“Rrugëtimi” i Ismail Qemalit drejt Kosovës

Një rrugëtim i jetës së Ismail Qemalit, përmes gjurmëve të gjithë veprimtarisë së tij, ka marrë jetë përmes një ekspozite në Muzeun Kombëtar të Kosovës.

Ismail Qemali, ministri i parë reformator dhe liberal i shtetit shqiptar, është shfaqur me një profil të plotë, në përkujtim të 100-vjetorit të vdekjes. Ekspozita me titull “Rrugëtim-Ismail Qemali ndër vite” u organizua nga Muzeu Historik Kombëtar në Tiranë dhe Muzeu Kombëtar i Kosovës, në kuadër të Kalendarit të Përbashkët Kulturor.

Kjo ekspozitë u mundësua në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave, Qendrën Mbarëkombëtare të Koleksioneve Shqiptare dhe Bibliotekën Kombëtare.

“Ekspozita është realizuar për të kujtuar Ismail Qemalin dhe kontributin e tij të paçmuar për mbarë kombin shqiptar. Koha në të cilën lindi dhe jetoi, kultura dhe arsimimi që kishte, kalimi i një pjese të jetës në internim, titujt e ndryshëm që mori në shërbim të Perandorisë Osmane, dashuria për vendlindjen, si edhe kujdesi që t’i shërbente lirisë dhe pavarësisë së atdheut i dhanë Ismail Qemalit aftësinë, që të arrinte realizimin e aspiratës aq të dëshiruar të popullit të tij, ngritjen e flamurit kombëtar dhe Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë”, tha Dorian Koçi pas kthimit në Tiranë. /Shqiptarja/

SHKARKO APP