Të regjistrohesh në klasat e saj muzikore nuk është paspak e lehtë, pasi duhet të konkurosh para një jurie profesioniste. I kemi parë artistët e vegjël të qytetit të japin shfaqje, përfshi dhe ato kushtuar Vitit të Skënderbeut, duke filluar nga 17 janari i këtij viti dhe i kemi duatroktitur fort. Ky është një model që ka rrezatuar dhe në periferi. Në të gjitha shkollat e Lezhës, të qytetit dhe të fshatit, vëren afishe të ndryshme kushtuar figurës së Heroit Kombëtar dhe punime artistike të nxënësve. Edhe një përvojë tjetër, biblioteka shëtitëse nëpër shkollat e fshatrave të Bregut të Matës, Zadrimës e deri Kashnjetit malor e ka urbanizuar zonën në një mënyrë të re. Vlen në këtë mes dhe tradita. Gjithëhere kjo trevë ka qenë arsimdashëse, që nga shkolla e Blinishtit e shekullit XVII, kolegji françeskan i Troshanit në shekullin XIX, famullia e Kuklit e Ndre Mjedës në shekullin XX e deri te fëmijët e Blinishtit që me gëzhojat e 97-s derdhen Kumbonën e Paqes duke u bërë shembull në të gjithë Shqipërinë.
Shkollat e qarkut të Lezhës shtrihen nga Shëngjini buzë detit, në Domgjon të Mirditës e Gallatë të Kurbinit rrëzë “Malit të Skënderbeut”. Secila nga ato ka krijuar profilin dhe historinë e saj. Shkolla e mesme e bashkuar e Perlatit në Mirditë festoi këtë vit 100-vjetorin, ku ish-mësues e nxënës kishin ardhur nga Tirana e rrethet e tjera e gjer emigracioni. Mësuesit e kanë kapur trendin e kohës, bashkë me nxënësit dhe prindërit, por dhe komunitetin, i cili po bëhet përherë e më aktiv për problematikat e shkollës. Duken detaje të vogla, por me domethënie. Në njërën nga klasat e katra të Ciklit të Ulët në Rrëshën, në orën e Qytetarisë, pyetjes së mësueses se çfarë do të bëhej (kur mjaft të tjerë përgjigjeshin: doktoreshë, futbollist, polic etj.), një vajzë i përgjigjet: “Unë do të bëhem mësuese, të mësoj njerëzit, pasi shoh ty se si përpiqesh të na mësosh ne”.
Rikthemi te tri shkollat me të cilat e nisëm shkrimin, Kakarriq, Gjadër dhe Blinisht. Janë orët e mesditës dhe mësimi ka mbaruar. Teksa biçikleta e vjetër e mësues Gegës hesht ne muzeun e shkollës, mësuesit dhe nxënësit hipin nëpër autobuzët komod të firmës së transportit “Marnikolla” dhe shpërndahen nëpër shtëpitë e tyre, për t’u takuar sërish mëngjesin tjetër në stacion. Kur urbanizimi shtrihet dita-ditës drejt fshatit, për çka luftonte fort dhe misionari Dom Antonio Sharra në këtë rajon, Lezha nuk është më periferi krahasuar me Tiranën dhe shkollat e Zadrimës nuk janë periferi krahasuar me qytetin e Lezhës…