Sa fatkeq janë diktatorët… Primo Shllaku dhe Stefan Çapaliku godasin në Teatrin “Skampa”
Publiku i Elbasanit dhe jo vetëm… këtë fundjavë duhet patjetër ta rezervojë për në Teatër, pasi në “Skampa-n” e magjishme të Elbasanit (të shtunën) do të vihet në skenë “Nji mbret pa mbretni”, vepër kjo e shkruar mjeshtërisht nga Primo Shllaku dhe me regji të Stefan Çapalikut.
Në këtë dramë do të interpretojnë aktorët Alfred Bualoti, Dasara Xhangolli, Ilirda Bejleri, Hysen Mullajonuzi, Mario Elezi, Antoneta Doka, Enea Cuko, Anxhela Mitrovica. Publiku në dramën komike “Nji mbret pa mbretni” do të përjetojë një satirë, ngjarje, që përmbajnë elementë filozofikë brenda dhe metafora, pra një vepër për të gjitha diktaturat.
Ngjarjet e veprës zhvillohen në një oborr mbretëror. Kjo dramë komike synon të zbulojë sesa të dobët dhe fatkeq janë diktatorët, pamja e të cilëve rrezaton madhështi e force. Syri dramatik ka depërtuar tek përditshmëria e një diktatori dhe ka gjetur aty nji shpartallisje të pashoqe.
Diktatorët i mundon vetmia dhe absurdi i dëshirave të tyre që alternohen me shpejtësi pa i lënë radhë njëra-tjetrës që të zëvendësohen. Edhe pse ata nuk pendohen, katharsisi i tyre ndodh tek spektatori që zbulon tmerrin e një jete në majë të një pushteti diktatorial. Konceptimi dramatik ka synuar t’i heqë këtij mbreti çdo qasje heroike, pra që ky mbret diktator të mos prekë asnjë virtyt e trimëri, por të vdesë në mjerimin që ka gatuar për të tjerët.
Drama do të vihet në skenën e teatrit ”Skampa”, Elbasan për publikun me premierën më 31 mars, duke vazhduar edhe më datat 1,6,7,8 Prill, ora 19:00.
/A.Gj./