“Rrugëtim Bach” Formati europian i koncerteve në Tiranë
Muzika klasike gjithmonë e më tepër po zbehet për publikun e kohërave moderne pavarësisht pasurisë dhe gjenialitetit të këtij zhanri muzikor. Ndër arsyet themelore janë mospromovimi, mospjesëmarrja nga ana e brezit ti ri dhe moskuptimi nga publiku i thjeshtë artdashës. “Qendra miq për jetë”, kërkoi të sjellë një risi për skenën dhe publikun artdashës shqiptar, e cila është pagëzuar me emrin “Rrugëtim Bach”.
“Rrugëtim Bach” është një koncert me pjesë të mrekullueshme nga J.S.Bach, i vënë në skenë nga “Kori i Universitetit të Arteve”, drejtuar nga Dirigjentja Suzana Turku dhe “Orkestra e Dhomës Shqiptare” nën drejtimin e Dirigjentit të mirënjohur argjentino-zviceran Facuno Agudin. Një ndër veçantitë e këtij formati, tashmë shumë i suksesshëm në disa skena Evropiane, është se publiku nuk qëndron pasiv, por bëhet pjesë e shfaqjes duke kënduar disa prej kantatave e duke u transformuar nga thjeshtë dëgjues në interpretues të vërtetë të koncertit. Koncerti në këtë mënyrë kthehet nga një shfaqje muzikore në një proces gjithëpërfshirës mësimi dhe pjesëmarrje jo vetëm për artistët e rinj, por edhe për publikun e thjeshtë. Ky format është vendosur më parë në skenë nga “Orchester de Lumier” (Zvicër) pikërisht me Dirigjentin Facundo Agudin. Koncerti u zhvillua ditën e shtunë, me 4 maj tek Famullia “Zemra e Krishtit”, Rruga e Kavajës, Tiranë. Aktiviteti u mundësua nga Qendra “Miq për jetë”, Universiteti i Arteve, Shoqëria Biblike dhe Ministria e Kulturës.
Dirigjenti
Facundo Agudin është një dirigjent zvicerano-argjentinas lindur në Buenos Aires. Pas përfundimit të studimeve të Masterit për Dirigjim nën drejtimin e Prof. Néstor Andrenacci dhe Prof. Guillermo Scarabino në Universitetin Katolik Argjentinas, u trajnua në muzikë mesjetare në Bologna nën drejtimin e Pedro Memlsdorff si edhe përfundoi studimet post universitare për Histori Kompozicioni në “Schola Cantorum” në Bazel, ku edhe jeton tashmë që prej vitit 1996. Përvoja prej gjashtë vitesh si bariton profesionist me “Swiss Chamber Choir” dhe me “Tonhalle Orchester” të Zyrihut, duke kënduar nën drejtimin e Claudio Abbado, Sir Simon Rattle, Armin Jordan, Wolfgang Sawallisch, Gennadii Roshdestwenskii, David Zinman dhe sidomos nën Valery Gergiev, solli impulse të rëndësishme në zhvillimin e tij si dirigjent. Në vitin 2007 fitoi Çmimin e Parë në Seminarin “Colin Metters” me Orkestrën Simfonike të Shën Peterbugut. Ai jeton në Basel dhe është drejtori artistik dhe muzikor i “Musique des Lumières”, ashtu si edhe i kompanisë së operës bashkëkohore “Opera Obliqua”. Bashkëthemelues i “Neue Opernprojekte Basel” dhe i Festivalit “Stand’Eté”, prej vitit 2009, ka qenë Dirigjent Kryesor i “Patagonia Symphony (Argentina)” në bashkëpunim me “Teatro Colón de Buenos Aires”. Nga viti 2006 deri në vitin 2008, ai ka punuar si Dirigjent i Ftuar Nderi i Teatrit Kombëtar të Operës Armene dhe së fundi u bë i Ftuar Nderi i Teatrit “Mariinsky” për të dirigjuar Faustin e Gound-it në vitin 2014 dhe 2015. Agudin, së bashku me Daniel Barenboim dhe Alejo Pérez përbënë listën e të kandiduarve për çmimin “Dirigjenti më i mirë argjentinas 2015”, që jepet nga Shoqata Kombëtare e Kritikëve të Muzikës. Mes angazhimeve të tij të radhës mund të përmendim Romeon dhe Zhulietën e Berliozit (Simfonia Kombëtare), Vier letzte Lieder të Shtrausit (Paula Almerares, Filarmonia e Buenos Airesit), Aufstieg und Fall der Stadt Mahagonny të Weillit (Marcelo Lombarden, Teatri Colòn de Buenos Aires), debutimi në Festivalin Enescu 2017 me Orkestrën e Muzikës së Dhomës Desaga.
Facundo Agudin ka vënë në skenë premiera nga Andreas Pflüger, Christian Favre, Jaqueline Fontyn, Dominique Gesseney, Christian Giger, Elmar Lampson, David Sonton, Julio Viera, Pablo Ortiz dhe Marcelo Nisinman. Ai bashkëpunon me Universal Music Group dhe, së fundi, Ricodi Munich i ka kërkuar të promovojë ri-zbulimin e pjesëve të shumta operistike të Simon Mayrit.
Agudin dhe Musique des Lumières, në bashkëpunim me RTS SRF Kultur2 dhe logon e NEOS-it gjerman, nisën një seri regjistrimesh me vepra të frymëzuara nga arti zviceran. Vepra e parë e publikuar, “Cantique”, përmban Schelomo të Ernest Bloch, Böcklin-Suite të Max Reger si edhe përmban premierën botërore të “Pitture” nga Andreas Pflüger (Estelle Revaz, në çelo). Agudin bashkëpunon me Swiss National Radio SRF 2 Kulturë dhe me logon e NEOS Music, Oehms Classics, Doron Music. Regjistrimet e tij me Orchestre Musique des Lumières përfshijnë Requiem të Christian Favre (Doron Music), Der Rose Pilgerfahrt të Robert Schumann’s (Doron Music), Demetrio, re di Siria të Simon Mayr (DRS2/OehmsClassics), Nuevo Tango Nuevo (premierë botërore nga Marcelo Nisinman, Pablo Ortiz dhe Julio Viera, Oehms Classics), Cantique (përmban Schelomo të Bloch, Böclin-Suite të Reger si edhe premierën botërore të koncertit për çelo të Andreas Pflüger’s me Estelle Revaz si solist. NEOS Music).
Agudin ka bashkëpunuar rregullisht me artistë të tillë si Ramon Vargas dhe Rubén Amoretti (Verdi Requiem, Don Carlo, Tosca, Mephistophele), regjizorë si Gustavo Tambascio (Giulio Cesare), Michal Znaniecki (Demetrio, Romulus der grosse), Bruno Ravella (Traviata), Louise Moaty (Der Kaiser von Atlantis). Ai ka për zemër bashkëpunimin me solistë si Sergio Tiempo, Paula Almerares, Marcelo Nisinman, Philippe Bianconi, Bénédicte Tauran, Armen Babakhanian, Catalin Desaga, Pablo Saravi, Mariano Rey, Xavier Inchausti.
Për sa i përket skenës së operës bashkëkohore, ai përgatiti dhe vuri në skenë premierën “Romulus der grosse” nga Andreas Pflüger, të adaptuar nga komedia e Friedrich Dürrenmatt. Pjesa e re operistike përjetoi një sukses të madh mediatik në Neuchâtel dhe Bazel ndërsa po përgatitet një produksion i ri në Madrid dhe në Buenos Aires gjatë vitit 2018.
Agudin është i përkushtuar gjithashtu ndaj zbulimit dhe mbështetjes së talenteve të reja
Dirigjentja
Dirigjentja Suzana Turku ka lindur në Tiranë. Që në moshë shumë të vogël ajo fillon të këndojë në pallatin e pionierëve, nën edukimin e muzikantëve të njohur shqiptar P. Prifti, T. Harapi, R. Radoja. Sukseset dhe përvoja, i mundësuan pranimin si nxënëse në Liceun Artistik mes viteve 1968-1972, për teori muzike dhe kanto. Në vitin 1972-1976, vijon studimet në konservatorin e Tiranës për kritikë muzike dhe dirigjim në klasën e Kristofor Xhokaxhi dhe diplomohet në vitin 1977, me rezultate të shkëlqyera me një koncert të plotë në skenën e T.O.B. me solistet, korin dhe Orkestrën e teatrit të Operës dhe Baletit. Në vitin 1977-1983, emërohet në Liceun Artistik, pedagoge për lëndën e dirigjimit, solfezhit dhe klasës korale. Këtu fillojnë edhe sukseset e para si dirigjente me korin e vajzave të Liceut Artistik, duke u vlerësuar me çmime të para në evenimentet më të rëndësishme të kohës. Mes viteve 1983-2000, emërohet dirigjente e korit të T.O.B. Nën drejtimin e Zana Turkut, kori i Teatrit të Operës interpreton vepra si: op “Borana”, A. Mula, “La Traviata”, “Rigoleto”, “Il Trovatore”, “Aida” G.Verdi; “La Boheme”, “Tosca”, “Turandot” G. Puccini, “Il Barbiere di Seviglia”, “La Gaza Ladra”, Rosini, “Cavaleria Rusticana” Mascagni “Pagliaci” Leoncavallo “Les pecheurs de perles”, “Carmen” Bizet, “Cosi fan tutte”, “La nozze di Figaro”, Mozart, “Norma” Bellini, e shumë të tjera. Veç pjesëve operistike, Zana Turku spikat edhe në veprat koncertale si Requiem – të kompozitorëve Mozart, Brahms, Faure, Carmina Burana – K. Orf, Stabat Mater – Rossini, Mesiah – Hayden, Simfonia nr.9 Bethoven, Fantazi për piano, kor dhe orkestër – Bethoven, e shumë të tjera. Për realizimin e veprave, ajo ka pasur një bashkëpunim shumë të mirë me dirigjentë shqiptarë dhe të huaj. Në vitin 1988, në bashkëpunim me kompozitorin Gj. Simoni, realizon koncertin e parë Simfo-Xhaz me korin e Operës dhe me formacion të vogël orkestral. Në vitin 1993 krijon dhe drejton korin e dhomës “Pax Dei, i cili do të njihte suksese të një pas njëshme, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në turnetë e tij koncertale në Itali, Greqi, Maqedoni, Zvicër, Gjermani, Kosovë. Me këtë kor janë realizuar shumë koncerte dhe premiera veprash koncertale si: “Magnificat” “Bach” “Magnificat” “Gloria” Vivaldi, “Mesa in F” “Mesa in G” Schubert, “Coronation Mass” Mozart. Kontributi i Zana Turkut është shumë i vyer edhe në fushën e pedagogjisë. Prej vitesh, ajo është pedagoge dhe dirigjente e korit dhe klasës së operës në Universitetin e Arteve, Tiranë. Me punën e saj të kujdesshme pedagogjike dhe profesionale ajo ka arritur të realizojë, së bashku me studentët, shumë koncerte brenda dhe jashtë vendit, si dhe të interpretojë vepra të plota skenike dhe koncertale, si: “Requiem” “Faure, Dido e Enea” Purcell, “Orfeu” Gluch, “Skënderbeu” Vivaldi, “Requiem” T. Harapi, “Turandot” Puccini, “Aida” Verdi, etj. Për ngritjen e saj profesionale ajo ka kryer specializime në Francë, Sh.B.A., Gjermani, Austri, Rumani, Itali, Slloveni, Norvegji, ka drejtuar master – class në Greqi. Suzana Turku është anëtare e disa organizatave kulturore ndërkombëtare dhe anëtare e këshillit të koreve olimpike, si përfaqësuese e Shqipërisë. Ajo mban titullin “DOKTOR” në fushën e etnologjisë dhe folklorit, Master të nivelit të dytë, titullin honorifik “Magistra Chori” në Kroaci. Është autore e librit “Pjesë korale shqiptare”. Që nga viti 1989, mban titullin Artiste e Merituar. Nga viti 2005-2013 ngarkohet me një detyrë të lartë shtetërore për drejtimin e kulturës shqiptare. Suzana Turku vlerësohet për kontributin në zhvillimet e kulturës shqiptare, strategjinë e kulturës dhe integrimin e Shqipërisë në Evropë.